Viti i veshtirë 2020 me pandeminë Covid 19 mbi supe ka rënduar kudo ekonominë. Mjaft sektorë sivjet ishin në kufijtë e mbijetesës, pasi disa specifika te tyre ua ngushtonin hapësirën për të mbajtur qendrueshmëri në treg. Ndër bizneset në sfidë ka qenë dhe mbetet turizmi, i cili në Shqipëri ka më shumë orientim bregdetin dhe kurbën më të lartë e ka në verë. Të ardhurat nga turizmi shënuan vlerën 91 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit 2020. Shifra mbetet modeste.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit, bilanci i udhëtimeve që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, shënoi vlerë pozitive, ndonëse në rënie krahasur me një vit më parë, për shkak të situatës Covid-19.

Referuar statistikave, të huajt shpenzuan në vendin tonë 63 milionë euro në tremujorin e dytë, ose 87%, më pak se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar dhe shqiptarët, në udhëtimet e tyre jashtë shpenzuan 65 milionë euro, ose 85% më pak se në 2019.

Referuar të dhënave të INSTAT, numri i shqiptarëve që dolën nga vendit në gjashtëmujorin e parë 2020, është 1.380.308, duke rënë 48,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2020 është 781.894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në vitin 2019, bilanci i udhëtimeve arriti vlerën 500 milionë euro, të huajt shpenzuan rreth 2 miliardë euro në udhëtimet në Shqipëri, ndërsa shqiptarët harxhuan jashtë rreth 1.5 miliardë euro.

Për shkak të pandemisë covid-19, viti 2020 konsiderohet një vit i vështirë në të gjitha drejtimet por ndkimi më i madh u ndje në sektorin e turizmit dhe shërbime.

Për ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, “Ky vit nuk do të ishte viti i turistëve të shumtë të huaj, por do të ishte vit i turizmit patriotik për Shqipërinë. Pasi ishim i vetmi shtet që hapi kufijtë më 1 qershor edhe që gjatë gjithë 3 muajve të verës dhe në muajin shtator kryeksisht por edhe në tetor, po ashtu nuk patëm asnjë cedim në mikpritjen e turistëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi”.

Klosi shprehet se megjithëse një vit i vështirë për turizmin nga situata e krijuar nga pandemia, për herë të parë Shqipëria pati gjatë vitit 2020, një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Bosnja, vendet e rajonit, Polonia dhe Ukraina.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, vetëm në shtator të këtij viti u shënua 70% e numrit të vizitorëve dhe të turistëve që ishin në vitit 2019.

Turizmi, në vizionin e qeverisë, shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura për qytetarët shqiptarë.

Qeveria vendosi përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10 vjeçare si dhe uli taksa e ndikimit në infrastrukturë e hoteleve me 4 dhe 5 yje që kanë status special.

Kështu është ulur në 6% nga 20% që ishte TVSH-në për shërbimet e akomodimit dhe ushqimit brenda strukturave në sipërmarrjet në turizëm dhe agroturizëm.

Gjithashtu është ulur nga 15% në 5% tatimin mbi fitimin për sektorin e agroturizmit.

Ekspertët e fushës shprehen se, për investitorët e huaj, Shqipëria është një treg atraktiv në rritje, me strukturë të qëndrueshme ekonomike, politike dhe juridike, si dhe me kuadër ekonomik të liberalizuar dhe kushte të përshtatshme për të bërë biznes.

Sipas tyre një element i rëndësishëm me impak në turizëm janë edhe investimet në infrastrukturë që sjellin rritje të mëtejshme në ekonominë turistike.

Investimet në infrastrukturë, krijimi i aksesit, vazhdimi dhe përfundimi i investimit në Rrugën e Kombit, Rrugën e Arbrit dhe vazhdimi i investimeve sa i përket byppas-it të Fierit dhe të Vlorës dhe vazhdimi i rritjes së standardeve në cilësinë e rrugës, konsiderohen me impakt pozitiv në industrinë e turizmit.

Për ministrin Klosi, Shqipëria shumë shpejt falë këtyre investimeve në infrastrukturë, do të jetë arsyeja e qenësishme që ne të kuptojmë fare qartë që me kapacitetet akomoduese jemi shumë mbrapa.

Sipas tij, kjo histori e biznesit të turizmit është si çdo biznes tjetër. Sa më shumë të investosh, sa më shumë të punosh për të, aq më mirë do të kesh të ardhura dhe aq më shumë do të zhvillohet ekonomia.

Etleva Xhajanka