Shqipëria tashmë është kthyer në një destinacion investimi edhe për të huajt. Italiani, me origjinë arbëreshe Giuseppe Suverato është një nga shembujt e sipërmarrësve, që ka ngritur biznesin e tij të prodhimit të verës në Hamallaj të Durrësit dhe prodhon rreth 17 000 shishe verë në vit.

E vizituam nga afër kantinën e tij, për të njohur më mirë historinë e Giuseppe Suverato-s, i cili prej vitit 2009 ka çelur kantinën e tij të verës në Shqipëri, por pas investimeve në këtë zonë, vitet e fundit, ai ka njohur një rritje të kërkesës, çka ka sjell dhe investimin prej 150 mijë euro në modernizmin e prodhimit të verës, duke trefishuar sasinë e verës së prodhuar.

Giuseppe Suverato, i njohur nga zona si “Pino”, kujdeset të nënvizojë se vera është natyrale, falë dhe rrushit të zonës, që është i mrekullueshëm. Po ashtu ai saktëson se prodhimi i verës është një trashëgimi familjare, teksa nuk harron pa përmendur faktin se Kalabria, nga është ai me origjinë, është shumë e ngjashme me Shqipërinë dhe ai ndihet si në shtëpinë e tij këtu.

Italiani Giuseppe na rrëfen historinë e tij, si i lindi dëshira për të investuar në Shqipëri dhe çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Im atë ka qenë shtatë vite në Shqipëri. Ishte ushtar në Kepin e Rodonit. Duket se gjaku më thërret. Në Kalabri janë mbi 200 000 arbëreshë dhe unë jam një prej tyre. Ardhja ime në Shqipëri daton në vitin 1993. Jetoja në Zvicër asokohe, ku punoja në prodhimin e materialeve për garazhe, me mjete të ndryshme mekanike. Një ditë në Budapest, Hungari, isha duke marrë pjesë në një panair, ku po ekspozoja produktet e kompanisë sime atje. Në hollin e panairit ishte një televizor, nga ku dëgjova se Shqipëria nuk jetonte më në diktaturë. Menjëherë më lindi dëshira ta vizitoj dhe të investoj në këtë vend”, – tha Pino.

Ai na tregon se menjëherë telefonoi aeroportin dhe bleu biletën për në Shqipëri.

"Me të zbritur në aeroport mora një taksi dhe u nisa drejt hotel “Dajtit”. Atje më këshilluan që të takohesha me përfaqësues të ambasadës italiane në Tiranë, për t’u informuar rreth sektorëve dhe vendeve më të mira ku mund të investoja. Faktikisht ligjet nuk ishin të qarta dhe nuk m’u dha hapësira për të investuar. Njoha bashkëshorten time, që po studionte për mjekësi dhe me të sot kam dy fëmijë. Fillimisht u mora me prodhimin e salcës së domateve, por pa sukses. Ashtu siç rezultoi pa sukses dhe prodhimi i sallamit. Në fund origjina më thirri dhe duke trashëguar pasionin për verën nga im atë dhe gjyshi im, nisa të prodhoj verë. Fillimisht për veten time dhe më pas për tregti, pasi zona e pëlqeu dhe të gjithë po më kërkonin verë”, – tha Pino.

Duke folur për transferimin në Hamallaj, ai tregon se nismëtar ishte një mjek.

Një mikut tim doctor që punonte në Manzë i kërkova informacion për zonën dhe nëse kishte ndonjë tokë që mund të blija për të investuar afër bregdetit. Ai më këshilloi Hamallajn dhe kështu bëra. Gruaja ime u transferua si mjeke dhe ne familjarisht erdhëm të jetonim këtu, ku dhe ndërtova kantinën”,- thekson Pino, i cili me pasion dhe shumë kujdes na shpjegon edhe procedurën e prodhimit të verës në kantinën e tij.

Prodhimi i verës këtu është natyral, pa kimikate të shtuara, shprehet Pino. “Unë në fillim prodhoja deri në 5 000 shishe verë. Ndërsa sot kam arritur të prodhoj deri në 17 000 shishe verë. Kjo dhe falë kërkesës që është rritur shumë vitet e fundit, çka më nxiti të investoj 150 mijë euro për modernizimin e kantinës së verës"- tha ai.

Pino na tregon se, Hamallaj, zona ku ai ka shtëpinë, është shumë afër detit dhe gjatë sezonit të verës, në shtëpinë me kopësht të tij, ndalen edhe shumë turistë, të cilët jo vetëm e shijojnë pijen e këndshme të verës në ambientet e gjelbëruara me pemë frutore e lule të kopështit, por madje e blejnë për ta marrë me vete.

Djali i tij, Cristian Suverato, tregon se po studion për ekonomi, ndërsa thekson se do të vijojë dhe një kurs për enolog dhe këto njohuri dëshiron t’i verë në dispozicion të kantinës së tij, që është shndërruar në linjat e një biznesi familjar.

E kam ndihmuar babain që kur kam qenë shumë i vogël. Fillimisht shikoja procedurën e prodhimit dhe nuk bëja ndonjë punë të madhe. Tani jam duke punuar këtu me kohë të plotë. Jam krenar që jam brezi i katërt që trashëgoj këtë pasuri të familjes sonë, të prodhimit të verës”, – thekson djaloshi i cili, rrëfen se si investimet në zonë kanë sjellë dhe rritjen e kërkesës.

Komplekset e reja agroturistike që janë ngritur këtu afër kanë sjellë një kërkesë të shtuar për verën nga kantina jonë. Synojmë që gradualisht të dalim edhe në treg me prodhimet tona”, – shprehet ai.

Gisueppe Suverato është vetëm një nga shembujt e shumë investitorëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion të investimit të tyre, duke gjetur një treg joshës dhe mjaft të favorshëm.

Etleva Xhajanka