Në një vrojtim të fundit të Bankës së Shqipërisë thuhet se Pandemia Covid-19 ka goditur rëndë tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës efektet e rënies do të vazhdojnë të ndihen për dy vitet e ardhëshme.

Vrojtimi është kryer në 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, që përfaqësojnë rreth 75%-80% të popullatës së përgjithshme. Duke iu referuar subjekteve të intervistuara, situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishte ndjeshëm më pesimiste në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm. Balanca neto e përgjigjeve rezultoi -54%, duke treguar që numri i agjentëve që mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit është më i madh se numri i atyre që mendojnë të kundërtën.

Vlera e balancës neto është vlera më e madhe negative e regjistruar që nga viti i parë i kryerjes së vrojtimit, ndërkohë që vlera mesatare e balancës neto është rreth -20%.

Në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, përgjigjet sipas zonave kanë balanca me vlera më negative për zonën e bregdetit (-70%) dhe zonat e tjera (-62%), ndërkohë që për zonën e Tiranës balanca e përgjigjeve për situatën e përgjithshme ishte -42%. Numri i subjekteve që kanë kryer shitje (72 subjekte) ishte më i ulët se ai i raportuar në gjashtëmujorin e kaluar dhe numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte rreth 37% më i ulët.

Ndryshe nga gjashtëmujorët e kaluar, i njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje gjatë periudhës, paraqet një vlerësim shumë të ngjashëm me vlerësimin e të gjithë kampionit; balanca neto e përgjigjeve mbi situatën e përgjithshme nga ana e subjekteve që kanë raportuar shitje është -44%, ndërkohë që gjatë 3 viteve të mëparshme kjo balancë ka shënuar vazhdimisht vlera pozitive dhe relativisht të larta.

Ky vlerësim pasqyron pasigurinë nga situata e krijuar nga COVID-19 dhe nga pasojat e tërmetit të fundit të muajit nëntor 2019. Numri total i pronave të shitura ishte 825 nga 1301 një gjashtëmujor më parë dhe numri mesatar i pronave të shitura për subjekt ra nga 7 në 5.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë rreth 10.6 muaj dhe shënoi një rritje të lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.4 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e bregdetit dhe për zonat e tjera, koha mesatare e raportuar e shitjes ishte përkatësisht 10.7 dhe 11.4 muaj, dhe në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar shënoi rritje të lehtë.

Agjentët raportojnë kërkesë në rritje për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare. Në linjë me rritjen e kërkesës, agjentët raportojnë rritje të çmimeve të qirasë. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

Ndërkohë çmimet e banesave edhe në këtë kohë pandemie janë rritur. Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sipas BSH është shënuar një rritje me 4.9% në rang kombëtar. Në vecanti për tregun kryesor, Tiranën, çmimet u rritën më shumë se mesatarja kombëtare, me 6.5%. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit.

Përsa i takon transaksioneve, agjentët dhe firmat e ndërtimit janë përgjigjur se vëllimet e shitjve kanë rënë lehtë në rang vendi, por janë rritur në zonat qëndrore dhe jashtë qytetit të Tiranës. Paralelisht agjentët raportojnë numër të ulët banesash të reja të regjisdtruara në librat e tyre. Numri i pronave të pashitura, si për banesat ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtë mujorë radhazi. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohe të jetë mesatarisht 10.3 muaj dhe shënoi një rritje të lehtë ndaj gjashtë mujorit të kaluar.

Për Tiranën subjekte e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.4 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjatë mujrin e kaluar. Sipas agjentëve, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rënie në krahasim me vlerën prej 65% të raportuar në periudhën paraardhëse

- Për gjashtëmujorin e ardhshëm, pavarësisht se balanca për ecurinë e pritur të çmimeve ka vlerë të vogël pozitive, agjentët presin rënie të numrit të pronave të regjistruara për shitje.

- Agjentët kanë pritje pesimiste për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë dukshëm më optimistë për ecurinë e tregut në të gjithë territorin në periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).

Elida Lazi