Kontratat koncesionare të miratuara nga qeveria, vec debatit politik që kanë sjellë me opoziten, e cila akuzon qeverinë për abuzime, shihen me shqetësim edhe nga Banka e Shqipërisë. Duke shprehur opinion e saj në komisionin e ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2021, zëvëndësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi u shpreh se:

Banka i sugjeron vlersimin e mundshëm të përfshirjes qeverisë të një kufi të sipërm të përgjithshëm lidhur me vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit. Projektet e PPP-ve duhet të shikohen në mënyrë individuale secila prej tyre për të parë shkallën endikimit në rritjen ekonomike dhe në borxhin publik”.

Minxhozi, theksoi se projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize që mundëson vendosjen e prioriteteve lidhur me investimet publike. Ndërkohë përdorimi masiv i kontratave të partneritetit publik-privat për financimin e investimeve të reja ka sjellë rritje të shpejtë të shpenzimeve buxhetore për pagesën e tyre dhe për vitin e ardhshëm. Kjo faturë parashikohet të arrijë në rreth 2.5% të shpenzimeve buxhetore totale.

Në opinion e saj për projektbuxhetin, Banka e Shqipërisë e ka vlerësuar si të arsyeshëm projeksionin optimist të qeverisë për rritje të të ardhurave buxhetore me 11%. Megjithatë, duke parë rreziqet e larta ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia, banka ka kërkuar rritje të kontigjencës në buxhet ose identifikim paraprak të shpenzimeve jo-prioritare.

Projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit. Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave. Në këtë drejtim, ne sugjerojmë se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave,” tha zv.guvernatorja Minxhozi.

Projektbuxheti 2021 bazohet në premisën e një rikuperimi gradual të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm dhe projekton një deficit rreth nivelit 6.5% të PBB-së. Ky deficit pasqyron projektimin e një niveli relativisht të lartë investimesh publike, të parashikuara të arrijnë në nivelin 7.2% të PBB-së. Banka e Shqipërisë shprehet në favor të mbajtjes së shpenzimeve të larta publike për vitin e ardhshëm, si një stimul i domosdoshëm për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë. Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik.

Reduktimi i borxhit publik, theksoi zvguvernatorja, Minxhozi, duhet të jetë një objektiv primar i politikës tonë fiskale, si një instrument për uljen e kostove të financimit të sektorit publik dhe privat si dhe si një instrument garancie mbi ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të ardhshme. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë, përshëndet përfshirjen në Ligjin e Buxhetit të detyrimit për të krijuar suficite primare duke filluar nga viti 2023. Kjo është një masë e nevojshme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike në afatin e gjatë. Konsolidimi i politikës fiskale duhet të fillojë në momentin më të parë të përshtatshëm që mundëson kristalizimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe ecuria e primeve të rrezikut në tregjet financiare.

Ndërkohëe dhe institucionet finaciare ndërkombëtare i kanë kërkuar qeverisë të bëjë kujdes me PPP. Në raportin e fundit për ekonominë shqiptare, FMN e vuri theksin tek menaxhimi i koncesioneve, duke i cilësuar si një nga risqet e kryesore të krizës ekonomike. Fondi tregon se monitorimi i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm, por duhet të thellohet më tej, ndërsa ka kërkuar shmangien e kontrantave të shumta koncesionare. FMN i kujtoi Ministrisë së Financave se duhet të rishikojë detyrimet që ato krijojnë të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në buxhet dhe rritje të stokut. Sipas raportit, përdorimi i PPP-ve me propozim të pa kërkuar duhet të vazhdoj të parandalohet.

Gjithashtu nevojitet një përpjekje e fortë për të vlersuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikim I drejtëpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Në raportin e FMN Ligji për PPP-të me të drejtë ka fuqizuar rolin e filtrit që luan Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila duhet të rrisë kapacitetet për të përmbushur këtë detyrë të rëndësishme.

Ndërkohë në rast të një përkeqësimi të situatës ekonominë nga Covid, banka thotë se do të vijojë me politikat e saj, për të nxitur kreditimin me kosto sa më të lirë.

Kjo është një krizë e cuditshme që ne I themi punëtorit mos puno dhe prodhuesit mos prodho. Por në qoftë se këto dy “mos” do të theksohen në të ardhmen, atëherë ne do të përpiqemi të kalojmë në masa të tjera jo konvecionale, por gjithmon në qoftë se do të na duhet të ecim në këtë territor, do të jemi në konsultim shumë të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar”, tha Minxhozi

Banka tërheq vëmendjen se borxhi publik është i lartë ndaj duhet të jetë objektiv i qeverisë reduktimi i këtij treguesi.

Elida Lazi