Qeveria Shqiptare miratoi në një mbledhje të posaçme të saj Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave, Projektbuxheti i vitit 2021 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme.

Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe pritet të konvergojë rreth nivelit prej 4% përgjatë periudhës afatmesme në vijim. Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2%, krahasuar me parashikimin e vitit 2020 prej 13.9%.

Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.3% e PBB-së .

Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB-së. Në fund të vitit 2023, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.3% të PBB-së dhe balanca primare të kthehet në nivele pozitive, duke përmbushur objektivin madhor të qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik.

Projektbuxheti 2021 garanton mbështetje financiare për vijimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë.

Shtyllat kryesore për përmirësimin e jetesës së qytetarëve do të jenë reforma në drejtësi, e cila do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike. Të tri reformat do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të qeverisë.

Një ndër prioritetet e qeverisë vazhdon të mbetet decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore.

Ndërkohë sipas qeverisë, reformat e ndërmarra deri më tani, pritet të kenë ndikimin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Qeveria Shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike. Pesha e buxhetit vendor ndër vite është rritur nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.

Projektbuxheti i vitit 2021, programon të ardhura buxhetore në masën 479 miliardë lekë ose 28.5% e PBB. Ky programim bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi.

Në deklaratën zyrtare thuhet se shpenzimet buxhetore për periudhën 2021-2023 të programuara në masën 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike, duke u përqendruar në procesin e rimëkëmbjes të ekonomisë, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike. Procesi i Rindërtimit do të financohet me 28 mld lekë në vitin 2021, ndërkohë që mbi këtë edhe 1.5 mld lekë parashikohen të vijojnë financimin e bonusit të qirave për familjet e pastreha si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019;

Shëndetësia do të vijojë të financohet me prioritet, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përballimit të pandemisë COVID-19, përfshirë edhe blerjen e vaksinës Anti-Covid 19, si dhe do të ketë një rritje prej 40% të pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët e sistemit shëndetësor me një kosto totale vjetore prej 4.5 mld lekë ;

Arsimi do të përfitojë një financim në rritje, ku spikat rritja me 15% e pagës së mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar me një kosto prej 3.5 mld lekë si dhe financimi i prioriteteve të Paktit për Universitetin;

Fermerët, krahas skemës së mbështetjes me grante nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPARD si dhe nga fondi i garancisë të bashkëfinancuar me BERZH, do të mund të përfitojnë nga skema e subvencionimit të naftës, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit për vitin 2021 rreth 1 miliardë lekë.

Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale.

Konkretisht do të investohet në projektet e mëdha si Tuneli i Llogarasë, Unaza e re e Tiranës, rruga Kardhiq-Delvinë etj., si edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve.

Përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes pro-aktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti, si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19, Qeveria pritet të arrijë objektivin e vendosur për rritjen ekonomike dhe kthimin në normalitet të vendit gjatë vitit 2021.

Elida Lazi