Më 1 dhjetor, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping tha se Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme në çrrënjosjen e varfërisë absolute, ndërsa duhet bërë më shumë punë për të konsoliduar këto suksese në luftën kundër varfërisë.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), i tha këto në një mbledhje të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, të zhvilluar rreth një javë pasi nëntë kontetë e fundit të vendit u larguan nga varfëria.

Duke cituar vlerësimin e agjencive palë të treta, autoritetet në Guizhou të Kinës Jugperëndimore thanë që rastet e përgjithshme të varfërisë në nëntë konte të kësaj province ishin ulur në zero dhe niveli i kënaqësisë nga banorët vendorë ishte mbi 99 %.

Zyra për zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin e kësaj province tha se të ardhurat mesatare vjetore neto të banorëve të varfër në këto nëntë konte janë rritur në 11 mijë e 487 juanë, shumë më lart se niveli kombëtar i varfërisë prej 4 000 juanësh i vendosur këtë vit.

Guizhou ishte rajoni i fundit që eliminoi varfërinë absolute, pas Yunnan-it, Xinjiang-ut, Ningxia-së, Sichuan-it, Guangxi-së dhe Gansu-së.

Xi përshëndeti këto shenja mbresëlënëse përparimi në punën për zbutjen e varfërisë, ndërsa në Kinë gjithsej rreth 100 milionë veta kanë dalë nga varfëria.

Xi theksoi se zbutja e varfërisë ka qenë një nga përparësitë e PKK-së që nga Kongresi i 18-të i saj në vitin 2012.

Kina ka mobilizuar burimet në të gjithë vendin dhe ka udhëhequr fushatën më të madhe për zbutjen e varfërisë në historinë njerëzore, vuri në dukje ai, dhe tani ka çrrënjosur varfërinë absolute dhe e ka arritur objektivin brenda afatit të përcaktuar.

Ajo që qëndron në bazë të luftës kundër varfërisë është filozofia e vendosjes së njeriut në qendër, me qëllim që të përmirësohet jetesa e popullit, theksoi Xi.

Por ai paralajmëroi lidhur me mundësinë e kthimit në varfëri të zonave rurale, duke u kërkuar zyrtarëve të të gjitha niveleve të vazhdojnë përpjekjet për zbutjen e varfërisë.

Si pjesë e përpjekjeve për të konsoliduar të gjitha arritjet, duhet të shtohen masat e mbikëqyrjes e të ndihmës për të garantuar që njerëzit e sapodalë nga varfëria të qëndrojnë mbi nivelin e varfërisë të vendit, u tha në mbledhje.

Ndihma e vazhdueshme financiare është ende e nevojshme, veçanërisht për miliona njerëz që janë zhvendosur për të përmirësuar situatën e tyre, dhe duhet gjithashtu edhe mekanizmi përkatës mbështetës.

Në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së u vu në dukje edhe që është e nevojshme të vazhdojë promovimi i punës për zbutjen e varfërisë, të përmirësohet ndërtimi i infrastrukturës në zonat e varfra dhe të zgjerohen kanalet e shitjeve, në mënyrë që të stabilizohet tregtimi i produkteve bujqësore.

Më 2 dhjetor, Ou Qingping-u, nëndrejtori i Zyrës për Zbutjen e Varfërisë dhe Zhvillimin pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, u tha gazetarëve se një shqyrtim i kryer vitin e kaluar tregoi se rreth 5 milion veta rrezikojnë të kthehen sërish në varfëri.

Ai tha se sondazhi identifikoi njerëzit që kanë dalë nga varfëria, por kanë të ardhura jo të mjaftueshme apo të ardhura jo të qëndrueshme ose vetëm pak më të larta se kufiri kombëtar i varfërisë.