Një vit pas hapjes së garës për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës,me degëzimin në Rinas është finalizuar procesi i përzgjedhjes së kompanisë fituese, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumë pritur prej vitesh. Pak ditë më parë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka bërë të ditur emrin e kompanisë, e cila është shpallur fituese për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, teksa jep edhe detaje sa i takon ofertave të paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë garë.

Sipas njoftimit të BERZH, kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro, u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore. INC S.P.A është një ndër kompanitë kryesore në Itali në fushën e infrastrukturave të mëdha.

Ndërkohë në garë në fazën finale pjesëmarrëse, ishin tre kompani një kineze, indiane dhe italiane. Fituesit ofruan 69.7 mln euro, ndërsa kompanitë e tjera mbi 92 milionë euro.

I gjithë procesi për përzgjedhjen e kompanisë fituese u bë në bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në fazën e parë të tenderit, e cila konsistonte në paraqitjen vetëm të propozimit teknik, paraqitën ofertat e tyre 6 kompani, propozimet e të cilëve u vlerësuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin e BERZH “Ardanuy“.

Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së.

I gjithë projekti kushton 92.1 milionë euro, nga të cilat 36.8 milionë euro janë të akorduara në formën e një huaje sovrane nga BERZH e parashikuar për rehabilitimin e 34.1 kilometra linjë hekurudhore midis Terminali i Transportit në Tiranë dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore me gjatësi afërsisht 5 km që lidh linjën Tiranë-Durrës me Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Projekti i rehabilitetit të hekurudhës Tiranë -Durrës dhe ndërtimit të të zgjatimit deri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit dhe më gjërë me Evropën dhe në kuadër të Nismës së Berlinit.

Ndërkohë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku beri të ditur pak ditë më parë se ka nisur edhe aplikimi pranë EBRD, për fazën e dytë të kësaj hekurudhe që lidhet me stacionin e madh të Tiranës. Ndërsa Ministria e Financës ka bërë kërkesën pranë BERZH dhe besohet që do të aprovohet shpejt.

Në fazën e ndërtimit të këtij projekti është parashikuar të angazhohen rreth 1, 375 punonjës direkt dhe indirekt , ndërsa gjatë fazës së operimit, numri mund të arrijë në 2,200. Fillimi i punimeve për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, është projekti i parë dhe shumë i rëndësishëm për hekurudhën shqiptare në 25 vite.

Mungesa e vëmendjes ndaj hekurudhave në Shqipëri është reflektuar edhe tek numri i ulët i atyre që zgjedhin të udhëtojnë me tren.

Në krahasim me vendet europiane, rrjeti hekurudhor në shqipëri është shumë i vonshëm. Për herë të parë stacioni hekurudhor në shqipëri është ndërtuar në vitin 1949

Specialist i transportit pranë drejtorisë së hekurudhave në Durrës, Leonard Jani, në një intervistë për emisionin “Opinion” foli per strategjitë që po ndjek kjo drejtori për përmirësimin e rrjetit hekurudhor

“Duke pasur pozicionin gjeografik të Shqipërisë si një vend tranzit i cili është studiuar vite më parë. Ka një studim të vitit 1908 nga austro-hungarezët, të cilët e cilësonin Shqipërinë një vend tranzit të mrekullueshëm për koridoret hekurudhore të asaj kohe. Strategjia e hekurudhës dhe e drejtorisë sonë, për përmirësimin e rrjetit hekurudhor, duke përfituar dhe nga pozicioni strategjik tranzit në Ballkan, është përfshirja e saj në projektet rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Në bazë të një memorandum të mirëkuptimi që është bërë në vitin 2004 midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Bullgari , Greqi, Kroaci, Kosovë, janë përcaktuar rrjetet e transportit, që do jenë pjesë përbërse të rrjetit të transporteve të Evropës dhe gjithë ky studim është bërë në kuadrin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në rrjetin e transportit evropian. Në këtë rrjet hekurudha është shumë e favorizuar dhe ka dy rrjete kryesore, rrjeti i “Korridorit të Tetë” që quhet rrjeti gjithëpërfshirës , që përfshin destinacionin Tiranë-Durrës-Elbasan-Pogradec, me degëzim Rrogozhin-Fier Vlorë dhe rrjeti kryesor që është i rrugës dy, që lidh Beogradin, Podgoricën dhe Tiranën. Lajmi më i mirë është fillimi i punimeve për rehabilitimin e hekurudhës nga Durrësi në Tiranë, te stacioni i fundit që është stacioni tek terminali publik të transportit hekurudhor.

Elida Lazi