Industria fasone ishte një nga sektorët më të prekur nga kriza si pasojë e pandemisë “Covid- 19”. Kjo, si rezultat i tkurrjes së kontratave nga vendet porositëse. Por të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT, treguan se eksportet e fasoneve shënuan rritjen e parë me bazë vjetore që nga muaji shkurt Eksportet e tekstileve dhe këpucëve iu rikthyen rritjes në muajin gusht.

Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me 16% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar dhe ndihmuan në ngushtimin e ritmeve të rënies së eksporteve shqiptare në tërësi, thuhet në raportin e e INSTAT. Për gushtin eksportet ishin sërish në rënie me 3.4%, por rënia ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me korrikun, kur shënonte nivelin 11.6%. Kjo e përmirësoi bilancin progresiv vjetor, duke e reduktuar rënien e eksporteve në 15.4%, nga 16.8% që kishte qenë për 7-mujorin. Sektori fason siguron rreth 39% të eksporteve totale të vendit, ndaj përmirësimet në këtë grup mund të jenë një sinjal pozitiv për pjesën e mbetur të vitit.

Por, rënia e eksporteve nuk është problematika kryesosre për fasonët shqiptarë. Sipas një anketimi të kryer në 100 sipërmarrje në vend, realizuar nga shoqata e “Pro-Eksport Albania” me antarët e saj, rezulton se mbi 57% e kompanive që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor janë në krizë likuiditeti dhe nuk arrijnë dot të shlyejnë detyrimet tatimore dhe pagat e punonjësve. Nga anketimi rezulton se 88.4% e fabrikave të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri, shprehen se pandemia Covid-19 ka ndikuar negativisht në biznesin e tyre. Sipas tyre, efektet e pandemisë vijojnë të ndikojnë mbi punën e këtij sektori. Problemet e mëdha që hasin sot prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve në vend janë rritja e kostove, ulja e likuiditetit dhe mungesa e klientëve. Ndërkohë që 61.4% shprehen se po e vazhdojnë punën me kapacitet të kufizuar gjatë kësaj kohe dhe vetëm 28% i janë kthyer punës me kapacitet të plotë.

Edhe pse aktivitetet ekonomike për këto biznese rifilluan pas periudhës se karantinës, gjatë muajve Qershor-Gusht, kompanitë e veshjeve dhe këpucëve shprehen se kanë pasur rënie të të ardhurave në nivelin 49.9%.

Përsa i përket politikave të ndjekura nga qeveria gjatë kësaj periudhe, afro gjysma e këtyre kompanive shprehen se ato nuk kanë pasur asnjë ndikim në vijimin e aktivitetit të tyre. 54% e sipërmarrësve fason të anketuar thonë se kredia sovrane ishte e pavlefshme. Dy kreditë sovrane për biznesin fason kanë qenë të leverdishme vetëm për 29.5% të 100 sipërmarrësve të anketuar. Disa thanë se kanë qenë të painformuar, të tjerë u shprehën se kishte shumë kritere të të parealizueshme.

Për Garancinë Sovrane 1 kanë aplikuar vetëm 32.1% e të anketuarve, pjesa tjetër prej 67.9% nuk kanë aplikuar. Ndërsa për Garancinë Sovrane 2 kanë aplikuar vetëm 7.7% e të anketuarëve.

Përfaqësuesit e shoqatës “Pro Eksport Albania” në muajin korrik kërkuan nga autoritetet qeverisëse që të ritrajtonin dhe rikonceptonin kriteret e të dy instrumenteve kredi me garanci sovrane. Gjithashtu ata kërkuan realizimin e një plani afatmesëm nga buxhetii shtetit, i financuar pjesërisht me grante dhe kredi të butë, për sipërmarrjet që kanë nevojë. Kompesime të shpenzimeve mujore të cilat kapin koston e 5 mijë lekëve në muaj për punëtorë, si dhe kontratat që do të lidhen për plotësimin e nevojave për produkte veshjesh dhe këpucësh, të tenderohen ose negociohen vetëm me ndërmarrje prodhuese shqiptare.

Këto kërkesa janë mbështetur edhe nga opzita. Në një takim me përfaqsuesit e shoqatës, kreu i opozitës Lulzim Basha mbështeti kërkesat e tyre për subvecionim të pagës së punonjësve dhe lehtësi fiskale në të ardhmen, si një masë mbrojtëse për këtë industri, që punëson rreth 70 mijë gra e vajza në të gjithë vendin.

Ndërkohë pak ditë më parë kryeministri Rama bëri të ditur se bizneset që janë detyruar të largojnë nga puna punonjësit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, mund t’i rimarrin në punë dhe të përfitojnë pagesën e gjysmës së muajve të punës nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësimit Profesional dhe nëse kontrata e punësimit do të jetë për një vit, qeveria mer përsipër të paguaëj sigurimet shoqërore. Aplikimi duhet të bëhet ne portalin e-albania dhe ai mund të zgjedhë një ish-punonjës ose një individ tjetër të regjistruar nga Shërbimi i Punësimit. Sipas INSTAT, gjatë periudhës së mbylljes së aktivitetit ekonomik 50 mijë individ humbën vendin e punës. Ndërkohë përbën një sfidë fakti që gjatë periudhës së mbetur të vitit të ruhen vendet e punës, në sektorë që u prekën më shume nga kriza.

Rreth 97% e ndërmarrjeve fason mendojnë se politikat e qeverisë në drejtim të këtij sektori duhet të jenë më të theksuara.

Si një nga sipërmarrjet më të prekura nga pandemia Covid-19, fasoneritë humbën rreth 22 mijë punëtorë nga 70 mijë të punësuar në këtë sektor, duke shkaktuar dhe numrin më të madh të humbjeve për punësim në vend.

Vetëm për periudhën prill-qershor 2020, eksportet e këtyre bizneseve , që janë rreth 700 në total në të gjithë vendin ranë me 44% duke shkaktuar një humbje me 130 milion euro, kontrata të bllokuara apo të parealizuara si dhe stoqe të pashitura.

Edhe pritshmëriët nuk janë pozitive, pasi afro gjysma e kompanive nuk kanë kontrata të qarta me klientët për vijimësinë. 48.7% e tyre thonë se prej 15 shtatorit nuk kanë kontrata të sigurta me klientët e tyre, nga 46.2% qe thonë se kontratat e tyre i kanë të qarta, disa i kanë pjesërisht , një pjesë e tyre i shohin të parealizueshme në rast të mungesës së likuiditetit.

Ndërkohë shumë nga këto biznese, për t’i shpëtuar humbjeve të mëdha apo edhe falimentimit zgjodhën një mënyrë tjetër të të ushtruarit të aktivitetit. Sipas burimeve nga shoqata “Pro-Eksport Albania”, 37% e fasonerive në vend vendosën të diversifikojnë veprimtarinë dhe të punojnë për prodhimin e maskave. Kjo zgjidhje u përdor nga fabrikat që merreshin me qepjen e veshjeve. Sipas të dhënave të shoqatës, fasoneritë deri më tani kanë prodhuar mbi 20 milion maska disapërdorimshe, prej copash të ndryshme.

Si një nga partnerët kryesorë në këtë sektor, Italia është dhe eksportuesja më e madhe e këtyre produkteve. Maskat janë eksportuar edhe në vende të tjera si Gjermania, Franca e vende të tjera të BE-së.

Elida Lazi