Pas tetë vjet bisedimesh, Kina dhe 14 vende si Japonia, Zelandën e Re, Mianmari etj. nënshkruan zyrtarisht të dielën një nga marrëveshjet më të mëdha rajonale të tregtisë së lirë në botë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) është "një fitore e multilateralizmit dhe e tregtisë së lirë," u shpreh kryeministri kinez Li Keqiang.

Sipas të dhënave, këto vende kanë një popullsi prej 2.3 miliardë banorësh, duke zënë 30% të popullsisë globale. PBB-ja e përgjithshme e 15 vendeve të RCEP-it i kalon 25 trilionë dollarët amerikanë. Kjo do të jetë marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë për sa i përket PBB-së, më e madhe se Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP), Bashkimi Evropian dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ShBA-Meksikë-Kanada, sipas Rajiv Biswas, kryekonomist për rajonin e Azi-Paqësorit i kompanisë së informacionit global “IHS Markit”.

Për shkak të pandemisë, nënshkrimi i marrëveshjes së të dielës ishte i pazakontë, me ceremoni të veçanta të mbajtura në secilin nga 15 vendet anëtare të gjitha përmes lidhjes me video.

Përveç 10 vendeve të ASEAN-it, marrëveshja përfshin Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Marrëveshja përcjell një sinjal të fortë që vendet e RCEP-it kanë zgjedhur të hapin tregjet në vend që të përdorin masa proteksioniste gjatë kësaj kohe të vështirë.

He Weiwen, një ish zyrtar kinez i Ministrisë së Tregtisë dhe ekspert i shquar i politikës tregtare, tha se pakti i së dielës është simbol i një hapi të madh drejt së ardhmes.

"Falë madhësisë së RCEP-it, sigurisht që kjo marrëveshje do të kontribuojë në tregtinë e lirë botërore," tha ai.

Ky është një lajm i mirë për Kinën dhe rajonin e gjerë. Pekini ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin dhe arritjen e një marrëveshjeje dhe e ka mbajtur atë të gjallë pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur.

Kjo qartëson disa realitete: qasja e Kinës ndaj rajonit nuk është klisheja "agresion" siç keqinterpretohet nga media perëndimore, por një diplomaci e mirëmenduar. Për më tepër, ajo që Perëndimi duhet të kuptojë është se Kina është integrale dhe thelbësore për ekonominë rajonale dhe botërore dhe se ky pakt tregtar është një pohim i kësaj. Ide të tilla si e ashtuquajtura "shkëputje" nga Kina janë të pakuptimta dhe RCEP dëshmon se kombet që ndjekin të tilla rrugë ka të ngjarë të përfundojnë në pjesën e jashtme të gravitetit ekonomik të botës.

Diplomaci racionale, jo konfrontim

Media perëndimore dhe qeveritë e tyre e keqinterpretojnë vazhdimisht Kinën dhe veprimet e saj në botë. Ata shpesh i karikaturojnë përgjigjet e Pekinit ndaj botës si joracionale, kërcënuese dhe të pamatura. Ne dëgjojmë fjalime çorientuese të tilla si "diplomacia e luftëtarit ujk" dhe një supozim se veprimet e Kinës janë gjithmonë "të dobëta" kur nuk përputhen me perspektivat ose interesat e Perëndimit. Prandaj, pretendohet që Kina nuk është e aftë për një diplomaci racionale dhe pragmatike. Atmosfera e një konfrontimi të shumës zero kundër Pekinit e shtyrë nga administrata e Trump-it e përkeqësoi këtë perceptim.

Sidoqoftë, në realitet, Kina vë një theks më të madh te diplomacia dhe dialogu sesa konfrontimi. Nënshkrimi me sukses i RCEP-it dhe shtimi i marrëveshjeve të tjera tregtare janë një dëshmi e kësaj.

Ndërsa administrata e Trump-it ka armatosur tarifat dhe unilateralizmin për të siguruar përfitime preferenciale tregtare për vete, Kina është angazhuar në heshtje në një përpjekje të fuqishme diplomatike për të siguruar një tregti të lirë shumëpalëshe dhe rolin e saj brenda saj. Për më tepër, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë amplifikuar politikat konfrontuese kundër Kinës dhe mbështesin retorikën e "shkëputjes", Kina ka shmangur kundërpërgjigjen agresive dhe rënien në paradigmën e Luftës së Ftohtë. Në vend të reagimit, Kina ka shpeshtuar angazhimin e saj diplomatik dhe ekonomik me vendet e tjera.

E ardhmja e përbashkët

RCEP-i është një hap i madh përpara për integrimin ekonomik në Azi.

Megjithëse më e madhja dhe më e rëndësishmja, ajo është një nga shumë marrëveshjet tregtare që Kina ka negociuar gjatë mandatit të administratës Trump, duke përfshirë një me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (Rusi, Bjellorusi, Kazakistan, Armeni, Kirgistan), Kamboxhia, si dhe përditësimet në marrëveshjet me Zelandën e Re, Pakistanin, Singaporin dhe një marrëveshje të treguesve gjeografikë me BE-në.

Në nivel diplomatik, këto marrëveshje kanë rëndësi sepse ato mbështesin normat e tregtisë shumëpalëshe, por më e rëndësishmja, zbehin përpjekjet amerikane për ta shkëputur Kinën nga ekonomia globale.

Kina në fakt i është përgjigjur sfidës amerikane, jo përmes konfrontimit siç e paraqesin mediat, por përmes thellimit të integrimit të saj me të tjerët dhe zbulimit të së ardhmes së saj tregtare.

RCEP-i përfshin aleatë të shumtë të ShBA-së; dakordësia e tyre për marrëveshjen është një pohim se Kina do të mbetet një partnere e brendshme ekonomike për ta dhe se rajoni në fund të fundit do të punojë dhe bashkëpunojë së bashku.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë predikon "shkëputjen", RCEP është në fakt "bashkimi" i një zone gjeografike në një bllok ekonomik, që do të thotë se nuk është një lojë e shumës zero. Sidoqoftë, politikat e Trump-it siguruar që Amerika të qëndrojë jashtë dy blloqeve kryesore tregtare në Azi (RCEP dhe TPP).

Në këtë rast, kritikët duhet të pyesin, kush e ka izoluar vërtet veten në fund të fundit? Dhe kush ka humbur me të vërtetë në tregti? Historia po dëshmon që diplomacia dhe multilateralizmi do të triumfojë mbi konfrontimin dhe politikën e Luftës së Ftohtë.