Nga 1990-a deri në 2020-n, sivjet është 30-vjetori i krijimit të Zonës së Re Pudong të Shangait. Nga një "foshnjë e vogël" në fillim të hapjes, në një "burrë të fortë" me nivel të lartë hapjeje, investimet e huaja kanë qenë si një "mik i ngushtë" që ka shoqëruar rritjen e Zonës së Re Pudong.
Gjatë 30 vjetëve, mbi 30 mijë ndërmarrje me investime të huaja dhe mbi 300 kompani shumëkombëshe kanë nisur bizneset e tyre këtu dhe Pudong-u është bërë një destinacion "i nxehtë" për investitorët e huaj dhe një pasqyrë e Reformës dhe Hapjes së Kinës.
Lindja
Në vitin 1990, udhëheqësi i atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin bëri një vizitë në Shangai. Ai po rrinte në Puxi (bregu perëndimor i lumit Jance) dhe po shikonte drejt Pudong-ut (bregu lindor), duke marrë një vendim: “Duhet të kapim rastin dhe të marrim një vendim në kohë... Shangai është 'asi' për Kinën dhe ne duhet ta zhvillojmë Pudong-un në mënyrë të shpejtë e të palëkundur derisa të kthehet në një zonë të re.”
Më 30 prill 1990, 12 ditë pas shpalljes nga qeveria kineze të hapjes dhe zhvillimit të Pudong-ut, Bashkia e Shangait publikoi zyrtarisht “10 masat preferenciale të hapjes së Pudong-ut”, sipas të cilave lejoheshin investimet e huaja në sektorin e energjetikës dhe transportit. Krahas kësaj, do të nxitej sektori i shërbimeve dhe do të futeshin bankat e huaja në tregun vendas.
5 muaj më pas, Shangai shpalli masa të tjera favorizuese, si heqja e taksave mbi të ardhurat, e taksave të banesave dhe taksave tregtare, duke mirëpritur me krah të hapur investitorët e huaj.
Qysh nga ajo kohë, Pudong-u është bërë barometri për tërheqjen e investimeve të huaja në Kinë. Deri në fund të vitit 1998, në Pudong ishin vendosur 5000 kompani të huaja, ndërsa gjatë 7 vjetëve të para të krijimit të Zonës së Re, Pudong-u tërhoqi pothuajse një sipërmarrje të huaj në ditë.
Arritjet e zonës së re
Në shekullin e ri, me anëtarësimin e Kinës në OBT, Pudong-u është zhvilluar me hapa më të mëdhenj dhe më të shpejtë.
Në 11 muajt e parë të vitit 2019, në Zonën e Re të Pudongut u tërhoqën 1814 projekte me investime të huaja me një vlerë reale mbi 8.1 miliardë dollarë amerikanë. Krahas këtyre, edhe 23 kompani të tjera shumëkombëshe vendosën selitë e veta rajonale në Pudong. Këto tre shifra shënuan nivel rekord.
Gjatë 30 vjetëve, Pudong-u gjithmonë ka luajtur rolin e dritares së Reformës dhe Hapjes të Kinës. Në qershor të vitit 2005, me miratim nga Këshilli i Shtetit, Pudong-u është bërë zona e parë eksperimentale për reformat komplekse në pjesën kontinentale të Kinës. Në tetor të atij viti u shpallën “9 masat pilot” për menaxhimin e fondeve valutore të shumëkombësheve, çka simbolizon një arrijte të madhe të Kinës në menaxhimin valutor. Kjo është konsideruar si “pioniere” e reformave komplekse në Pudong.
Në shtator 2013 u krijua në Pudong zona e parë eksperimentale për tregtinë e lirë në Kinë dhe kjo është bërë një pikë e re për tërheqjen e investimeve të huaja.
Zona e tregtisë së lirë është djepi i kultivimit të sistemit inovativ. Gjatë 7 vjetëve të fundit, zona eksperimentale e tregtisë së lirë e Shangait ka bërë mjaft prova mbi lehtësimin e investimeve dhe tregtisë, ndryshimin e funksioneve qeveritare, hapjen e sektorit financiar dhe forcimin e mbikëqyrjes pas regjistrimit, duke pasur një sërë arritjesh në inovimin e sistemit dhe duke i ofruar tërë vendit “përvojën e Shangait”.
Ndër këto masa të reja, sistemi i menaxhimit me “trajtim kombëtar para hyrjes dhe listë negative” është arritja më e spikatur.
Me këtë sistem, pikat e përfshira në listë duhet të shqyrtohen, ndërsa në bizneset dhe sektorët jashtë kësaj liste, subjektet e ndryshme mund të futen në mënyrë të barabartë. Kjo arritje njihet si “mund të bëhet çfarëdo biznesi, nëse nuk ndalohet nga ligji”.
Gjatë shtatë vjetëve, kjo listë negative është pakësuar gjashtë herë dhe, çdo herë që kjo listë është shkurtuar, porta e Kinës është hapur më shumë. Në vitin 2013, kur ky sistem i ri ishte i sapokrijuar, në listën negative ishin përfshirë 190 pika, ndërsa tani numri është pakësuar në 33 për mbarë vendin, kurse për zonën e tregtisë së lirë është ulur në 30.
Në qershor 2019, Bashkia e Shangait publikoi dokumentin “Mbështetje për Reformën e Hapjen në Pudong dhe për zhvillimin cilësor në epokën e re”, duke paraqitur kërkesa më të lartë për përdorimin e investimeve të huaja.
Në këtë dokument inkurajohen shërbimet e arbitrazhit dhe shërbimet ligjore të futen në Pudong, për të formuar platformat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në tregti, transportin detar, investimet ndërkombëtare etj., duke mbështetur Pudong-un të tërheqë më shumë institucione ndërkombëtare në këtë drejtim.
Është normale që çdo sistem ose politikë të ketë mangësitë e veta. Por Pudong-u ka guximin për vetëkapërcim dhe vetëreformim, kështu që investimet e huaja mund të ruajnë interesin e tyre te tregu kinez. Për 30 vjet, Pudong-u dhe investitorët e huaj kanë shkruar një histori të bukur dhe kjo do të vazhdojë më tej. (Jiang Lei)