Prodhimet e bulmetit me shije franceze nga fabrika “Bonum”

-Transformimi i një pike modeste blegtorale në Tiranë nga mbështetja e AZHBR-së

Fabrika e përpunimit të qumështit “Bonum” është një tjetër shembull konkret i sipërmarrjes nga të rinj që kanë studiuar jashtë vendit dhe me mbështetjen financiare nga shteti, po zhvillojnë në Shqipëri një biznes të suksesshëm agroturizmi me cikël të mbyllur prodhimi, nga ferma në tavolinë sipas standardeve më të mira.

Qendra “Bonus” në Yrshek, 10 km larg Tiranës, përbëhet nga kompleksi blegtoral i mbarështimit të dhive alpine me 500 krerë të importuara nga Franca, qendra mjeljes së qumështit me mjete automatike, fabrika e prodhimit të një sërë nënproduktesh të bulmetit dhe pika e restorantit agroturistik ku shërbehen prodhimet e kësaj ferme.

Albi Avdiu, administrator i kompanisë na tregon se pas përfundimit të studimeve në Bullgari, bashkë me një grup investitorësh para 5 vitesh, ndërmorën iniciativën për të investuar në sektorin blegtoral dhe për të ngritur një kompleks model, që siguron prodhim cilësor dhe standarde evropiane të sigurisë ushqimore.

Jemi fokusuar në prodhimin e produkteve me origjinë qumështin e dhisë me metodë franceze, të cilat nuk ishin njohur më parë në tregun shqiptar. Kompania është mbështetur nga programi IPARD like me 70% financim të kredisë për blerjen e pajisjeve të mjeljes që është e një prej markave më të njohura në botë dhe garanton cilësi dhe siguri të lëndës së parë që është qumështi”, – thotë Avdiu.

Ai na tregon se përveç investimeve private kompania është mbështetur me financime nga Skemat Kombëtare me 360 mijë lekë të reja për 300 krerë dhi dhe në thirrjen e parë të programit IPARD II kemi përfituar financim për investimet infrastrukturore në fermë që sigurojnë standarde të mbarështimit të dhive.

Prodhimet e kompanisë tregtohen në rrjetet e dyqaneve bio në Tiranë, ndërsa “Sanmatiasi” është djathi tipik me shije franceze që prodhohet në “Bonum”. Ai është mjaft i kërkuar nga tregu vendas dhe sipërmarrësit po punojnë për të lidhur kontratat e para për eksportin e tij, por edhe të prodhimeve të tjera fillimisht në SHBA.

Avdiu na thotë se fokus i kompanisë është edhe punësimi i ekspertëve dhe thithja e brezit të ri. “Synojmë ta bëjmë bujqësinë atraktive dhe për të rinjtë thotë ai, ndërsa shton se kompania synon të zgjerojë kapacitet e investimin me restorantin agroturistik dhe të zgjerojë rrjetin e shitjeve të prodhimeve nga Bonum”.

Nderkohe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur tregje të reja për eksportet e produkteve të bulmetit “Made in Albania”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh pak dite me pare se “flukset në rritje të eksporteve bujqësore po shënojnë progres, jo vetëm në sektorin e futave-perimeve, por edhe në eksportin e disa produkteve blegtorale dhe agroindustrisë”.

Kemi hapur tregje të reja eksporti, në SHBA për djathrat, në Kinë për mjaltin, në Itali për vajin e ullirit dhe Arabi Saudite për eksportin e mishit të gjedhit”, – tha Çuçi.

Gjithashtu theksoi ministri Çuçi, një treg i ri po hapet edhe për eksportin e verës shqiptare në vendet e Bashkimit Europian.

“Sot kemi miratuar një certifikatë të re sipas BE-së për eksportin e verës “Made in Albania” në Evropë, ndërsa një sërë zhvillimesh të tjera po diskutohen në lidhje me kërkesën e shtuar të tregut të huaj për prodhimet shqiptare”, – tha ministri gjatë diskutimit të buxhetit 2021 për bujqësinë në Komisionin e Ekonomisë.

Lidhur me epërsinë e eksporteve bujqësore në vendet e Rajonit, Çuçi theksoi se, “kemi unifikuar certifikatën fitosanitare me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut. Jemi në negociata me Serbinë, për të pasur një certifikatë të përbashkët për eksportin e produktit bujqësor që lehtëson procedurat për shkëmbimet tregtare bujqësore”.

Në kuadër të Minishengenit këto nisma do të zgjerohen edhe me vende të tjera të Rajonit, duke nxitur e mbështetur më tej eksportet bujqësore shqiptare në tregjet e huaja, theksoi ministri.

Sipas tij, sektori i bujqësisë mbetet sektori më vital i ekonomisë shqiptare, që ndikon pozitivisht në rritjen e saj.

Rritja dyshifrore e eksporteve bujqësore shqiptare është dëshmi e politikave të drejta që ka ndjekur qeveria edhe në kushtet e pandemisë, duke bërë si asnjë herë më parë mbështetjen e duhur për fermerin, bujqësinë, agroindustrinë dhe sektorin rural në tërësi.

Etleva Xhajanka