Përshëndetje të nderuar, miq, dhe mirë se erdhët në rubrikën e radhës “Realitete ekonomike”, ku do të fokusohemi sërish te pandemia, si një temë ende e nxehtë e kësaj periudhe, si dhe te ndikimi që ka ajo te konsumatori.

Prej muajsh, bota po përballet me situata të vështira ekonomike, sociale dhe shëndetësore, si rrjedhojë e pandemisë që shtriu tentakulat në të gjitha shtetet. Janë bërë studime e analiza, për realitetin ekonomik, por edhe për brishtësinë e besimit të konsumatorit.

Pas periudhës së vështirë prej bllokimeve dhe karantinës, ekonomia botërore ka nisur rikuperimin, por jo të gjitha rimëkëmbjet do të jenë të barabarta. Disa vende të pasura, si Gjermania dhe Koreja e Jugut, kanë më tepër shanse t’i rikthehen një “rimëkëmbjeje në formë V-je”. Rruga e rimëkëmbjes së prodhimit të brendshëm bruto në vende të tjera mund t’i ngjajë më tepër një forme L-je ose W-je.

Analiza e revistës “The Economist” për të dhënat e lëvizshmërisë në kohë reale tregon gjithashtu se sa lehtësisht mund të shkojnë për keq rimëkëmbjet ekonomike, pasi konsumatorët reagojnë ndaj mundësisë së përhapjeve të reja.

Disa vende kanë një punë më të rëndë, sepse prodhimi i tyre ka rënë më shumë që nga shkurti, kur filluan të vendosen karantinat. Askush nuk e di ende me siguri se kush e kaluar krizën më mirë ose më keq. Të dhënat e PBB-së për tremujorin e dytë nuk janë ende në dispozicion, dhe në çdo rast, ka të ngjarë të jenë subjekt i rishikimeve të mëdha me kalimin e kohës, siç ndodh shpesh në periudha rëniesh. Por struktura industriale është një tregues.

Sondazhet e aktivitetit ekonomik në Gjermani tregojnë se ajo e ka mbajtur veten më mirë në mes të marsit dhe majit sesa Franca, Italia apo Spanja, thekson “Monitor”.

Kjo mund të jetë për shkak të varësisë së madhe në prodhim, ku vazhdimi i prodhimit në kushtet e distancimit social është më i lehtë sesa në sektorin e shërbimeve të shitjes me pakicë ose hotelerisë.

Njësia konsulente, “Capital Economics”, parashikon që Polonia do të përjetojë tkurrjen më të vogël në Evropë në PBB-në e saj këtë vit, pjesërisht për shkak se mbështetet më pak te turistët e huaj.

Bllokimet dhe efekti në ekonomi

Rreptësia e bllokimeve zyrtare dhe ndryshimeve në sjelljen e njerëzve, duket qartë se ka luajtur një rol të madh. Hulumtimet nga banka “Goldman Sachs”, zbuluan se rreptësia e bllokimit, për sa i përket forcimit të rregullave zyrtare dhe nivelit të respektimit të distancimit social nga njerëzit, është e lidhur fort me aktivitetin ekonomik.

Sipas kësaj matjeje, Italia kishte bllokimin më të rreptë shumicën e kohës. Sipas një llogaritjeje të përafërt, prodhimi i brendshëm bruto i saj për gjysmën e parë të vitit 2020 shikohet të jetë rreth 10% më e ulët. Ndërsa, PBB-ja e Koresë së Jugut orientohet drejt uljes me vetëm 5%.

Heqja e masave bllokuese tani është duke rritur aktivitetin ekonomik. Megjithatë, ai ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Të dhënat e aktivitetit në kohë reale tregojnë se Amerika dhe Spanja janë të prapambetura, jo vetëm për sa i përket frekuentimit të restoranteve, por edhe të vendeve të punës dhe stacioneve të transportit publik. Vendet e tjera po përparojnë me vrull.

Në fund të qershorit, jeta ekonomike në Danimarkë dhe Norvegji ishte kthyer shumë pranë normalitetit. Shitjet me pakicë në Danimarkë u rritën me më shumë se 6% në maj, krahasuar me një rënie dyshifrore në Britani. Restorantet e Gjermanisë u mbyllën në maj. Por, tashmë janë rikthyer në kapacitet të plotë.

Një numër faktorësh ndikojnë në nivelin e rimëkëmbjes ekonomike. Njëri prej tyre është gjendja financiare e familjeve. Mbështetja e qeverisë ka pasur ndikim: në vendet ku pagat stimuluese kanë qenë të mëdha dhe janë përqendruar te familjet, njerëzit kanë krijuar rezerva të mëdha parash, të cilat tani mund t’i shpenzojnë.

Të ardhurat totale të familjeve në Japoni parashikohet që të rriten këtë vit, pjesërisht falë pagesave bujare urgjente nga shteti. Nga ana tjetër, stimuli fiskal në Itali, i cili kishte një borxh të lartë qeveritar edhe para krizës, ka qenë më pak bujar.

Konsumatorët kanë frikë të shpenzojnë

Por, asnjë studim apo analizë nuk vlen pa besimin e konsumatorit. Amerikanët kanë mjaft rezerva parash në xhepat e tyre falë ndihmave stimuluese. Por gjithsesi, janë të kujdesshëm. Një sërë provash tregojnë se nëse konsumatorët kanë frikë, atëherë heqja e masave izoluese nuk krijon ndonjë ndryshim të madh në rezultatet ekonomike. Për shembull, një analizë e studiuesve amerikanë të Universitetit të Çikagos, ka zbuluar se një numër më i lartë i vdekjeve nga Covid-19 ndikon në aktivitetin e ulët të konsumatorit.

Kjo duket se vlen edhe në nivelin vendor. Ata që kanë një numër më të vogël vdekjesh nga Covid-19 për çdo një milion njerëz, i janë rikthyer normalitetit në mënyrë më të vendosur, sipas një analize të “The Economist”, duke përdorur të dhënat nga “Google” për frekuentimet e dyqaneve me pakicë, vendeve të punës dhe stacioneve të transportit publik.

Besimi i konsumatorit mund të ndikohet edhe nga koha e kaluar në karantinë. Norvegjisë iu deshën vetëm dhjetë ditë për të përgjysmuar intensitetin e masave izoluese nga niveli kulmor, ndërsa shumë vendeve të tjera evropiane iu deshën dhjetë javë. Sipas studiuesve, kjo mund të shpjegojë dhe faktin se pse britanikët dhe spanjollët tregohen ende tepër të kujdesshëm.

Shifrat e fundit të lëvizshmërisë tregojnë qartë se sa i brishtë mund të jetë besimi i konsumatorit. Njerëzit në shtetet amerikane, që janë pika të nxehta si Arizona, Florida dhe Nevada, ku virusi po përhapet me shpejtësi, duket se janë bërë më të.

Një matje me frekuencë të lartë e shpenzimeve të kartave amerikane të kreditit nga banka “JPMorgan Chase”, e ndali rritjen rreth 21 qershorit, ndërsa një matëse e shitjeve javore me pakicë mezi është rritur që nga maji.

Çuditërisht, matjet me frekuencë të lartë të tregut të punës tregojnë se punësimi në bizneset e vogla është sërish në rënie. Rreziku i një rënieje të dytë nuk vlen vetëm për Amerikën.

Një rënie e madhe në frekuentimet e restoranteve australiane në fillim të korrikut përkoi me një shpërthim të madh të koronavirusit në Viktoria.

Por, derisa virusi të mposhtet, dhe kjo ende nuk dihet me siguri se kur mund të ndodhë plotësisht, mbetet vetëm një gjë që të thuhet me siguri për rimëkëmbjen: ajo pritet të ndryshojë formë.

Faleminderit që na ndoqët në rubrikën e radhës “Realitete ekonomike” dhe mirudëgjofshim të martën tjetër në të njëjtën orë.

Përgatiti Irma Paloli