BE, Plan Ekonomik dhe Investimesh për Ballkani Perëndimor.

Komisioni Europian ka publikuar të martën Raportin mbi Progesin e Shqipërisë për vitin 2020. Për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka bërë disa përparime, vlerëson Komisioni, ku thekson se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për një ekonomi tregu funksionale. Ndërsa rritja e PBB-së u ngadalësua për shkak të prodhimit më të ulët të energjisë hidroelektrike, sektorët e tjerë dolën mirë dhe papunësia vazhdoi të ulet në nivelet më të ulëta. Sipas raportit, eksportet për vitin 2020 u rritën në mënyrë të qëndrueshme dhe raporti i borxhit publik me PBB-në vazhdoi të bjerë, por mbeti i lartë gjatë periudhës raportuese.

Në lidhje me bankat, në raport thuhet se ato kanë vazhduar me uljen e numrit të kredive me probleme dhe huadhënia për sektorin privat u rrit. Ndërkohë që janë ndërmarrë hapa drejt zhvillimit të tregut financiar, por ndërmjetësimi financiar mbeti i ulët. Sipas raportit, zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë ka përparuar mirë, por ende nuk e ka përmirësuar sigurinë ligjore për biznesin.

Për sa i përket kapacitetit për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian, raporti vlerëson se Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje. Por në raport thuhet se “konkurrenca e Shqipërisë pengohet nga mungesa e ekspertizës sipërmarrëse dhe teknologjike, një hendek i konsiderueshëm aftësish, institucione të dobëta dhe nivele të ulëta të investimeve dhe cilësisë së infrastrukturës. Integrimi në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës dhe eksportet mbetën nën potencial.

Raporti e vë theksin edhe te rëndësia që ka konsolidimi i të drejtave pronësore dhe një kadastër plotësisht funksionale, pasi janë parakushte kritike për rritjen e investimeve dhe qasjen në financa, si dhe për të arritur konkurrencën e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit. Raporti thekson se infrastruktura në energji, transport dhe komunikim digjital, si dhe rezultatet arsimore janë përmirësuar, por mbeten boshllëqe të konsiderueshme krahasuar me nivelet rajonale dhe evropiane.

Pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar situatën dhe rënia ekonomike e shkaktuar prej saj ka eliminuar disa nga arritjet në fusha të ndryshme. Në lidhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, Shqipëria ka vazhduar të jetë aktive në rajon dhe të mbajë marrdhënie të mira fqinjësore, thuhet në Raport .

Ndërkohë po të martën, Komisioni Evropian miratoi dhe një Plan gjithëpërfshirës Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sipas KE-së, plani synon t’i japë një shtysë rimëkëmbjes afatgjatë ekonomike të rajonit, të mbështesë një tranzicion të gjelbër dhe digjital, të nxisë integrimin rajonal dhe konvergjencën me Bashkimin Evropian.

Duke paraqitur Planin e ri, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, komentoi:

“Ballkani Perëndimor është një përparësi e qartë për BE-në. Plani Ekonomik dhe i Investimeve për rajonin është elementi i tretë kyç i qasjes sonë të përforcuar, së bashku me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit dhe hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky plan në shkallë të gjerë parashikon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro financime për investime të rëndësishme në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje afatgjatë dhe vende pune. Kjo do të mbështesë rimëkëmbjen afatgjatë pas krizës së COVID-19 dhe konvergjencën e rajonit me BE-në, duke ecur paralelisht me reformat për të cilat partnerët janë zotuar në nivelin më të lartë ”

Komisioni synon të mobilizojë në mënyrë indikative deri në 9 miliardë euro financime në kuadrin e Instrumentit të ardhshëm të Ndihmës Para-Anëtarësimit III, për të mbështetur konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në, në varësi të miratimit të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar të ardhshëm.Kjo do të bëhet kryesisht përmes investimeve dhe mbështetjes për ndërlidhjen e qëndrueshme, kapitalin njerëzor, konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, si dhe tranzicionit binjak të gjelbër dhe digjital.

Plani identifikon dhjetë investime të mëdha për të mbështetur lidhjet kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, energjinë e rinovueshme dhe heqjen dorë nga qymyri, rinovimin e ndërtesave publike dhe private për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë, infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza, si dhe futjen e infrastrukturës me brez të gjerë. Investime të tjera përfshijnë investimet në sektorin privat për të rritur konkurrencën dhe inovacionin, në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe një Garanci Rinore.

Përveç financimeve të rëndësishme të granteve nga BE-ja për rajonin, BE-ja mund të sigurojë garanci për të ndihmuar në uljen e kostos së financimit si për investimet publike ashtu dhe ato private, si dhe për të zvogëluar rrezikun për investitorët.

Mbështetja përmes Mekanizmit të ri të Garancisë së Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e Garancisë së Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus, pritet të mobilizojë investime potenciale deri në 20 miliardë euro në dekadën e ardhshme.

Paketa e investimeve do të jetë një faktor kyç për lehtësimin e rritjes së investimeve publike dhe private në rajon nga institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare.

Elida Lazi