Banka e Shqipërisë analizon se aktiviteti ekonomik pritet të rikuperohet gradualisht gjatë viteve në vijim dhe inflacioni të kthehet në objektiv brenda vitit 2022. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga stimujt fiskalë dhe monetarë të ofruar, nga reduktimi i pasigurisë, nga rindërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti dhe nga rifillimi i aktivitetit ekonomik global.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë shpenzimet kapitale në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohen sa 7.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për një vlerë totale prej afërsisht 1 miliardë eurosh.

Nga këto, rreth 225 milionë euro janë pjesë e programit të rindërtimit nga tërmeti i nëntorit 2019.

Ndërkohë që 2020, si një vit elektoral pritet gjithashtu të shpejtojë ecurinë e investimeve në vepra publike, çka do të japë edhe një përcjellje më të shpejtë të efekteve në ekonomi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se, investimet publike gjithashtu kanë regjistruar një përmirësim në muajt e fundit të këtij viti. Nga fillimi i korrikut deri në fund të tetorit, shpenzimet kapitale të qeverisë u dyfishuan nga 28 miliardë lekë në 56 miliardë lekë. Sipas shifrave të Ministrisë së Financave, në 10 mujorin e këtij viti investimet janë rritur me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku padyshim vemd të rëndësishëm zë Programi i Rindërtimit.

Qeveria ka mbështetur procesin e Rindërtimit pas tërmetit me një fond prej 34 miliardë lekësh këtë vit, nga të cilat 32 miliardë lekë janë alokuar tashmë në 4 programet e procesit.

Për ndërtimin e banesave janë akorduar 10 miliardë lekë, për ndërtimin e objekteve arsimore janë akorduar 7.4 miliardë lekë, për grantet për banorët janë akorduar 9.8 miliardë lekë, ndërsa për infrastrukturën publike janë akorduar 2.4 miliardë lekë.

Ndërsa gjatë vitit që vjen, fondi për Rindërtimin llogaritet 28 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 parashikohet të shpenzohen 6 miliardë lekë.

Sipas ekspertëve, shpresat për një rimëkëmbje të investimeve private është përqendruara kryesisht te sektori i ndërtimit. Ndërtimet e reja rezidenciale vijojnë, kryesisht në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Vlorë, Durrës, Fier etj. Ndërsa fakt është se krahas ndërtimit edhe tregu i pasurive të paluajtshme nuk u prek shumë nga kriza e pandemisë dhe indeksi i çmimit të banesave në rang vendi, llogaritur nga Banka e Shqipërisë, shënoi rritje me 4.9% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.

Banka e Shqipërisë parashikon që rikuperimi i investimeve private të vijojë në tremujorin e tretë. Treguesit afatshkurtër paraprakë nga tregtia me jashtë japin sinjale pozitive të rritjes së investimeve në makineri dhe pajisje. Importi i mallrave kapitale kaloi në territor pozitiv në periudhën korrik – gusht të këtij viti, pas një dinamike negative prej një viti e gjysmë. Tregues nga vrojtimet pranë bizneseve dhe bankave mbështesin sinjalet nga treguesit paraprakë sasiorë. Ndërkohë që edhe treguesit e besimit kanë shënuar kthesë drejt përmirësimit, veçanërisht për sektorin e ndërtimit.

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kontributin kryesor në rënien e investimeve totale e dha rënia e investimeve publike, por investimet private, të cilat janë në ndryshim negativ prej një viti, dhanë kontributin kryesor në tremujorin e dytë.Sipas BSh-së në kushtet e krijuara nga pandemia qytetarët janë më të prirur drejt rritjes së kursimeve sesa në investime private.

Kështu në tremujorin e tretë të këtij viti stoku i depozitave u shtua me rreth 23 miliardë lekë, e përqendruar në muajin gusht, ku kryesojnë flukset nga remitancat.

Kriza e pandemisë që goditi ekonominë në tremujorin e dytë preku më shumë konsumin sesa investimet.

Të dhënat e Instat treguan se, ndërsa konsumi final i popullatës pësoi një rënie me 7% krahasuar me tremujorin e parë, formimi bruto i kapitalit fiks shënoi rritje me 3.83%.

Me bazë vjetore, të dy përbërësit e kërkesës agregate pësuan rënie, përkatësisht konsumi me 7.6% dhe investimet me 11.1%. Megjithatë, rënia vjetore e investimeve ishte më e ulët se në tremujorin e parë dhe përfshin në një masë të madhe efektin e rënies së volumit të investimeve nga gazsjellësi TAP.

Sipas të dhënave të Instat-it, prodhimi i brendshëm bruto ra me 10.2% në tremujorin e dytë të vitit, duke shënuar tkurrjen më të fortë në historinë shqiptare të dy dekadave të fundit. Ky kontraktim pasqyroi më së shumti tkurrjen e konsumit privat. Megjithatë, paketat ndihmëse fiskale kanë amortizuar disi situatën e vështirë në tregun e punës. Për rrjedhojë, si rënia e punësimit dhe rritja e papunësisë kanë qenë më të zbutura se ecuria e

treguesve të aktivitetit ekonomik.

Sipas Bankës së Shqipërisë ruajtja e qasjes pozitive të sektorit bankar ndaj kreditimit, do të jetë një parakusht i nevojshëm për nxitjen e investimeve dhe rikuperimin e ekonomisë.

Statistikat zyrtare tregojnë për një gjallërim të kredimit për sipërmarrjen.

Sipas BSH-së, kredia për sektorin privat është rritur me rreth 6.3% në tremujorin e tretë, e mbështetur kryesisht nga kredia për biznese që në pjesën më madhe ka prefereuar huanë në monedhën vendase.

Etleva Xhajanka