Emergjenca dhe bllokimet e koronavirusit kanë ngrirë konsumin në të gjithë Evropën dhe kanë shtyrë njerëzit të të grumbullojnë para në depozitat bankare. Normat e kursimeve në katër nga pesë ekonomitë kryesore evropiane, siç zbulohet nga të dhënat nga Banka Qendrore Evropiane të mbledhura nga “Financial Times”, u rritën në mars, në një shifër më të lartë se mesatarja afatgjatë.

Në Itali, kursimet kanë qenë rreth 16.8 miliardë euro, krahasuar me një mesatare mujore prej 3.4 miliardë. Në Francë, u regjistruan 20 miliardë euro në bankë, kundrejt një mesatare prej 3.8 miliardë. Banka e Francës, në një hulumtim të veçantë, tregoi se në mes të majit kjo tendencë u përshpejtua dhe paratë e depozituara në bankë u rritën në 60 miliardë euro. Në Spanjë, familjet kursyen 10.2 miliardë euro në mars, kundrejt një mesatare prej 2.3 miliardë eurosh. Dhe në Britani, depozitat u rritën në një rekord prej 13.1 miliardë paund.

Ndër vendet e mëdha evropiane, përjashtimi i vetëm është Gjermania, ku depozitat bankare ranë ndjeshëm në mars, sepse njerëzit tërhoqën para nga llogaritë e tyre rrjedhëse. Sipas specialistëve, gjermanët preferojnë t’i mbajnë kursimet e tyre gjatë krizës, siç bënë në kulmin e krizës financiare të vitit 2008, dhe jo t’i lënë ato në bankë. “Bundesbank” raportoi se paratë në qarkullim në Gjermani u rritën me 39.7 miliardë euro nga fundi i janarit deri në fillim të majit.

Kjo rritje e mprehtë e kursimeve në Evropë, vë në dukje “Financial Times”, sugjeron që kursimet e njerëzve gjatë kësaj krize të koronavirusit mund të pengojnë mundësinë e një rimëkëmbje ekonomike të drejtuar nga konsumatori. "Këtë vit ka pasur një rritje të konsiderueshme të kursimeve të familjeve”, -tha Philip Lane, kryeekonomist i BQE-së. Sipas tij, një nga pyetjet e mëdha që do të shtrohet është se sa do të zgjasë kjo vonesë e familjeve në konsum.

Komisioni Evropian në parashikimin e tij në pranverë vlerësoi se kursimet e familjeve në Eurozonë do të rriteshin nga 12.8% e të ardhurave të disponueshme vitin e kaluar në një rekord të lartë prej 19% këtë vit, përpara se të shënohet një rënie e mundshme me 14.5%.

Ekonomistët paralajmërojnë se hezitimi i konsumatorëve për të shpenzuar paratë shtesë që kanë kursyer rrezikon të privojë shitësit evropianë të prekur nga pandemia nga nxitja që u duhet për të rimarrë veten nga ai që parashikohet të jetë recesioni më i keq i epokës së pasluftës.

“Shumë familje kanë grumbulluar kursime të pavullnetshme, kështu që bilancet e tyre bankare do të jenë më të shëndetshme sesa ishin para krizës”, -shpjegon Melanie Debono, ekonomiste në “Capital Economics”. “Por shumë do të hezitojnë të shpenzojnë lirshëm siç kanë bërë në të kaluarën, sepse do të jenë më të kujdesshëm ndaj vendeve të mbushura me njerëz, transportit publik dhe udhëtimeve jashtë vendit”, -thekson Debono.

Shitjet e makinave të reja, rezervimet e pushimeve dhe shkuarja në restorante do të duan muaj për t’u rikuperuar. Përveç shitësve me pakicë të ushqimit, të cilët kryesisht lulëzuan pasi u lejuan të qëndronin të hapur, shumë shitës me pakicë në Evropë janë goditur rëndë nga bllokimet. Grupi gjerman i sigurimeve “Allianz” parashikon që deri në fund të vitit 2020, konsumatorët evropianë do të kenë akoma 400 miliardë euro kursime shtesë, të barabarta me 3% të PBB-së së BE-së. “Allianz” vlerëson gjithashtu se konsumi privat në pjesën më të madhe të Evropës ra me më shumë se një të tretën gjatë bllokimeve. Sipas specialistëve, sa më gjatë të qëndrohet në këtë situatë, aq më shumë këto ndryshime do të akumulohen në sjelljen e njerëzve.

“Rreziku i vërtetë - nënvizon “Codacons” - është se klima e mosbesimit të familjeve dhe përkeqësimi i emergjencës epidemiologjike do të çojë në një ulje të ndjeshme të shpenzimeve në lidhje me festat e fundvitit, me një ulje të mëtejshme të konsumit në një sektor, atë të krishtlindjes, i cili vetëm në dhjetor prodhon një xhiro për konsum prej 110 miliardë euro nga një total vjetor prej 900 miliardë euro në konsum”.

Ekziston edhe alarmi i nisur nga “Coldiretti”, sipas të cilit me bllokimin në Gjermani dhe mbylljen e bareve dhe restoranteve, 7.2 miliardë eksportet agro-ushqimore “Made in Italy” janë në rrezik. Gjermania është në fakt konsumatori më i madh në botë i ushqimit dhe verës italiane.

Ajo që është shqetësuese janë masat kufizuese të njoftuara për hoteleri në të gjithë Evropën, ku prej disa ditësh ka hyrë në fuqi mbyllja e re e bareve dhe restoranteve. Po ashtu janë vendosur edhe në Zvicër, Austri, Greqi dhe Angli, një tjetër dritare e tregut të shitjes së produkteve italiane në botë, pas Gjermanisë, Francës dhe SHBA-së.

Vala e dytë e koronavirusit ka ngrirë konsumin, si dhe e ka bllokuar nga frika e kufizimeve të reja të aktiviteteve, duke djegur rreth 8-10 miliardë euro të shpenzimeve të familjeve në tremujorin e katërt të vitit. Analiza u bë nga kompania “Confesercenti”, i cili ka rishikuar parashikimin fillestar të tij të një rënie të konsumit prej 5.8 miliardë, në dritën e evolucionit të infeksioneve dhe kufizimeve të reja të mundshme. Vetëm për sektorin e tregtisë, humbjet ishin rreth 50 milionë në ditë.

Sipas analizave, gara e infeksioneve në vendet evropiane dhe dimensioni kontinental që po supozojnë kufizimet amplifikojnë ndikimin në besimin e familjeve dhe prirjen e tyre për të shpenzuar. Për shumë biznese, të shkatërruara tashmë nga kriza e shkaktuar nga pandemia, kjo mund të nënkuptojë edhe mbylljen përfundimtare të tyre.

Pasuria e konsumatorit po i mohon ekonomisë evropiane një dozë vitale të stimulit që i nevojitet për të rimarrë veten nga ajo që duhet të jetë recesioni më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore. Konsumatorët kanë hezituar të shpenzojnë paratë shtesë që grumbulluan gjatë bllokimeve, pasi perspektivat e punësimit mbeten të zymta dhe virusi vazhdon të bëjë kërdimë.

Banka Qendrore Evropiane po përpiqet të kompensojë ngurrimin e konsumatorëve për të shpenzuar duke mbajtur një politikë monetare jashtëzakonisht të përshtatshme. Ajo gjithashtu nxit qeveritë që të mbajnë “rubinetët” e parave të hapura.

Përgatiti: Irma Paloli