Marsel Bejko është një nga shembujt e punës në vend, që ka ngritur prej 10 vitesh kantinën “Bejko”, ku prodhon verë me rrush autokton si “Debina e Bardhë”, “Sheshi i Bardhë” dhe “Kallmeti”.

Kjo kantinë, është përfituese dy herë e mbështetjes nga qeveria, prej vitit 2018 nga Skema Kombëtare dhe tani edhe përfituese e skemës së IPARD.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), bën të ditur se me fonde nga programi IPARD ka mbështetur këtë biznes për të rritur kapacitetin e prodhimit, numrin e punonjësve dhe cilësinë e produktit.

Marseli na tregon se ky është një biznes familjar që operon në tregun e prodhimit të verës prej 10 vitesh.

"Kryesisht ne prodhojmë verë me rrush të varieteteve autoktone por kryesojmë me verën Debina e bardhë, që i kemi kushtuar edhe më shumë vëmendje. Ndërsa për kategorinë e verës së kuqe kemi verën e varietetit Merlot "- thotë ai.

Ndërsa thekson se mbështetja financiare i ka shërbyer atij, të rrisi investimet në teknologji dhe pajisje për rritjen e prodhimit sipas standardeve më të mira, Bejko shton:

"Vitet e fundit kemi përfituar dy herë mbështetje financiare nga qeveria shqiptare nga Skema Kombëtare dhe programi IPARD. Nga Skema Kombëtare në 2018 kam përfituar mbi 14 milionë e 400 mijë lekë për pajisje dhe depozitat e verës dhe në 2019 kam përfituar nga Skema e IPARD-it" .

Ai tregon se ka përfituar makineri shtrydhëse të rrushit, linjën e mbushjes, të etiketimit duke siguruar kështu zinxhirin e prodhimit sipas modeleve bashkëkohore me cilësi dhe standarde.

Marsel Bejko ka nënshkruar kontratën si fitues në Programin IPARD me vlerën 170 milionë lekë për blerjen e pajisjeve dhe makinerive teknologjike për kompletimin e kantinës.

Ai u bën thirrje fermerëve të tjerë, të aplikojnë në skemat e mbështetjes, sepse rrisin kapacitetet e prodhimit dhe cilësinë e produkteve, duke e bërë biznesin e tyre më shumë fitimprurës, duke siguruar më shumë të ardhuara për ekonominë familjare.

Mesatarisht në vit kantina "Bejko" prodhon rreth 100 mijë litra verë, në bashkëpunim me 40 fermerë të zonës, të cilëve iu blen rrushin për të prodhuar verën, që shitet kryesisht në tregun shqiptar.

Kantina “Bejko” ndodhet buzë rrugës nacionale, në fshatin Piskovë, në Përmet. Në mes të vreshtave të njohura të Piskovës, konstruktuar në vazhdimësi të kantinave tradicionale, ofron prodhime tipike me cilësi. Pas një aktiviteti shumëvjeçar Bejko është konsoliduar në rrjetin tregtar në të gjithë vendin nëpërmjet cilësisë dhe sasisë së prodhimit. Përpunimi i rrushit, prodhimi i verës dhe ruajtja në kantinë bëhet në kushte natyrale. Varietetet e rrushit që përpunohen janë të grumbulluara në rrethin e Përmetit

Qeveria shqiptare vitet e fundit po adreson politika mbështetëse për sektorin e vreshtarisë dhe prodhimin e verës. Përmes përmirësimeve ligjore parashikon mbështetjen e industrisë së prodhimit të verës në vend, duke vendosur kritereve dhe rregulla të reja që minimizojnë abuzimet në këtë sektor.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, ka përgatitur një projektligj “Për Vreshtarinë dhe Verën”, i cili synon të qartësojë rregullat për prodhimin, për praktikat enologjike të autorizuara e kufizimet që zbatohen për prodhimin e përgatitjen për treg si dhe për emërtimin e origjinës, të treguesve gjeografikë dhe për termat tradicionale të rrushit, verës dhe produkteve të tjera. Ndërhyrjet në legjislacion synojnë nxitjen e konkurrencës së ndershme dhe zhvillimin e kësaj industrie sipas standardeve.

Projektligji i ri “Për Vreshtarinë dhe Verën”, ka si qëllim formalizimin e këtij sektori sipas standardeve të BE-së përmes krijimit të regjistrit të vreshtarisë, kontrollit të prodhimit, etiketimin, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, propozohet vendosja e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar; mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës; nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar, ndërkohë, masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës. Projektligji parashikon gjithashtu krijimin dhe rifreskimin e kadastrës së vreshtave, ndërkohë që saktëson varietet që mund të kultivohen.

Sa i takon tregtimit të verës, projektligji sanksionon se “kjo bëhet vetëm për produktet e rrushit për verë të përftuara nga varietete rrushi që prodhohen në parcela vreshti të ndodhura në Republikën e Shqipërisë që janë të regjistruara në regjistrin e vreshtarisë, dhe të etiketuara në përputhje me këtë ligj mund të tregtohen”.

Industria e verës, përfshirë prodhimin vendas dhe importin vlerësohet të ketë një volum tregtar prej rreth 2 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro në vit.