Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë edhe njëherë thirrje qeverisë shqiptare që të tregohet e kujdesshme me menaxhimin e financave. Në raportin post monitorim të sapopublikuar, FMN vlerson se:

Ka pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara që mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e parashikuar për vitet, 2021-2022.Në këtë kontekst, Drejtorët theksuan rëndësinë e planifikimit të fondeve rezervë për ngjarje të paparashikuara dhe rekomanduan që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtëjshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar”, thuhet në njoftim.

Duke parë që dhe niveli i pandemisë është në rritje, FMN paralajmëron se situata ekonomike mund të përkeqësohet. Një pandemi më e rëndë, thuhet në raport, do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të huaja direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi.

Fondi ka ripërsëritur këshillën e tij për të mos zbatuar amnistinë fiskale dhe ka rekomanduar shmangien e ndryshimeve të shpeshta fiskale .Ndërkohë borxhi i lartë, kërkesat e larta për financime dhe kreditë me problem, përbëjnë një sfidë më vete.

Sa i përket fondeve të rindërtimit dhe masave të emergjencës, FMN ka kërkuar një kontroll sipas proceduarave të menaxhimit të financave publike. Ndërsa paralajmëron se situata ekonomike mund të përkeqësohet.

Në njoftimin e fondit thuhet se: “ Bordi Ekzekutiv i FMN-së përmbylli rishikimin e parë të monitorimit të Post-Programit me Shqipërinë në 23 nëntor . Shqipëria ka përfituar nga ndihma financiare e emergjencës (rreth 190.5 milionë USD) që u disbursuan nën Instrumentin e Financimit të Shpejtë në prill të 2020, që I mundësoi Shqipërisë që të përmbushë në kohë nevojat e saj të pagesave që vinin pas tërmetit të në ntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Mundësia për të ripaguar Fondin është në nivele të përshtatshme por risqet janë rritur me goditjet e mundshme.

Shqipëria vijon të jetë e prekur rëndë nga pasojat e tërmetit dhe të pandemisë. Autoritetet iu përgjjigjën menjëherë këtyre goditjeve dhe stabiliteti financiar e ai makroekonomik deri më tani ka qenë në ekuilibër.

Ekonomia pritet të tkurret me 7.5% në 2020 dhe të rigjallërohet gradualisht në 2021 dhe 2022 teksa goditjet minimizohen dhe shpenzimet e rindërtimit të rriten. Inflacioni pritet të mbetet i ulët përpara se të shkoj drejt objektivit prej 3% në terma afatmesëm. Deficiti i llogarisë korrekte parashikohet të zgjerohet me 10% të GDP-së në 2020 por rezervat ndërkombëtare me shumë gjasa do të rritetn lehtë duke qëndruar në një nivel të përshtatshëm”.

Referuar këtyre të dhënave, Drejtorët e Fondit theksuan se mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë e përkohshme dhe e synuar, subject I transparencës dhe llogaridhënies. Ata rekomanduan që rritja ciklike e të ardhurave të përdoren për të arritur një reduktim më të madh të deficitit në 2021 sesa është parashikuar në buxhet në mënyrë që të ndërtohet një amortizator për kontigjencat. Drejtorët përshëndetën ndryshimin e fundit në rregullat fiskale. Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme duhet të miratohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtëjshme.Duhet të shmangen ndryshimet ad hoc të politikave tatimore dhe skemat e amnistisë tatimore. Drejtorët nënvizuan nevojën për të parandaluar borxhet e reja dhe përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të tërrorizmit.

Në raport theksohet gjithashtu nevoja për të ruajtur stabilitetin financiar , ndërsa mbështesin huamarrësit e goditur nga kriza. FMN rekomandon që të hiqet dorë nga shpenzimet jo prioritare, në mënyrë që të ketë fonde të lira për të përballuar emergjencën.

Sipas raportit, ka një rrezik që pandemia e COVID-19 të rezultojë më e vështirë për t’u zhdukur , kjo do të bëjë të nevojshme që të meren masa frenuese , ndërsa do të ketë një mjedis më të keq të jashtëm.

FMN rekomandon qeverinë që të përgatitet në përgjigje ndaj këtij rreziku.”Rregulloni në mënyrë fleksibël masat zbutëse dhe mbështetjen buxhetore. Shënjestroni politika më të mira për të mbështetur kujdesin shëndetësor, personat që janë të prekshëm dhe ekonominë.Kërkoni financim të jashtëm. Monitoroni dhe menaxhoni nga afër dobësitë e sektorit financiar. Në rast të një vaksine efektive kundër pandemisë, FMN beson se situate mund të përmirësohet me shpejtësi , duke nxitur kërkesën e brendshme dhe të jashtme”, thekson raporti.

Në këtë rast qeveria do të duhet të ndjekë një politikë më të konsoliduar fiskale dhe të ulë më shpejtë borxhin. FMN vlerson gjithashtu se ka një rrezik të lartë që projektet e partneritetit public privat(PPP) të hartuara keq, të rrisin detyrimet. Një tjetër rrezik i mesëm është që kriza të cojnë në pakënaqësi sociale dhe destabilitet politik dhe nëse kjo do të ndodhte rreziku i pasojave do të ishte i lartë dhe do të rriteshin pabarazitë.

Në nje skenar negativ, FMN parashikon që borxhi publik i Shqipërisë pritet të rritet në vitet 2021 dhe 2022, duke arritur në 88% të PBB-së në vitin 2022, nga 82-83% që është pritshmëria për 2020-n. Sa i përket skenarit bazë, borxhi nuk pritet të ulet me shpejtësi, duke arritur në 79.6% të PBB-së në vitin 2020.

Ndërkohë eksperti i ekonomisë Selami Xhepa rritjen e borxhit në këto nivele që parashikon raporti i FMN-së, e sheh si një këmbanë alarmi.

Raporti i FMN-së është një këmbanë shumë serioze alarmi. Një rritje e borxhit në këto përmasa mund të jetë e pranueshme për ekonomi të zhvilluara sit ë SHBA-ve dhe vendet e Bashkimit europian por për ekonomitë në zhvillim sic është Shqipëria, nivelet e borxhit në këto përmasa janë absolutisht jashtëzakonisht serioze.

Rritja e borxhit deri në 88% apo dhe më shumë me kalimin e kohës, edhe për shkak të atyre angazhimeve të tjera që ka marë qeveria në kuadrin e partneritetit public privat(PPP) apo kontratave të tjera, mund të rrezikojnë realisht stabilitetin financiar të vendit.Kjo është arsyeja që dhe Fondi por edhe agjentët e tregut po e shikojnë gjithnjë e me skepticizën, cështjen e borxhit publik të vendit”, theksoi prof. Xhepa.

Sipas Xhepës, është e nevojshme që qeveria të marrë masat e nevojshme në mënyrë që të vendosë në menaxhim situatën ekonomike që pritet të kemi në vitin 2021. Shqetësimi që kemi është alokimi në tërësi i fondeve publike për vitin 2021. Ne, thotë Xhepa nuk e kemi kaluar emergjencën, prandaj është e domosdoshme koha të mendohet për politika më afatgjata. E rëndësishme mbetet dhe një mbështetje e vecantë për sektorin privat. Ashtu si dhe FMN, Xhepa kërkon të hiqen investimet e panevojshme dhe të adresohen fondet tek interesi më i madh i popullatës që është shëndeti.

Elida Lazi