Tregtia e jashtme e Shqipërisë po jep sinjale të rimëkëmbjes, pavarësisht rënies së lehtë gjatë muajit tetor të këtij viti, ndikuar nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid -19.

Shifrat e publikuara së fundi nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, tregojnë se vlera e eksporteve të mallrave gjatë tetorit të këtij viti arriti shifrën 27 miliardë lekë, me një rënie me 0.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Ndërkohë që importet ishin në 59 miliardë lekë, në rënie me vetëm 0.01% krahasuar me tetorin e vitit 2019. Defiçiti tregtar rezulton kështu në 33 miliardë lekë, në rënie me 0.8% krahasuar me tetorin e vitit 2019.

Sa i përket mallrave, ushqimet kanë dhënë kontributin më pozitiv në rritjen e eksporteve ndërsa mineralet djegëse, kontributin më negative. Në drejtim të importeve, vijojnë të jenë mineralet djegëse ato që kanë dhënë kontributin më negativ, ndërkohë që makineritë dhe pajisjet ndikuan me rritjen më të lartë.

Pandemia ka zhvendosur disa interesin për grup mallrat e importuar.

Shifrat tregojnë se importet e produkteve farmaceutike janë rritur me 13.9% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar dhe me 50.8% krahasuar me muajin shtator. Madje, importi i produkteve farmaceutike gjatë muajit të kaluar ka prekur rekordin e tretë më të lartë mujor në histori, me 2.7 miliardë lekë.

Nga ana tjetër për sa i takon eksporteve, pandemia COVID-19 ndikoi në rënien e shitjeve jashtë vendit të tekstileve dhe këpucëve.

Statistikat tregojnë se, për periudhën janar – tetor 2020, eksporti i tekstileve dhe këpucëve është ulur me 6.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Ky grupmallrash (tekstile- këpucë), i konsideruar si “zemra” e eksporteve shqiptare që mbajnë peshën kryesore të shitjeve drejt destinacioneve të ndryshme të botës gjatë këtij 10 mujori, shënoi vlerën e 100.6 miliardë lekëve eksporte.

Krahasur me 10 mujorin e një viti më parë rënia eksportit të këtij grupmalli shënoi mbi 15 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, tetori rezulton si një muaj rikuperimi krahasuar me muajin shtator, por nuk ka arritur as të barazojë e as të tejkalojë eksportin e tekstileve dhe këpucëve të tetorit të vitit 2019. Shifrat e Instat tregojnë se në tetor 2020, Shqipëria ka eksportuar 9.7 miliardë lekë nga ky zë qendror i eksportit, 204 milionë lekë më shumë se në shtator 2020.

Ndërkaq, krahasuar me eksportin në tetor 2019, Shqipëria ka eksportuar 563 milionë lekë më pak tekstile dhe këpucë. Duhet rikujtuar se Shqipëria, eksportin më të madh të tekstileve dhe këpucëve e ka drejt Italisë, si partneri kryesor tregtar i vendit dhe Italia është vendi vendi me të cilin eksportet kanë pasur rënien vjetore më të madhe, krahasuar me periudhën janar – tetor 2019.

Nga rënia totale e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve (15 miliardë lekë), 90% i atribuohet rënies së eksporteve të tekstileve dhe këpucëve me Italinë.

Sa i përket vendeve partnere, tetori regjistron rritje të ndjeshme të eksporteve drejt Kosovës, me 9.7 %, Gjermanisë me 63.0%, dhe Greqisë me 22.4%. Ndërsa eksportet shënojnë rënie me vendet si Italia me -0.6%, Spanja me -62.5%, dhe Kina me -11.1 % që regjistroi uljen më të madhe të eksporteve gjatë tetorit. Sa i përket importeve, tetori ka sjellë një rritje nga Italia, me 9%, Greqia me 17.6% dhe Gjermania me 24%, si dhe një ulje nga Turqia me -16.2%, Serbia me -3.2% dhe Zvicra me -35.1%.

Në totalin e tregtisë me jashtë, eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhanit nga Shqipëria, është i vetmi zë që pandemia nuk e ka prekur.

Referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT, Shqipëria ka eksportuar 2.8 miliardë lekë më shumë ushqime, pije dhe duhan në periudhën janar – tetor 2020, nga ç’ka eksportuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Në 10 mujorin e vitit 2019, Shqipëria eksportoi 29 miliardë lekë nga këto grupmallra ushqimesh, në destinacione të ndryshme të botës. Eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhan për këtë periudhë ka kapur vlerën 31.9 miliardë lekë.

Referuar shifrave rezulton se, rritjen më të madhe të eksporteve me 14.3%, Shqipëria në këtë 10 mujor e pasur me Gjermaninë. E njëjta gjë vlen edhe për importet, ku Gjermania është sërish shteti me rritjen më të madhe. Importet me Gjermaninë në janar – tetor 2020 janë rritur me 0.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Sa i takon eksporteve, deri në tetor 2020, Shqipëria ka eksportuar 1.7 miliardë lekë më shumë nga periudha janar – tetor 2019. Në total, në 10 mujorin e 2020-ës, eksportet drejt Gjermanisë kanë qenë 13.6 miliardë lekë.

Ndërsa importet nga Gjermani janë rritur me 312 milionë lekë (periudha janar – tetor 2020). Në 10 mujorin e vitit 2019, vlera e mallrave të importuar nga Gjermania ishte 37.5 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, kjo vlerë arriti në 37.8 miliardë lekë.

Nga rreth 244 shtete të cilat INSTAT i klasifikon si partner tregta të Shqipërisë, ne eksportojmë në 135 prej tyre, dhe imprtojmë nga 161 shtete në total.

Etleva Xhajanka