Kryeministri Edi Rama ka deklaruar vendimin final për rritjen e pagave të mjekëve dhe arsimtarëve, ku thekson se për bluzat e bradha do rritet 40 për qind, kurse për mësuesit me 15 për qind.

Gjatë një konferencë për shtyp, Rama u shpreh:se dhënia e një mbështetjeje këtyre dy kategorive, është mënyra më e mirë për t’u shpërblyer mundin, profesionalizmin, angazhimin dhe nga ana tjetër përmes motivimit rritim cilësinë në këto dy shërbime jetike, sot dhe në të ardhmen.

Ai e ka quajtur historike rritjen e pagës për bluzat e bardha, ndërsa thekson se rritja e fondit të përgjithshëm të pagave gjatë qeverisjes së tij, është dyfishuar.


"Unë nuk do të zgjatem shumë në shifra sepse do tua lë 2 ministrave por do të them që paga për bluzat e bradha do rritet 40 për qind, rritja më e madhe historike për bluzat e bardha. Edhe për arsimtarët do të rritet me 15 për qind", tha Rama.

"Fondi i Përgjithshëm i pagave është rritur nga 450 milion dollarë në 2013 në 710 milion dollarë sot, duke përfshirë edhe rritjen e sotme.

Që do të thotë se dy mandate të qeverisë atyre që nuk e di se ku e gjejnë kurajon të rikthehen, dhe mandatet e qevrisjes tonë është thuajse dyfishi i pagave në sektorin publik, me të njëjtin numër po e marrim megjithëse numri i punonjësve sot është më i vogël, pak më i vogël”.

Ndërkohë Ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj, bëri të ditur se do të jenë 18 500 mjekë që do përfitojnë nga rritja e pagës me 40 për qind.

Vendimi për rritjen e pagave për bluzat e bardha dhe arsimtarët do të hyjë në fuqi në 1 janar.


"Pagat e bluzave të bardha e arsimtarëve hyjnë në fuqi në 1 janar. Rritja e pagave do të shkojë 8 mld lekë më shumë në vit. Paga mesatare e mjekëve nga 57 mijë lekë në 79 mijë e 800 lek. Paga mesatare e infermierëve nga 37 mijë lekë në 58 mijë e 810 lekë. 18 500 mjekë do përfitojnë nga rritja e pagës.

Mësuesit në 9-vjeçare, paga shkon nga 65 mijë lekë në 72 mijë lekë. Mësuesit në gjimnaz, paga nga 69 mijë lekë në 76 mijë lekë", tha Denaj.

Pas deklaratës së kryeministrit Rama për rritjen e pagave të mjekëve dhe mësuesve, ka reaguar PD.

Ish-deputetja Jorida Tabaku në një postim në Facebook, citon OBSH, sipas të cilës Shqipëria është vendi me numrin e mjekëve më të ulët në Rajon dhe shton se sot mjekët kanë pagat më të ulta dhe taksat me të larta në rajon.

Tabaku thekson se gjatë gjithë viteve në qeverisje, Rama i rriti pagat e mjekëve vetëm në vitin elektoral 2017, ndërsa ka paguar rreth 100 milionë euro për Partneritetet Publike-Private në shëndetësi, si dhe do të paguajë dhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim.

Sot mjekët kanë pagat më të ulta dhe taksat me të larta në rajon. Partia Demokratike ka një plan për ta nxjerrë shëndetësinë nga kriza, për të vendosur pacientin në qendër e jo koncesionin, për të rritur pagat dhe për të ofruar atë që Rama se bëri per 8 vite. Shëndetësi cilesore për të gjithë!”, shkruan Jorida Tabaku.

Në lidhje me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të mjekëve dhe mësuesvë, ka reaguar edhe Presidenti Meta. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se është fatkeqësi që Kryeministri i vendit nuk njeh ekonominë. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Meta shkruan se nga viti 2006 deri ne vitin 2013, paga mesatare në sektorin shtetëror ka pasur një rritje prej 81 për qind, me një rritje vjetore mesatarisht me 11.6 për qind. Ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2020, rritje mesatare vjetore 3.1 për qinnd. Qytetarët shqiptarë, shkruan Meta, meritojnë transparencë maksimale dhe jo mashtrime elektorale.

Por si e ka pritur personeli shëndetësor dhe ai arsimor këtë vendim të qeverisë Rama?

Nga ana e mjekëve, ky vendim nuk është komentuar duke e kaluar në heshtje. Ndërsa mësuesit janë shprehur të pakënaqur me rritjen e pagës 15 për qind. Kryetarja e sindikatës së pavarur të arsimit për Tiranën Alma Lama, shprehet se kryeministri Rama nuk e mbajti premtimin e bërë në vitin 2017 për rritjen e pagës me 40 për qind, brenda këtij mandati.

Për kryetaren e sindikatës znj.Lame, diferencimi nga mjekët i bën të ndihen të nënvlersuar, ndërsa shton se kolegët e tyre në rajon kanë pagesa më të larta


"Ne nuk do donim të krahësoheshim me mjekët, por nuk do donim të nënvlersoheshim si profesion. Pra, edhe ne jemi përball riskut aq sa edhe mjekët. Sepse edhe ne punojmë me shumë fëmijë e takojmë shumë prindër".u shpreh Lame.

A do të ndikojë ky premtim për rritjen e pagës në uljen e numrit të infermierëve, për tu larguar nga Shqipëria, për punësim jashtë vendit si në Gjermani, Austri, Angli etj...?

Në një sondazh të bërë nga “Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë”, interesi duket i ulët. Megjithatë 355 votues janë shprehur me jo, 92 ndoshta dhe vetëm 75 votues besojnë se ky premtim do ta ulë numrin e atyre që kërkojnë të largohen.

Elida Lazi