Tamara në Malësinë e Kelmendit, një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik, ku agropërpunimi dhe tradita po gjenerojnë agroturizmin.

Qeveria ka projekte të qartë për zhvillimin ekonomik të trevave alpine, ku bën pjesë edhe Tamara në Vermosh, skaji më verior i vendit. Ndërtimi i rrugës së re të Vermoshit dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë, pritet të shtojnë impaktin e shumëfishtë të fluksit të vizitorëve, ndërsa falë politikave të qeverisë Tamara po fokusohet gjithnjë e më tepër në agroturizëm.

Si një nga pikat turistike më të frekuentuara të qarkut të Shkodrës, mikpritja, tradita dhe bujaria po ndërtojnë në Tamarë një zonë ekonomike, që po zhvillohet me ritme të shpejta.

Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.

Sot, Tamara ka një shëtitore të re 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fshatit, janë mbjellë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit.

Programi i investimit të qeverisë me një fond prej 56 milionë lekësh, ka arritur të ndërthurë peizazhin natyror me karakteristikat alpine të zonës, duke e kthyer Tamarën në një burimin të fuqishëm ekonomik për mbi dy mijë banorët e saj dhe një aset të çmuar të turizmit kombëtar.

Fabrika agropërpunuese e përgatitjes së esencës së frutave dhe prodhimit të lëngjeve natyrale në Tamarë, të Malësisë së Madhe është një nga shembujt e bukur frymëzues të punës në fshat dhe të mbështetjes që po adreson qeveria për njerëzit e punës.

Fabrika e re moderne e përpunimit të frutave, është një investim mbresëlënës për frutat e zonës që prodhohen aty, ku deri dje s’kishte as rrugë. Programi kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar rrënjësisht qendrën e zonës, duke e kthyer në një destinacion turistik mes natyrës së mahnitshme, dhe me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, është ngritur fabrika agropërpunuese e përgatitjes së esencës së frutave dhe prodhimit të lëngjeve natyrale.

Ky investim po ndikon ndjeshëm në ekonominë lokale, në punësim, por njëkohësisht edhe tek fermerët e zonës që kanë tani një destinacion për të tregtuar frutat e tyre.

Në zonën e Tamarës rriten kryesisht pemët frutore si kumbulla e zezë, qershitë, fiku, mani, pjeshka, thana dhe rrushi.

Fabrika e re kryen një volum pune të përpunimit të frutave në masën 3 tonë në orë dhe po ndikon në organizimin e grumbullimit dhe rritjen e prodhimeve.

Samir Canaj, sipërmarrës i kësaj fabrike u shpreh se “Prodhimin si lëndë e pare do e marrim nga fermerët e zonave përreth, por edhe në gjithë Shqipërinë, pasi bëjmë edhe eksporte me vendet e huaja”.

Ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, tha se “kjo fabrikë është pjesë e programit IPARD, është fabrikë me standarde evropiane, sa i takon garancisë dhe cilësisë së produkteve. Jemi shumë entuziastë që duhet ndërmarrë ky investim, pasi sasia e frutave dhe perimeve që synohen të përpunohen dhe grumbullohen llogariten në 3 mijë tonë në orë, pra është një sasi shumë e madhe, që do të çlirojë gjithë pjesën e grumbullimit dhe do të ndryshojë totalisht zinxhirin e vlerës për fermerët shqiptarë në zonën e veriut”.

“Ky investim ka shkuar deri në 2 milionë euro, granti në masën 3 që është masa e agropërpunimi në programin IPARD shkon për 50% të vlerës. Në fakt pjesa e grantit që përfiton subjekti është rreth 94 milionë, kështu që është një investim shumë i domosdoshëm për zonën, sepse do të sigurojë punësim”, – theksoi Krifca.

Krahas investimeve në infrastrukture dhe sipërmarrje, qeveria po mbështet gjithashtu ndërtimin edhe të shumë bujtinave e hoteleve, në zonën turistike të Tamarës, me qëllim shndërrimin e saj në një destinacion ekonomiko- turistik të zhvilluar, sipas modeleve më të mira bashkëkohore.

Tamara është qendra administrative e Kelmendit që më 1935. Shtrihet buzë Cemit të Selcës, aty ku bashkohet në një lumë të vetëm me Cemin e Vuklit, në lartësi 235 metra mbi nivelin e detit.

Dimri në Tamarë është relativisht i ftohtë dhe vera e nxehtë. Masat e ngrohta ajrore nuk lejojnë ashpërsimin e klimës, si në pjesët e tjera të Kelmendit. Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve. Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha, drurë karakteristikë për luginat alpine. Gjatë luginës të zë syri shegë të egra, ndërsa lumi Cem i jep bukuri fshatit dhe në të gjuhet një troftë e mrekullueshme.