Investimet e huaja direkte në Shqipëri shënuan vlerën 454 milionë euro në 6 mujorin e pare të viti, kryeson energjetika me 140 milionë euro

Investimet e huaja direkte në Shqipëri, shënuan vlerën 454 milionë euro në fund gjashtëmujorit të pare të vitit 2020, nga niveli prej 546 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte, vijon të jetë i përqendruar në sektorin e energjetikës në masën 38%, të ndërmjetësimit financiar në masën 21% dhe telekomunikacionit në masën 11%.

Statistikat tregojnë se energjia dhe gazi gjeneruan në 3 mujorin e dytë të këtij viti , 90 milionë euro investime të huaja, në rritje me gati 50% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa me bazë 6-mujore, energjetika dominojë duke zënë një peshë specifike prej 35% të totalit të investimeve të huaja direkte, që ka sjellë 140 milionë euro investime.

Ndikim në këtë tregues dhanë ndërtimet e Hidrocentraleve të Banjës dhe të Moglicës të ndërtuara në kaskadën e lumit Devoll.

Ndërsa ndërtimi i gazsjellësit TAP, që tashmë është në fazën e ndërtimit të tubacionit nën ujë, po sjell një pjesë të madhe të totalit të investimeve në këtë sektor.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në totalin historik të investimeve të huaja, energjetika që prej vitit 2017 është bërë sektori dominues. Në fund të 6 mujorit të pare 2020, investimet totale në sektorin energjetik arritën në mbi 2.5 miliardë euro ose 30% e stokut total të investimeve të huaja, si rrjedhojë e projektit të ndërtimit të gaysjellësit TAP, që në Shqipëri kishte një investim total prej 1.5 miliardë eurosh..

Për 6-mujorin, industria nxjerrëse vazhdon të jetë sektori i dytë më i rëndësishëm, me 18% të fluksit të investimeve, e ndjekur nga shërbimet financiare, me 13%.

Ndërsa sektori financiar regjistroi një rritje të fortë të investimeve të huaja gjatë tremujorit të dytë, duke prekur vlerën e 49 milionë eurove, 36% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa rritje të investimeve të huaja direkte, ka shënuar edhe sektori i industrisë përpunuese me rreth 18 milionë euro në tremujorin e dytë, 3 herë më shumë se në vitin 2019.

Sektori i telekomunikacioneve renditet i treti për sa i takon stokut të investimeve të huaja, me 1.1 miliardë euro, ose rreth 13% të totalit.

Ndërsa investimet në sektorin bankar dhe financiar ruajnë vlerën e 1 miliardë eurove. Në mesin e këtij viti, ato kishin vlerën e 1.08 miliardë eurove, me një peshë specifike të ngjashme me sektorin e telekomunikacioneve.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Zvicra është investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e dytë të vitit me fluks që arrin në 74 milionë euro, ose 64% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 57% më lartë se në tremujorin e parë të këtij viti.

Investimet zvicerane lidhen kryesisht me gazsjellësin TAP. Ndërsa investimet holandeze, u ulën në 45 milionë euro, në 3 mujorin e dytë 2020 pasi kishin kërcyer në 98 milionë euro në tremujorin e parë.

Shteti i tretë për nga fluksi i investimeve të huaja në këtë periudhë renditet Turqia me investimet në ndërtimin e HEC-ve . Në vendin e katërt renditet e Austria me vlerë invesitmesh 19 milionë euro dhe Italia me 18 milionë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6 mujorin e parë të vitit, investitori më i madh i huaj në Shqipëri ishte Holanda, me 143 milionë euro, e ndjekur nga Zvicra me 119 milionë dhe nga Turqia me 48 milionë euro.

Për tremujorin e dytë, Shqipëria thithi investime të huaja në vlerën e 221 milionë eurove, në rënie për të dytin tremujor radhazi, me 10.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Etleva Xhajanka