Fenomeni i qarkullimit të parasë jashtë kanaleve zyrtare ka shënuar rritje kohët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, numri i individëve dhe bizneseve që marrin hua me fajde në tregun e zi është rritur këtë vit.
Duke iu referuar statistikave të BSH-së, paraja jashtë korporatave depozituese, gjatë muajit gusht ishte sa 23.5% e ofertës monetare e parasë, gjithsej në ekonomi i njohur si agregati M3. Ky raport ishte më i larti që nga dhjetori i vitit 2009, kur shpërtheu kriza financiare globale, që e kishte zanafillën nga bankat. Paraja cash arriti 328 miliardë lekë (2,6 miliardë euro) në fund të gushtit 2020, duke u zgjeruar me gati 40 miliardë lekë, ose 13.8% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në dy anketat që Banka e Shqipërisë ka bërë me 437 biznese dhe 251 familje huamarrëse, rezulton se një pjesë e parasë cash që po qarkullon në ekonomi, po jepet me fajde. Rezultatet e anketës kanë treguar se gjatë këtij viti, janë rritur dukshëm rastet e financimit nga tregu i zi për të dyja kategoritë.
Paraja me fajde në tregun e zi është më e përhapur tek individët, janë ata që përdorin më shumë se bizneset, por këta të fundit qarkullojnë para me vlera më të larta se individët. Ndërkohë interesat janë të larta dhe afatet e kthimit të shkurtra. Kryesisht paratë e marra me fajde përdoren për konsum, dhe për të financuar qarkullimin tek bizneset, ose për të shlyer një borxh tjetër. Historikisht në Shqipëri, individët dhe familjet e kanë siguruar financimin e tyre me hua jashtë bankave, se sa në institucionet e licencuara të kreditit.
Sipas rezultateve të një ankete që Banka e Shqipërisë bën në familjet huamarrëse, në 6-mujorin e parë të këtij viti rezultoi se, nga individët me borxhe, 48% e kishin marrë nga persona të tjerë fizikë, 33% e kishin siguruar nga bankat, ndërsa një kategori tjetër, rreth 16%, ishin huamarrës kundrejt dyqaneve, pasi kanë konsumuar artikuj me borxh, të cilat shlyhen në një periudhë të mëvonshme.
Individët që kanë plotësuar nevojat me financim nga tregu i zi arritën përqindjen më të lartë që nga viti 2011, kur ky tregues ishte 54%. Të dhënat tregojnë se financimi nga tregu i zi ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit, duke arritur kulmin në 6-mujorin e parë të 2020-ës, ku numri i familjeve që morën hua në tregun e zi u rrit me 6 pikë përqindje, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë këtë vit, pandemia e Covid-19 ka favorizuar dhe ajo marrjen e huave jashtë bankave, pasi ka vështirësuar mundësitë për të marrë kredi nga banka. Paralelisht me rritjen e numrit të familjeve që financojnë borxhin me fajde, ka pësuar rënie numri i individëve që financohen me kredi nga bankat. Të dhënat nga anketa e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga totali i familjeve me borxh, 33% e tyre e kishin ndaj bankave me ulje 2 pikë përqindje në raport me 6-mujorin e parë 2019. Një numër i madh familjesh borxhlie detyrohen ndaj dyqaneve dhe pikave të shitjes me pakicë. Në 6-mujorin e parë 2020, këto përbënin 16% të totalit. Ky lloj borxhi, i cili njihet si listat në dyqane, nuk përfaqëson fajdet në tregun e zi. Zakonisht, dyqanet i japin ushqimet kundrejt pagesave të mëvonshme, pa interes.
Duke iu referuar anketës së BSH-së vihet re një rritje e ndjeshme edhe në fenomenin e financimeve të huasë për bizneset nga tregu i zi. Anketa tregon se në 6-mujorin e parë 2020, 3.7% e bizneseve të mëdha huamarrëse janë financuar nga persona të tjerë fizikë dhe 1.3% nga kompani të tjera. Ky lloj financimi ka shënuar rritje të mprehtë gjatë këtij viti, tregon anketimi.
E njëjta tendencë ishte edhe për bizneset e mesme borxhlie, ku gati 3% e tyre u financuan nga persona fizikë në 6-mujorin e parë. Huaja nga tregu i zi për kategori biznesi nisi të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019.
Ndërkohë nga 437 biznese humarrëse që ka pyetur Banka e Shqipërisë del se për të tre kategoritë e bizneseve, të vogla, të mesme dhe të mëdha, financimet nga tregu i zi janë rritur.
Varësinë më të madhe nga fajdet në tregun e zi, shihet ta kenë bizneset e vogla. Nga rezultatet e anketës së Bankës Qendrore shihet se 9% e bizneseve të vogla borxhlie e kishin siguruar financimin nga persona fizikë.
Paralelisht me rritjen e financimeve në tregun e zi, ka rënë përqindja e bizneseve që kishin një kredi për të shlyer në banka.
Paraja jashtë bankave ka shënuar një rekord historik në vlerë absolute dhe gjithashtu, nivelin më të lartë në raport me ofertën monetare që nga viti 2009. Në fund të gushtit, treguesi i parasë jashtë bankave ishte 328 miliardë lekë, duke shënuar rritje vjetore me mbi 13%, 291 miliardë lekë, ose rreth 2.6 miliardë euro.
Profesor Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës, në një intervistë për “Revistën Monitor” thotë se dy janë arsyet e kësaj dukurie. Së pari, teorikisht rritja e parasë jashtë bankave shprehet me faktin që preferenca për të mbajtur në cash është më e madhe, pasi kosto e mbajtjes së parasë në banka është e lartë. Ky është modeli teorik i analizës.
Por, prof. Xhepa mendon se realisht kjo tendencë është më shumë një tregues i shtimit të informalitetit në ekonomi.
“Një pjesë e aktiviteteve është e paregjistruar, transaksionet kryhen nëpërmjet kanaleve zyrtare”. Ai shton se kjo tregon që një pjesë e madhe e pagesave kryen “underground”, ku përfshihet informaliteti dhe paratë që vijnë nga trafiqet e paligjshme. Sipas prof. Xhepa, paraja jashtë bankave po ushqehet edhe nga demotivimi i interesave të depozitave në banka. Interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë në tremujorin e dytë të vitit rezultoi 0.57%, nga 0.61% që ishte në tremujorin e parë dhe 0.68% për vitin e kaluar, ndërsa interesi i depozitave në euro ishte 0.15% për të njëjtën periudhë.
Edhe ulja e normave të interesit ka qenë një faktor që i ka bërë bankat më pak tërheqëse për të mbajtur kursimet në lekë.
Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare.
Elida Lazi