Në kohën e globalizimit, nëse duam ta përshkruajmë ekonominë kineze gjatë periudhës së planit të 13-të 5-vjeçar (2016-2020), mënyra më e saktë do të ishte duke e quajtur “rritja e shtyllës së ekonomisë botërore”. Gjatë periudhës së planit të 13-të 5-vjeçar, arritja më e madhe e Kinës nuk është shtimi i vëllimit ekonomik, por fakti që, në kushtet e luhatjes së madhe të ekonomisë globale, ekonomia kineze jo vetëm ka ruajtur ritmet e larta të rritjes ndër vendet e mëdha, por edhe është kthyer në një forcë kryesore për stabilizimin e ekonomisë botërore.

Posaçërisht gjatë krizës së epidemisë së COVID-19, Kina e ka vënë nën kontroll përhapjen e epidemisë, duke garantuar rifillimin e prodhimit dhe duke i ofruar botës materiale antiepidemike. Kjo ka shmangur krizën e mungesës së materialeve mjekësore dhe ka treguar rolin e Kinës si shtyllë bazë në ekonominë botërore.

Plani i 13-të 5-vjeçar, ekonomia kineze rritet ndërmjet sfidave të shumta

Gjatë pesë vjetëve të fundit, ekonomia kineze ka përballuar mjaft sfida, disa prej të cilave kanë qenë shumë serioze. Gjatë periudhës së planit të 13-të 5-vjeçar janë shtuar kostot e punës dhe tokës, "flluska" e aseteve është bërë një problem që nuk mund të zgjidhet me mjetet tradicionale ekonomike, plakja e popullsisë ka ardhur duke u shtuar, mosmarrëveshjet tregtare kanë qenë në rritje, është forcuar presioni nga “Lufta e Ftohtë e re ”, sistemi i tregtisë shumëpalëshe gjendet në prag të rrënimit... ... Përveç këtyre, në vitin e fundit të kësaj periudhe, shpërtheu pandemia e COVID-19, që është më e rënda në shekullin e fundit.

Në një mjedis kaq të ashpër, ekonomia kineze ka pasur një "listë" me arritje mbresëlënëse.

Në fund të periudhës së planit të 11-të 5-vjeçar (2010), GDP-ja e Kinës e kaloi atë të Japonisë. Në fund të periudhës të planit të 12-të 5-vjeçar (2015), GDP-ja e Kinës arriti mbi 68 trilionë juanë dhe në 2019-n, u rrit në mbi 99 trilionë juanë. Kështu, Kina, bashkë me ShBA-në, janë bërë dy ekonomitë e vetme në historinë e njerëzimit me GDP mbi 10 trilionë dollarë amerikanë.

Sektori i prodhimit është baza e ekonomisë moderne. Qysh nga krijimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, i është kushtuar rëndësi e madhe zhvillimit të sektorit të prodhimit. Në periudhën e planit të 11-të 5-vjeçar (2006-2010), Kina e kaloi ShBA-në, duke u bërë vendi më i madh prodhues. Gjatë periudhave të planit të 12-të dhe 13-të 5-vjeçar, Kina e ka konsoliduar statusin e saj si prodhuesja numër një e botës. Niveli i prodhimit të produkteve kryesore industriale është rritur më tej dhe struktura e produkteve është përmirësuar vazhdimisht.

Nga 2015-a deri vjet, prodhimi i materialeve prej çeliku është rritur nga 10 miliardë tonë në mbi 12 miliardë tonë, i automjeteve nga mbi 24.5 milionë në 25.5 milionë njësi, i qarqeve të integruara nga 108.7 miliardë në 201.8 miliardë copë dhe i energjisë elektrike nga mbi 5.8 trilionë kilovatë në mbi 7.25 trilionë kilovatë.

Ishte dikur ShBA-ja që kryesonte në tërë botën me prodhimin e vet të fuqishëm, që ishte i përqendruar te çeliku dhe automjetet. Ndërsa tani, këta dy sektorë kryesorë të ekonomisë së Kinës, qoftë nga niveli i prodhimit, ashtu edhe i shitjeve, kanë një vëllim disa herë, madje edhe dhjetë herë më të madh, se ata të ShBA-së.

Krahas kësaj, Kina ka pasur përparime të dukshme edhe në teknologjinë e informacionit. Industria elektronike e Kinës ka nisur në vitin 1950, afro 50 vjet më vonë se në vendet e zhvilluara. Ndërsa tani, prodhimi i pajisjeve elektronike, si kompjuterat dhe pajisjet e telekomunikacionit, zë një pozicion kryesor në ekonominë kombëtare të Kinës.

Në tregun global, gjatë periudhës së planit të 13-të 5-vjeçar, sektori i teknologjisë së lartë i Kinës ka zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe. Tani, në tregun botëror të pajisjeve të telekomunikacionit, "Huawei" zë 36 %, "Ericsson" 20 %, "Nokia" 18 % dhe ZTE 12 %. Më e dukshmja është që Kina ka pasur një mega-arritje në telekomunikacionin e lëvizshëm. Lidhur me teknologjinë 1G, Kina ka qenë gjashtë vjet më vonë se vendi i parë i botës, për 2G-në tre vjet, ndërsa për 3G-në dhe 4G-në, përkatësisht gjashtë dhe tre vjet më vonë. Tani, për teknologjinë 5G, Kina është e para në botë.

Me forcimin e vet ekonomik, Kina po luan një rol gjithnjë e më të madh në zhvillimin e ekonomisë botërore dhe stabilitetin shoqëror. Mund të shohim se, që nga kriza globale e borxheve në vitet '80 të shekullit të kaluar, kriza financiare e Azisë Lindore e vitit 1997, kriza financiare e 2008-s e deri në krizën e COVID-19, çdo herë kur ka pasur kriza botërore, Kina ka mundur të ngjitet në një nivel më të lartë në arenën ndërkombëtare, duke dhënë kontribut më të madh për stabilizimin e ekonomisë botërore.

Gjatë krizës financiare të Azisë Lindore të viteve 1997-1998, Kina u bë stabilizuese për ekonominë e Azisë Lindore, kurse në krizën globale financiare të vitit 2008, u bë stabilizuese e ekonomisë botërore. Gjatë periudhës së planit të 13-të 5-vjeçar, ekonomia kineze është forcuar më tej dhe jo vetëm ka bërë që edhe ekonomia botërore të ruajë njëfarë rritjeje, por edhe ka luajtur rolin si shtyllë kryesore në një kohë kur e gjithë bota u godit nga koronavirusi i ri.

Me elasticitetin e fortë ekonomik, Kina ka pasur sukses në luftën antiepidemike dhe ekonomia botërore nuk ka ngecur në vend përpara një fatkeqësie kaq të rëndë. Me rifillimin e shpejtë të “fabrikës së botës”, Kina ka furnizuar mbi gjysmën e maskave mbrojtëse në botë dhe vendet e botës nuk pësuan ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit. Kjo ka shmangur një gjendje kaotike në tregun ndërkombëtar.

Në një kohë kur e gjithë bota është goditur rëndë nga epidemia, Kina ka pasur arritje në mëkëmbjen ekonomike dhe parashikohet se do të jetë vendi i madh i vetëm që shënon rritje ekonomike. Kjo është një mbyllje e mbarë e planit të 13-të 5-vjeçar dhe një nisje e mirë për planin e 14-të 5-vjeçar. (Jiang Lei)