Emigracioni i lartë në këto 30 vitet e fundit në Shqipëri ka sjellë një zhvillim alarmant në humbjen e popullsisë në vend. Edhe pse kanë kaluar tre dekada nga ndryshimi i sistemit, flukset emigratore janë në nivele të larta. Duke iu referuar shifrave zyrtare, mësohet se nga viti 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019). Ajo që vihet re në anketë, në ndryshim nga herët e tjera, është fenomeni i rritjes së emigrimit i të gjithë familjes. Mësohet se gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Tirana është ajo që ka numrin më të madh në totalin e familjeve të larguara jashtë vendit, me 10,3% e totalit të qarkut, ndërsa qarqet me humbjet më të mëdha të popullsisë janë Kukësi dhe Tropoja në Veri, Durrësi dhe Elbasani në qendër dhe Fieri në Jug. Kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. Ndërkohë, e ardhmja e fëmijëve është një tjetër faktor bazë që ka ndikuar në largimin e familjeve në emigrim. Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave.

Shqipëria renditet mes vendeve kryesore në botë për shkallën dhe intensitetin e migracionit ndërkombëtar. Ndërkohë, kërkimi i azilit është një dukuri relativisht e re për vendin dhe ka nisur të raportohet në statistikat evropiane që prej fillimit të udhëtimit pa viza në zonën e Shengen-it. Duke iu referuar të dhënave zyrtare që nga viti 2010 deri në shtator të vitit 2019, janë rreth 193 000 shtetas shqiptarë që u regjistruan si azilkërkues për herë të parë në vendet e BE-së. Kulmi arriti në vitin 2015, kur kërkuan azil rreth 67 000 shtetas shqiptarë, për t’u ulur më tej, si rezultat i procedurave të përshpejtuara të shqyrtimit të kërkesave të azilit, rregullave më rigoroze të migracionit dhe normave më të ulëta të pranimit.

Ajo që vihet re në anketë është se në dekadën e fundit, qarqet që janë më të prekura nga emigracioni, janë ato me nivel më të lartë të jetesës siç është Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku të ardhurat mesatare të familjeve janë përgjithësisht mbi mesataren kombëtare. Anketa ka gjetur se, qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut. Gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar 16.7% e popullsisë së qytetit, rreth 36 mijë persona, nga të cilët 15,700 janë emigrime familjare.

Pas Shkodrës, Fieri renditet i dyti për nivelin e lartë të emigracionit në raport me popullsinë me 15,5% , ku 5% e tyre, ishin të grupuar në familje. Nga Qarku i Fierit, i cili është i dyti për nivelin e lartë të jetesës pas Tiranës, janë larguar mbi 48 mijë persona. Vendin e tretë e zë Qarku i Durrësit, i cili ka humbur 14.1% të popullsisë në dekadën e kaluar, ku popullsia është pakësuar me mbi 37 mijë persona.

Tirana zë vendin e katërt për nivelin e lartë të emigracionit në total. Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.

Në vend të pestë për emigrim të lartë vjen Elbasani, ku ka emigruar 12.5% e popullsisë banuese e regjistruar më 2011, ku 5.2% e tyre ishin të grupuar në familje. Në vendin e gjashtë, Qarku i Kukësit i cili ka humbur në emigrim 12.4% të popullsisë gjatë dekadës, më shumë se 10 mijë persona, por ky qark është prekur shumë edhe nga migrimi brenda vendit i popullsisë.

Norma më të ulëta të emigracionit kishin Qarku i Lezhës, Korçës dhe Gjirokastrës, të cilët humbën përkatësisht 7, 9,6 dhe 9.2% të popullsisë. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i përgjithshëm prej 67,535 emigrantësh kishte ikur nga 1 janari 2018 deri më 15 korrik 2019. Më tej, 360 699 persona kanë emigruar që nga viti 2011 dhe përbëjnë numrin total neto të emigrantëve për periudhën 2011-2019, vë në dukje studimi.

Duke i’u referuar të dhënave të anketës, fluksi emigrator mbizotëron kryesisht mes familjeve që kanë emigruar tërësisht. Pra 6,6% e familjeve që emigrojnë në tërësi përbëjnë 6,5% të popullsisë totale të regjistruar më 2011. Ndërsa emigrantët që kanë emigruar veçmas pa familjen zunë 15.5% të emigranteve gjithsej gjatë 2011-2019 dhe shënuan një fluks dalës prej 6,4% të popullsisë. Tirana është rast i veçantë, ku 10,3% e të gjitha familjeve që kanë emigruar tërësisht ose 10,4% e popullsisë, janë larguar nga prefektura. Në të njëjtën kohë, përqindja e emigrantëve nga familje me emigrim të pjesshëm ishte tri herë më e ulët ne Tiranë. Edhe për dekadën e kaluar, flukset më të mëdha ishin drejt Greqisë, Italisë dhe Gjermanisë, ndërsa pjesa tjetër drejt vendeve të tjera.

Nga të 360 mijë personat që janë larguar nga vendi, shumica e tyre janë në moshë pune. 160 mijë persona ishin në grupmoshën 15-65 vjeç, ndërsa 12 mijë ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç. Për 183 mijë emigrantë të tjerë, mosha mbetet e panjohur, por shumica e tyre kanë qenë në moshë pune, duke parë trendin e përgjithshëm.

Nga personat që kanë emigruar vetëm dhe jo me familjet, emigracioni ka qenë më i përhapur te grupmosha 20-29 vjeç, pjesa më produktive e popullsisë së re në moshë.

Emigracioni i dekadës së fundit ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së mesme edhe nga ana e formimit arsimor. Sipas të dhënave të anketës, nga të larguarit, 54% e tyre kishin një diplomë të arsimit të mesëm, profesional ose të përgjithshëm, ose një diplomë të studimeve të larta. Gati 14% e emigrantëve gjatë periudhës 2011-2019 ishin me arsim të lartë.

Nga të dhënat shihet se personat që kanë emigruar vetëm dhe jo me familjet, 24,749 ishin me diploma në arsimin e lartë dhe doktoratura. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e emigrantëve në dhjetë vitet e fundit ishin të papunë. Nga personat që kanë ikur pa familjen shihet se 76% e tyre ishin të papunë, ose ishin të punësuar me kohë të pjesshme. Më shumë se 45% e të larguarve nuk kishin asnjë punë. Ndërkohë, 8% e të larguarve ishin nxënës dhe studentë, ndërsa emigrimi i pensionistëve përbënte vetëm 1.7% të totalit. Sipas anketës arsyet kryesore e largimit nga vendi ishin problemet financiare dhe kushtet e jetesës.

Elida Lazi