Nëse do ti referoheshim renditjeve të tilla në botë si psh, renditja e të ardhurave për frymë, cilësisë së jetës, cilësisë së ajrit, apo se sa i përshtatshëm është ambienti për të bërë biznes në vend, Shqipëria do të renditej nga fundi. Por ka një renditje ku vendi ynë shkëlqen, madje duke thyer dhe rekord. Një gjë është e sigurt, asnjë shtet në botë nuk mund të na e kalojë për nga numri i bar-kafeve, të cilat i gjen në qendër të qyteteve, në çdo cep të lagjes, apo edhe anash rrugëve ndërqytetase.

Viti 2018 shënoi sërish rritje të numrit të tyre, ndonëse kanë një normë të lartë të falimentimit. Sipas të dhënave nga INSTAT numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënije në vitin e mëparshëm. Kjo tregon se në Shqipëri deri në fund të 2018-s kishte rreth 18 mijë bare e restorante, 82% e të cilave janë bar-kafe.

Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nuk është rastësi që vendet me numrin më të lartë të këtij aktiviteti, janë vende që ekonominë e tyre e kanë lidhur ngushtë me turizmin.

Kështu në vend të parë përsa i përket numrit të bareve në BE renditet Portugalia, e cila ka 427 bare për çdo 100 mijë banorë. Në 5 vendet e para me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211.

Nga ana tjetër numrin më të ulët ndër vendet e BE-së dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar e ka shënuar Serbia, ku sipas të dhënave të Eurostat-it dhe përllogaritjeve të “Monitor” në raport me popullsinë, ka vetëm 9 bare për 100 mijë banorë.

Përsa i përket vendeve të tjera në rajon, në Maqedoninë e Veriut ka 47 bare për çdo 100 mijë banorë. Bosnje dhe Hercegovina ka një numër më të lartë se mesatarja e shteteve të BE-së me 169 bare për 100 mijë banorë. Po sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat-it mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Evropian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.

Edhe në vendet e Evropës Veriore numri i bareve në raport me popullsinë është relativisht i ulët. Në Norvegji, për shembull, kishte vetëm 11 bare për 100 mijë banorë, në Gjermani vetëm 43, ndërsa në Belgjikë 108.

Krahasuar edhe me disa prej destinacioneve më popullore në botë, Shqipëria sërish ruan epërsinë për numrin e kafeneve.

Ndër kryeqytetet me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë renditet Buenos Aires në Argjentinë, ku si pas WORLD CITIES CULTURE FORUM kishte 367 bare për 100 mijë banorë. Ndërkohë në vend të dytë rendit kryeqytetin italian Romën, me rreth 331 bare për 100 mijë bare.

Tokio në Japoni përllogariste në rreth 217 bare për 100 mijë banorë sipas të dhënave të 2016-s. Nga ana tjetër shifrat vijojnë me Madridin me 186 dhe Brukselin me 148.3. Ndërsa numrin më të ulët e ka Stambolli, me 2.1 bare për 100 mijë banorë, kjo bazuar në të dhënat e Dhomës së Tregtisë të kryeqytetit turk.

Ndërsa bar-kafet do të vijojnë të mbeten një biznes i preferuar për shumëkënd, me klientët që mund të rrinë ulur për orë të tëra edhe duke konsumuar vetëm një kafe, nuk po ndodh e njëjta gjë me restorantet, ku duhet të mendohesh dy herë, pasi shpenzimi është më i lartë. Numri i tyre ka rënë ndjeshëm me 21% në 2018-n, sipas të dhënave të INSTAT-it, apo rreth 880 restorante më pak sesa një vit më parë.

Ndërsa për shumëkënd është një mjet për të kaluar kohën e lirë, baret dhe restorantet në fakt janë mjaft të rëndësishme për ekonominë vendase, për shkak të peshës së lartë që kanë në punësim dhe në totalin e subjekteve private.

Të dhënat zyrtare të Insitutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se shërbimi ushqimor dhe i pijeve, punëson mbi 50 mijë individë nga të cilët 40% janë të vetëpunësuar. Informaliteti në këtë sektor llogaritet i lartë, çka nënkupton se dhe numri i të punësuarve është shumë më i lartë se ai zyrtar.

Tendenca nga viti në vit ka qenë ajo e uljes së numrit të ndërmarrjeve të kësaj kategorie ku nga 18.785 që ishin në vitin 2016, arritën në 17.507 në vitin 2018. Por teksa numri i njësive ka rënë numri i të punësuarve është rritur çka tregon se shumica e tyre janë konsoliduar si biznese më të mëdha. Një faktor që mund të ketë ndikuar në këtë aspekt është pjesa e rrjeteve të coffe shop dhe kafeneve në formë franchaising, që po lulëzojnë prej disa vitesh tashmë me marka të regjistruara.

Elida Lazi