Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, se gjatë vitit 2021 të gjitha zonat urbane do të kenë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë. Kjo do të thotë se 85.6% e popullsisë në vend do të ketë akses në ujë të pijshëm. Kryeministri garantoi qytetarët se nuk janë lënë pas dore, dhe se janë 128 kantierë të cilët aktualisht janë në punë, ndërsa do të hapen edhe 70 të tjerë, pavarësisht vështirësive që ka sjellë tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia.

Brenda pranverës së ardhshme do të hapen dhe 70 kantiere të tjera për të garantuar 24 orë furnizim me ujë të pijshëm. Ndërkohë vitin e ardhshëm do të jenë 55 zona të mëdha urbane të vendit, dhe në vitin 2022 edhe në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit që do tu garantohet ujë i pishëm 24 orë. Si ka mundësi që akoma flasim për ujë të pijshëm, kur bota po shkon në hënë? E vërtetë është kjo; që bota ka shkuar në hënë me kohë, por në sistemin tonë të ujësjellësve duhet të kemi parasysh që kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport me botën. Jo shumë të posaçme në raport me rajonin, për hir të së vërtetës, ku vihet re që rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet ‘60-’70-të”, tha Rama.

Sipa kryeministrit, furnizmi 24 orë me ujë të pijshëm është një nga 5 kolonat e përcaktuara në objektivat qeverisëse.

Nuk ka të bëjë thjesht me investimet, por edhe me konsolidimet financiare të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Ndërsa sa i përket kuadrit ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm, u shpreh Rama. Deri tani investimet janë 514 milionë euro, nga të cilat 202 milionë janë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesë tjetër janë invstime të huaja.

Në vitin 2021 pritet të alokohen 52 milionë euro dhe investime të huaja 46 milionë euro. Sa i përket ujësjellësve nga trashëgimia nuk janë vetëm rrjete të degraduara. Aktualist janë 23 zona urbane me 24 ujë furnizim me ujë. Deri në vitin 2021 furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, duke përfshirë që nga Laçi në Kavajë, që nga Fushë-Krujë në Berat e me radhë. Tirana është një histori në vete ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, nga 7 orë furnizim mesatarisht, sot vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë kryeqytetin. Sipas kryeministrit në rang vendi mesatarja e Shqipërisë ishte rreth 10 orë në ditë dhe do të arrijmë në 15 orë. Për më shumë, 7 vite më parë vetëm 59.1 përqind kishin akses në një burim uji të pijshëm përmes rrjetit, pra në shtëpi, dhe sot jemi në 75.8 përqind.

Në 2021 do të kemi 85.6 përqind të popullsisë me akses për ujë të pijshëm. Këto investime nuk janë thjesht mijëra mundësi punësimi dhe të ardhurash për dhjetëra mijëra njerëz që punojnë në këto kantiere, duke filluar nga rrugët tek shtëpitë që rindërtohen, por janë burime të reja ekonomie për të ardhmen e familjeve dhe për të ardhmen e vendit, për ekonominë familjare dhe për ekonominë kombëtare. Aktualisht Shqipëria ka 23 zona urbane me 24 orë furnizim me ujë, dhe deri në vitin 2021, sipas premtimit të kryeministrit Rama, furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë.

Sa i përket Tiranës ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm. Vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit dhe në nivelin kombëtar, furnizimi mesatar me ujë të pijshëm i Shqipërisë ishte rreth 10 orë në ditë. Momentalisht është në 15 orë në ditë dhe do të arrijmë në 18 orë për të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ndërkohë në një raport të fundit të Entit Rregullator të Ujsjellësit thuhet se nga rreth 57 shoqëri ujësjellës-kanalizime në vend të paktën 43 prej tyre nuk arrijnë të mbulojnë dot kostot e operimit dhe të menaxhimit. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka propozuar që në këto kushte të merren masa për vijimin e reformës së agregimit për të cilën është diskutuar edhe më herët.

“Për këtë kategori të shoqërive, në princip, qasja propozon agregimin e tyre “të detyruar” ku qeveria bëhet aksionere me investimet fizike që do të investojë në shoqëri, përndryshe nuk i kryen financimet për investime fizike dhe nuk akordon subvencionet për të mbuluar kostot e O&M”, thuhet në raportin e ERRU.

Lidhur me reformën tërësore që duhet të ketë sektori i ujit, Enti Rregullator i Ujit ka specifikuar tre elementë ku duhet të fokusohet vëmendja. Së pari të vazhdohet procesi i vlerësimit të treguesve të performancës (të arritjes së objektivave) për secilën shoqëri UK, si proces mjaft i rëndësishëm në përcaktimin e instrumenteve përkatës për shëndoshjen financiare të tyre; Së dyti në kontratat e reja të performancës Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) duhet të vlerësojë sesa janë treguesit e performancës, të dakortësojë me shoqëritë objektivat që duhen arritur prej saj në fund të vitit 2020: Së treti duhet të niset procesi i agregimit të shoqërive UK si avantazh i ekonomisë së shkallës sipas principit “në baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore” duke synuar që fillimisht të realizohen 2-3 agregime të suksesshme.

Seleksionimi i rasteve të mundshme me pritshmëri pozitive duhet të bazohet në një studim anketimi të të gjithë bashkive të vendit ku mund të zbatohet principi i mësipërm.

Sektori i shërbimeve të Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri funksionon kryesisht nëpërmjet operatorëve të organizuar si shoqëri aksionare me pronar pushtetin vendor. Aktualisht në sektor operojnë 57 operatorë, 53 prej tyre janë të pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit dhe 48 operojnë me tarifa të miratuara nga ERRU. Shërbimi me kanalizime nuk ofrohet nga të gjithë operatorët. Ky shërbim në sektor është ofruar nga 32 operatorë, 5 prej të cilëve kryejnë edhe trajtimin e ujërave të ndotura. ERRU konstaton se shoqëritë kanë vullnetin për të përmbushur dhe mbështetur përpjekjet e rregullatorit për krijimin e një mjedisi rregullator të qëndrueshëm dhe transparent në sektor.

Qeveria shqiptare hartoi dhe po zbaton Reformën administrative - territoriale, reformë e cila shënon një hap të rëndësishëm edhe në mënyrën e organizimit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura. Riorganizimi i këtyre shërbimeve sipas ndarjes së re territoriale në Republikën e Shqipërisë është i nevojshëm për të realizuar një situatë optimale në garantimin e furnizimit të vijueshëm me ujë të pijshëm dhe në përmirësimin e ndjeshëm të funksionimit të sistemit të kanalizimeve.

Sektori është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, ndonëse nivelet dhe ecuria e treguesve nuk është e duhura krahasuar me objektivat strategjikë për sektorin dhe ato të performancës së mirë të ERRU. Shqetësimi kryesor në sektor është niveli i lartë i humbjeve, tregues i cili nuk ka pasur një përmirësim të dukshëm. ERRU ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se reduktimi i humbjeve duhet të jetë prioritet i punës së operatorëve, edhe pse kontrolli dhe zvogëlimi i humbjeve kërkon kohë dhe investime.

Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë ka pasur tendencë pozitive por shërbimi i kanalizimeve vazhdon të mbetet prapa si për sa i përket mbulimit po ashtu edhe nivelit të kërkuar të shërbimit për të mundësuar mbrojtjen e ujërave dhe të mjedisit.

Burimet kryesore të financimit për shoqëritë, kanë qenë buxheti i shtetit dhe financimi nga donatorët e huaj në formën e huave apo granteve në raporte përafërsisht të barabarta. Këto investime janë fokusuar kryesisht në rehabilitimin e sistemeve të furnizimit ujësjellës kanalizime si edhe në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.

Elida Jazi