Ekonomia shqiptare parashikohet të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit. Kjo ishte deklarata e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në përfundim të vizitës virtuale që zhvilloi gjatë periudhës 17-28 shtator 2020, nën drejtimin e zonjës Yan Sun, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP). Procesi i monitorimit është instrument mbikëqyrjeje i rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës.

Përfaqësuesit e FMN-së kanë sugjeruar që autoritetet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare gjatë vitit 2021, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cënuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë, pasi risqet ndaj aktivitetit anojnë kryesisht nga ana rënëse. Sipas tyre vijimi i rindërtimit pas tërmetit duhet të bazohet në një kuadër solid institucional me transparencë dhe llogaridhënie.

"Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë. Financat publike baraspeshim mes mbështetjes për ekonominë dhe adresimit të hendeqeve në zhvillim, me nevojën për të rikrijuar hapësirë për manovrim me politika buxhetore dhe për të ulur borxhin. Rritja e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020 për të zbutur ndikimin e krizave, është e përligjur", shkruan FMN.

Përsa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, FMN parashikon se mund të tkurret me 7.5% në vitin 2020. Deri në fund të këtij viti parashikohet që borxhi publik të rritet pak mbi 80% të PBB-së.

"Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020. Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i Eurobondit në qershor do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë për t'i lehtësuar përkohësisht rregullat për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive mund të vonojë kohën kur ndikimi i goditjeve në cilësinë e aktiveve dhe pozicionin e kapitalit mund të vlerësohet me saktësi. FMN thekson rëndësinë e ruajtes së rregullave për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive në mënyrë që humbjet e mundshme të bankave të vlerësohen sa më saktë të jetë e mundur". Risku i një pandemie më të rëndë kërkon gatishmëri për t’u përshtatur dhe për të ruajtur stabilitetin dhe nënvizojnë se duhet të ruhen rezerva për rastet më të vështira. Sa i përket rindërtimit, sipas FMN-së, ai duhet të bazohet në transparencë.

Në përfundim të vizitës, misioni doli me deklaratën se pikat kryesore, tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur.

Kapaciteti i Shqipërisë për t’i kthyer huanë Fondit është gjerësisht i përshtatshëm, por risqet janë rritur për shkak të krizave. Krahas një pandemie botërore më të rëndë, risqet kryesore vijnë nga defiҫitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme.

Menaxhimi i këtyre risqeve mes pasigurive të mëdha do të kërkojë mbështetjen e vazhdueshme për ekonominë, duke rikrijuar gradualisht hapësirën për manovrim të politikave ndërkohë që rimëkëmbja të hedhë rrënjë, si edhe mbikëqyrje më të afërt të sektorit financiar.

Gjatë vitit 2021, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cënuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë, pasi risqet ndaj aktivitetit anojnë kryesisht nga ana rënëse. Vijimi i rindërtimit pas tërmetit duhet të bazohet në një kuadër solid institucional me transparencë dhe llogaridhënie.

Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies dhe me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike (MFP).

Është e rëndësishme të sigurohen procedurat e duhura të prokurimit, monitorim adekuat dhe raportim në kohën e duhur, mbikëqyrje adekuate dhe auditime të pavarura të mëpasshme. Përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e kuadrit ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe lufta kundër financimit të terrorizmit duhet të vijojnë.


Në raport theksohet rëndësia e përfundimit, miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie solide afatmesme për të ardhurat në vitin 2021, pas konsultimeve të nevojshme publike. Sistemi tatimor i Shqipërisë është kompleks dhe i fragmentuar dhe ndryshimet e shpeshta “ad hoc” e kanë cënuar stabilitetin dhe transparencën. Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin. Ndërkohë që është i rëndësishëm fuqizimi i menaxhimit te investimeve publike dhe cilësia e shpenzimeve.

Në raport ritheksohet thirrja për të unifikuar për përgatitjen, prioritizimin dhe vlerësimin e të gjitha projekteve të investimeve publike, përfshirë edhe partneritetet publike-private (PPP). Përdorimi i PPP-ve me propozim të pakërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Risqet fiskale po rriten dhe duhen monitoruar dhe menaxhuar me kujdes. Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Ligji për PPP-të me të drejtë ka fuqizuar rolin e filtrit që luan Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), e cila duhet të rrisë kapacitetet për të përmbushur këtë detyrë të rëndësishme. MFE duhet të monitorojë nga afër si dhe të raportojë dhe buxhetojë në mënyrë transparente për dy skemat e fundit të dorëzanisë shtetërore.

Duhet të vijojë puna për përmirësimin e ecurisë së sektorit shtetëror të energjisë elektrike dhe të ndërmarrjeve të tjera shtetërore (NSH-ve). Përfaqësuesit e FMN-së shprehen të shqetësuar se Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë risqe të reja fiskale kur të fillojë nga puna. Sipas tyre, autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues. Këto detyrime të prapambetura, jo vetëm që cënojnë klimën e biznesit dhe besimin tek qeveria, por dëmtojnë edhe flukset monetare të bizneseve në një kohë kur tashmë janë nën trysni për shkak të krizave.

FMN vlerson progresin e bërë deri tani për shlyerjen e stokut të detyrimeve të prapambetura të TVSH-së. Një zgjidhje përfundimtare e detyrimeve të prapambetura të TVSH-së kërkon parashikime realiste të të ardhurave, shkëputjen e rimbursimit të TVSH-së nga arkëtimi dhe fuqizimin e masave kontrolluese buxhetore. Niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet për shkak të ndikimit që ka pandemia tek huamarrësit. Po të kemi parasysh se goditjet janë veçanërisht të forta dhe ndikimi i tyre i plotë mund të duket në bilancet e bankave vetëm pas disa kohësh, rritja e pikave të cënueshme në banka mund të mos diktohet në kohën e duhur nëse nuk mbahen nën monitorim dhe menaxhohen me kujdes nga Banka e Shqipërisë. Një prioritet afatshkurtër për Bankën e Shqipërisë është monitorimi nga afër dhe orientimi i ristrukturimit të portofoleve të kredive të bankave. Mbështetim ristrukturimin e kujdesshëm të kredive nga bankat, aty ku është i nevojshëm për të mbështetur huamarrësit që kanë marrë goditje. Është e nevojshme të sigurohet kujdesi dhe njëtrajtshmëria e praktikave të ristrukturimit që ndjekin bankat.


Bazuar në mbikqyrjen sipas riskut, Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë nga afër pozicionin e kapitalit të bankave të cënueshme. Aty ku ka mungesa, një plan i besueshëm për rimëkëmbjen e kapitalit duhet të miratohet, ndërsa përkohësisht kapitali mund të lejohet të bjerë nën kufijtë rregullatorë.

Autoritetet duhet të përgatiten për një rritje të mundshme të kredive me probleme dhe të vijojnë të përmirësojnë kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Duhen rritur përpjekjet për të vënë në funksionim dhe zbatuar me shpejtësi dhe besueshmëri kuadrin e paaftësisë paguese dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të zbatuar kuadrin rregullator për ristrukturimin jashtëgjyqësor të kredive si dhe për të pasur progres në reformën e përmbarimit. Me rëndësi do të ishin edhe përmirësimet e procesit gjyqësor. Rekomandojmë ndjekjen nga afër të risqeve që vijnë nga huadhënia mes palëve të lidhura, huadhënia ndërkufitare dhe ekspozimet e mëdha. Ndërkohë risku i një pandemie më të rëndë, duhet të sjellë gatishmëri për t’u përshtatur dhe për të ruajtur stabilitetin. Kjo pasiguri e paprecedentë e pandemisë nënvizon rëndësinë që ka planifikimi i rezervave.

Në rastin e një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të marrin masa të reja për të siguruar ofrimin adekuat të kujdesit shëndetësor dhe për të mbrojtur grupet më në nevojë, duke identifikuar mundësitë për rishpërndarje të buxhetit dhe financime shtesë dhe për të mbajtur likuid tregun e brendshëm financiar.

Autoritetet duhet të qëndrojnë në gatishmëri për të marrë këto masa si edhe masa të tjera që mund të jenë të nevojshme, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Eliza Lazi