Vreshtaria, një nga aktivitet më tradicionale nga jugu e deri në veri të vendit, po kthehet në biznes mjaft fitimprurës për shumë fermerë që po investojnë në këtë kulturë.

Në Roshnik të Beratit, 70 km larg Tiranës, kantina “Alpeta” një investim i Petrit Fiskas, është shembull konkret ku ka startuar modeli i agroturizmit të certifikuar, në kuadër të programit “100 Fshatrat”.

Në këtë zonë, potenciali agroturistik natyror është shfrytëzuar mençurisht nga familja Fiska, që së bashku me mbështetjen financiare nga programi IPARD II, e kanë kthyer shtëpinë në bujtinë mikpritëse, gjendur midis natyrës së mrekullueshme të këtij fshati me tradita të hershme.

Familjarët dhe të afërmit e Petrit Fiskës janë angazhuar maksimalisht në ndërtimin e qendrës agroturistike “Alpeta”, duke krijuar tashmë në Roshnik, një model suksesi në agroturizëm.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka mbështetur financiarisht ngritjen e bujtinës si dhe pajisjen me një teknologji të avancuar në kantinën e tyre të verës, ku përpunohet rrushi i vreshtave të shtëpisë

Petriti na tregon se fillimisht, investimin e nisi me prodhimin e verës dhe të rakisë duke garantuar një ekonomi modeste familjare dhe më pas me mbështetjen e AZHBR-së e zhvilloi investimin, duke e shndërruar shtëpinë e tyre në një qendër të agroturizmit që siguron më shumë të ardhura.

Ky investim është bërë shtysë edhe për banorë të tjerë rreth e rrotull që të kuptojnë se jetojnë në një territor ku mjafton të kesh fuqinë e dëshirën për të shkuar përpara, për të garantuar një fitim shumë më të madh se sa të gjitha fitimet e emigracionit të mbledhura sëbashku”, tha Fisko.

Duke ndërtuar vreshtat e parë në vitet 1992-1993, nisëm prodhimin e parë të verës dhe fillimisht vetëm për familjen, por vit pas viti sasia e prodhimit u rrit dhe vera nuk ishte vetëm për familjen, por dhe për treg. Duke shtuar vreshtat, duke marrë mësime edhe më shumë në lidhje me prodhimin e verës, kemi rritur cilësinë dhe sasinë. Falë dhe bashkëpunimit me AZHBR-në realizuam investime të rëndësishme në teknologji”, u shpreh ai.

Ne jemi një kantinë familjare. Këtu angazhohem unë dhe dy vëllezërit e tjerë. Pjesë të organizimit janë prindërit tanë dhe fëmijët, që angazhohen në të gjithë zinxhirin e prodhimit, agrobujtinës dhe restorantit”, tregon Fisko.

Sipas tij “gjysma e investimit është falë AZHBR, që duke marrë shkas nga kantina, u rritën vizitat në zonën tonë dhe ne rritëm kapacitetin pritës, duke ndërtuar tetë dhoma me 23 shtretër, ku kemi krijuar një ambient relaksi absolut në zonën e Roshnikut”.

Vizitorët konsumojnë verën, rakinë, ushqimet e zonës, por dhe pijen nga vera karakteristike “Alpeta”, verë e bardhë me rrushin autokton të zonës. Në këto dy vitet e fundit qendra agroturistike “Alpeta”, është vizituar nga 2 000 turistë.

Këtu vijnë turistë nga e gjithë bota, që vizitojnë Rroshnikun për të konsumuar produktet dhe pijet e zonës, si edhe vizitojnë bukuritë natyrore në Rroshnik. Kemi lumin, kemi një liqen të vogël, kemi ujëvarën dhe mbi të gjitha malin e Tomorrit me të cilin krenohemi dhe për vizitorët që duan të shijojnë një udhëtim te mali ofrojmë dhe guida”, tha ai.

Elsjoni, djali i Petrit Fiskës tha se pas investimeve të bëra, iu dha mundësia për t’u angazhuar me biznesin e familjes. “Unë i shoqëroj turistët në zonë, duke bërë guidën, ndërsa ndihmoj dhe familjen me shërbimet”, tha Elsjoni.

Zenepe Fiska, mbesa e Petritit, tregon se është e angazhuar te sektori i arredimit dhe shërbimit në tavolinat e restorantit. “Unë kujdesem për tavolinat e degustimit për turistët e vizitorët. I shërbej verën e rakinë si dhe ushqimet tona tradicionale”, u shpreh ajo.

Gjatë vizitës në agrobujtinën “Alpeta” takuam dhe turistë nga Australia e Holanda.

Unë jam nga Australia. Kam ardhur nga Turqia dhe do të qëndrojë në Shqipëri rreth 10 ditë. Kam ardhur këtu për të shijuar verën dhe ushqimin tradicional, natyra është e mrekullueshme. Kam ardhur për t’u larguar nga zona urbane ku jetoj, në zona rurale me ajër të pastër dhe natyrë të patrazuar nga dora e njeriut”, u shpreh turistja australiane.

Unë jam Fredi nga Holanda. Natyra këtu duket shumë e bukur dhe impresioni është fantastik. Kisha dëgjuar fjalë të mira për vendin tuaj dhe erdha ta shoh vetë. Njerëzit janë shumë miqësorë, shumë mikpritës. Berati më pëlqeu shumë”, tha një turist tjetër.

Kryefamiljari Beqir Fiska tregon dhe zanafillën e vreshtarisë.

E kam nisur me 8 kuintalë dhe më pas e rrita në 40 kuintalë. Sot prodhoj 30-40 tonë verë. Rrushi që shikoni këtu ka jetuar me shekuj në zonën tonë”, tregon Beqir Fiska.

Petriti na tregon me krenari se ka marrë certifikatën e parë për agroturizëm në vendin tonë.

Ne arritëm të marrim certifikatën e agroturizmit për këtë aktivitet. Ne gëzojmë sot certifikatën 01. Shansi mu dha që kjo certifikatë të më jepej nga kryeministri Edi Rama. Për mua është një simbol, pasi mu dha nga një njeri që punon dhe kjo më frymëzon të punoj edhe më shumë”, thotë ai.

Fiska na tregon për pasionin e tij . “Unë në çdo vend që kam lëvizur kam marrë si kujtim një gur karakteristik të zonave të ndryshme të vendit, nga e gjithë Shqipëria dhe dua t’i them vizitorëve se ky është shumë i bukur e duhet vizituar çdo cep i Shqipërisë”, tha ai.

Etleva Xhajanka