Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim projekt-buxhetin për vitin 2021, me 87 vota pro, 9 kundër dhe dy abstenime. Të dhënat e projekt-buxhetit për disa zëra do të jenë pozitive, në veçanti për punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë. Në arsim parashikohen të shpenzohen rreth 64.2 miliardë lekë ose rreth 3.8% e PBB, rreth 20 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013. Shëndetësia, e cila në vitin 2021 do të përfitojë rreth 60.7 miliardë lekë ose 3.6% të PBB, përbën qoftë në terma nominalë ashtu edhe relativë, buxhetin më të madh të 30 viteve të fundit për këtë sektor. Në një nga pikat e buxhetit thuhet se, në janar të 2021 do të vihen në zbatim ligji për rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe mësuesit e sistemit parauniversitar, për të cilët është përcaktuar një fond më shumë se 8 mld lekë. Duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm , mjekët dhe infermierët do të marrin rrogë 40% më të lartë, ndërsa mësuesit do kenë 15% rritje page. Sektori i Bujqësisë i cili në 2013 merrte rreth 5.86 miliardë lekë ndërkohë që në vitin 2021 do të përfitojë rreth 13 miliardë lekë, pra më shumë se dyfishi. Për rindërtimin, në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019. Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020

Në buxhet parashikohet gjithashtu indeksim i pensioneve me 2.5% duke filluar nga muaji prill dhe po në të njëjtat ritme do vijojë për dy vite të tjera. Në vitin 2021 fondi i kontigjencës, që tregon rritje të pensioneve në bazë të shpenzimeve të pensionistëve, pritet të kapë vlerën e 2.500 milionë lekëve. “Për vitin 2021 janë përcaktuar për skemën e pensioneve 2.4 miliardë lekë, ku do të ketë indeksim të pensioneve përgjatë vitit. Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5% në vit, duke filluar në periudhën 01.04 i çdo viti”, thuhet në buxhet.

Duke i’u referuar burimeve të brendshme ,pritet që vitin e ardhshëm të ketë rritje pagash edhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve. Diferenca e pagës së këtyre të fundit me atë të Policisë së Shtetit është vënë disa herë në diskutim. Lidhur me buxhetin e vitit 2021, rezulton se në buxhetin e parashikuar janë adresuar gjithë detyrimet e Ligjit të ri "Për policinë e burgjeve", i cili parashikon rritje pagash për gradë të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe shtesa të vjetërsisë në punë që i fillon efektet nga 1 janari 2021. Shuma që do alokohet do të jetë 186 milionë lekë.

Gjatë fjalës në parlament, Ministrja e Financave Anila Denaj u shpreh se cdo vendim i marrë përmes këtij projekt-buxheti ka si qëllim rikuperimin ekonomik pas krizës që shkaktoi pandemia. Denaj garantoi se në vitin që vjen do të kemi një rritje ekonomike me 5.5%, nëse vendi nuk do të pësojë një mbyllje të dytë. Sipas saj, nëse të gjithë zërat dhe aktorët ekonomikë do të bashkëpunojnë ekonomia do t’ia dalë të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga goditjet e njëpasnjëshme nga fatkeqësitë natyrore.

“Kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”. Kjo në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. Në këtë kontekst, ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1% por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin ne vijim. Presim një rritje prej 5.5% duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme përtej situatës së pandemisë”, –u shpreh Denaj.

Sipas Denajt, rritja e pagave, integrimi i të rinjve në punë dhe rritja e investimeve do të sjellin një rezultat të mirë të rritjes së të ardhurave, që rrjedhimisht do të ndikojnë në rritjen ekonomike. Sigurisht, sipas saj, kjo do të arrihet nëse do të eliminojmë informalitetin në ekonomi dhe do të rregullojmë sistemin fiskal.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar projekt-buxhetin si një përgjigjie të duhur ndaj pandemisë si dhe një ndihmë më të madhe për rindërtimin apo rimëkëmbjen ekonomike.

“Buxheti që kalon sot është kuptimplotë, është buxheti i një force politike që nuk i ka bërë bishtë përballjes me dy kriza të njëpasnjëshme që mori ekonomia shqiptare si tërmeti 26 Nëntorit dhe pandemia COVID-19, duke projektuar rimëkëmbje përmes lehtësive fiskale, investimeve dhe rindërtimit. Janë dy kriza kuqytetarët do të dalin më të fortë”, theksoi Rama.

Ndërkohë për opozitën Buxheti i viti 2021 është një mashtrim elektoral. Duke folur për mediat nga selia e PD-së, ish deputetja Jorida Tabaku u shpreh se ky buxhet ka në bazë mashtrimin dhe vjedhjen e qytetarëve, ndërsa shtoi se lajmi i mirë është se ky është buxheti i fundit i qeverisë Rama.

“Gënjeshtra e paskrupullt se bizneset e vogla do të shpëtojnë nga taksat ndërkohë që u ngarkohet barra e pagesës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për pagën më të lartë minimale pohohet në buxhet nga vetë qeveria hipokrite e Edi Ramës. Buxheti i shtetit ka të ardhura në rritje prej 25 mln eurosh që vijnë vetëm nga bizneset e vogla dhe nga të vetëpunësuarit. Njëkohësisht bizneset e vogla do të kenë koston shtesë prej 2000 euro për të vendosur në punë projektin e fiskalizimit. Një projekt korruptiv që merr nga taksat e shqiptarëve 15 mln euro. Qeveria që pretendon se do të rindërtojë vendin deri më tani ka dështuar që të mbajë fjalët e saj me buxhetin 2020 dhe me procesin e rindërtimit. Por e vërteta është se mbi 40% e prodhimit kombëtar janë kostot totale të PPP-ve që qeveria aktuale ka dhënë deri më sot”,u shpreh Tabaku.

Sipas Tabakut, të vetmit të kënaqur nga ky buxhet janë ata që marrin tendera dhe ata që fshihen pas skemave kriminale të PPP-ve. Prandaj shtoi ajo, Shqipëria në prill 2021 do të votojë për të treguar se beson jo vetëm tek taksa e sheshtë, por beson tek një vizion ekonomik që ka për qëllim mirëqenien e qytetarëve, rritjen e konsumit, hapjen e vendeve të reja të punës, tek një Shqipëri e cila punon ndershëm dhe taksohet ndershëm, për mundësi ku të gjithë ata e kanë bazuar jetën e tyre në punë, e për të gjithë ata që e kanë bazuar jetën e tyre në investim.

Elida Lazi