Sot mbushen dy vjet nga implementimi i programit IPARD të financuar me 94 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian (BE). Gjatë kësaj periudhe janë firmosur 222 kontrata, për investime të reja në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë, nga të cilat janë paguar 60 prej tyre dhe ndërkohë brenda vitit do të hapet thirrja e tretë e programit IPARD.

Këtë vit fermerët krahas fondeve që po marrin nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020, përfitojnë financim edhe nga programi IPARD II, thirrja e tretë e të cilit hapet këto ditë.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha se, “skemat e mbështetjes financiare nga Programi IPARD II, po avantazhojnë rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe kërkesa e fermerëve dhe agrobiznesit për të përfituar grante, për investime në këtë sektor, është në rritje të vazhdueshme”.

Kote theksoi se, “thirrja e tretë për Programin IPARD II do të jetë për mekanikën bujqësore dhe teknologjitë në prodhim. Kriteret për të aplikuar janë, që fermeri duhet të jetë i regjistruar në QKB, të ketë NIPT dhe toka të jetë në emrin e aplikantit, ose të paktën të ketë një kontratë 10-vjeçare”.

57.68 milionë euro, ishte fondi në dispozicion të fermerëve në thirrjen e dytë të IPARD II, e ndarë kjo shifër në tre masa të ndryshme mbështetëse: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët: Qumësht, mish, fruta, perime, vreshta.

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, përpunimi i mishit, përpunimi i frutave dhe perimeve, vera.

Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus të veçantë në sektorët e mëposhtëm: Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve, përpunimi dhe tregtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat, perimet dhe vera); përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): turizmi rural dhe i natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; prodhimi i energjisë së rinovueshme.

Ndërsa në thirrjen e parë u angazhua një fond prej 20-22 milionë euro.

Sipërmarrës në sektorin e agropërpunimit kanë aplikuar me 93 projekte investimi, që kapin shumën totale prej 34.53 milionë euro, në thirrjen e dytë të programit IPARD II.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se ka një interes të shtuar të agrobiznesit për të investuar në Masën 3 të IPARD II: ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit”, krahas dy masave të tjera që janë Masa 1: ”Investime në asete fizike në ferma bujqësore” dhe Masa 7: “Diversifikimi i Fermave dhe Zhvillimi i Biznesit”.

Sipas AZHBR-së, Masa 3 ka një buxhet total 22.75 milionë euro, që financon sipërmarrësimin me një minimum prej 25,000 euro dhe maksimum 2,000,000 euro për investime në sektorin përkatës të përcaktuar në masën 3.

Programi IPARD II bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian me një shumë totale prej 94 milionë euro dhe mbështet me grante investimet në sektorin rural shqiptar.

Lidhur me ecurinë e suksesshme të këtij programi është shpreheur edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë. Në një takim të organizuar në fund të muajit qershor të këtij viti, të quajtuar Infosesion në lidhje me fondet IPARD dhe mënyrën sesi fermerët shqiptarë mund të përfitojnë nga këto fonde, Mario Mariani, shef i programit të bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Shqipëri u shpreh se, “për ne IPARD është me të vërtetë histori suksesi nga Shqipëria në BE".

"Ne e kemi filluar programin e IPARD më pak se 2 vite më parë dhe statistikat janë mjaft inkurajuese. Në 2 thirrjet që janë hapur dhe tashmë janë mbyllur ne kemi pasur mbi 120 projekte të suksesshme, të cilat tashmë janë në fazën zbatuese dhe disa prej tyre tashmë kanë përfunduar”.- tha Mariani

Sa i përket aspektit kohor, Mariani u shpreh se, “ka një perspektivë afatgjatë për të ardhmen sesi do të duket pjesa rurale e Shqipërisë. Duhet që të kemi ferma më të qëndrueshme më të hapura ndaj tregjeve. Duhet të kërkojmë atë të ardhme që është e bazuar dhe në të shkuarën, sepse Shqipëria ka një trashëgimi mjaft të pasur, ka shumë produkte, tradita, reliev shumë të veçantë dhe ne dëshirojmë që këto të jenë pjesë e projekteve të BE-së, duke ruajtur traditat”.

Impakti i zbatimit të progarmit IPARD është refektuar në rritje të prodhimit bujqësor dhe agropëpunues vendas, rritje e eksporteve dhe zgjerim i qendrave agroturistike, që kanë diversifkuar edhe sektorin e turizmit në Shqipëri.

Etleva Xhajanka