Kryeministri Edi Rama bëri të ditur gjatë javës se, paga minimale do të ndryshojë, ndërsa shtoi se asnjë pagë nuk do të jetë më nën 30 mijë lekë. Rama tha se qeveria është në përfundim të draftit për rritjen e pagës minimale ,e detyrueshme kjo edhe për sektorin privat. Kryeminisrti lajmëroi se do të ketë një rishikim të taksimit progresiv, ku sipas tij ,priten zhvillime pozitive.

“Sot jemi duke definuar atë masë që ka qenë një nga objektivat tona, e cila po vjen drejt realizimit, që është vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë. Pra 30 mijë lekë të reja. Për të mos pasur asnjë pagë nën 30 mijë lekë. Këtu kam parasysh sidomos të gjithë ata të punësuar në sektorin e manifakturës, gra në të shumtën e herës, që duhet të konsiderohen si pjesë e këtij procesi të rritjes së pagave dhe në sektorin privat, duke filluar nga paga minimale.

Studimi për një rishikim të sistemit të taksimit progresiv po vazhdon. Besoj edhe aty do të kemi konkluzione pozitive.

Këto masa, duke filluar nga ligji i korrikut ku ne e bëmë realitet zerimin e taksave, e tatimfitimit dhe të TVSH-së, këto nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale dhe nga ana tjetër nuk është se u kutjuam sot, por janë të gjitha fryte që merren në kohë pas një pune të gjatë”, tha kryeministri Rama.

Duke iu referuar shifrave të Bankës Botërore, kreu i qeverisë thotë se Shqipëria u prek më pak nga papunësia e shkaktuar nga masat anti-Covid.

Kryeministri duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, nënvizoi se me nivelin e papunësisë me 11.2%, Shqipëria ka regjistruar nivelin më të ulët në rajon, pasi vendin e punës e humbën 33 mijë punonjës. Ndërkohë nga qershori, 20 mijë prej tyre janë ripunësuar në kompani të reja apo në kompanitë ekzistuese që rifilluan aktivitetin ekonomik. Për 13 mijë të tjerë, që mbetën të papunë gjatë periudhës Mars- Qershor, Rama tha se qeveria ka gati tre programe që nxisin punësimin.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, e ftuar në emisionin ‘Open” në televizionin Top Channel, tha se rritja e pagave të infermierëve dhe mjekëve do të bëhet në masën e 40%. Ajo shtoi e propozimi do të miratohet nga qeveria brenda muajit shtator.

“60 milion dollarë do të jetë rritja dhe kjo do jetë për të gjithë vitet. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do kalojë me Vendim Qeverie brenda muajit shtator. Pagat e mjekëve janë zëri më i rëndësishëm. Ne po flasim për një rritje të dytë të rëndësishme, mbas rritjes 21% të bërë para disa vitesh, e cila do të shkojë në 40%”, u shpreh ministja Denaj.

Ministrja, beri të ditur se një tjetër sektor që do të marrë vëmendje nga qeveria për rritjen e pagave do të jetë dhe sektori i arsimit, por shtoi, se jemi akoma duke diskutuar fazën e rritjes.

Por le të hedhim një vështrim ndër vite se si ka qenë paga minimale.

Rritja e pagës minimale në nivelin e 30 mijë lekëve, sipas deklaratës së fundmi të kryeministrit Rama, do të jetë rritja 18-të, që nga viti 1995. Në harkun e 25 viteve, rritja e pagës minimale ka qenë progresive, ndërkohë që deri në vitin 2005 rritja e pagës minimale ka qenë e dobët.

Që pas vitit 2005 paga minimale është rritur me 2 mijë lekë, edhe pse kjo nuk ka ndodhur çdo vit.

Në vitet 2007, 2012 dhe periudhën 2013-2017, si dhe në vitin 2019, nuk ka pasur asnjë rritje të këtij treguesi. Rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë, vendos një standard të ri në këtë dejtim, pasi për herë të parë paga minimale do të rritet me 4 mijë lekë dhe pritet të sjellë përfitime në ekonominë shqiptare në tërësi.

Çfarë është paga minimale ?

Paga minimale është paga më e ulët për orë, ditore apo mujore që punëdhënësit duhet ti japin në kompesim të punësuarve, në sajë të marrëdhënies së punës. Norma e pagës minimale është paga më e ulët e lejuar rëndom, e rregulluar përmes ligjeve shtetërore.

Elida Lazi