Pasi ka kaluar në disa faza të rëndësishme, vlerësimi dhe studimi, procesi i rindërtimit në Shqipëri, pas tërmetit të 26 nëntorit, ka hyrë në fazën e ndërtimit të objekteve shkollore dhe njësive individuale në 12 bashki. Pavarësisht vështirësive që u shtuan edhe nga kriza financiare e Covid 19, për zyrtarët e qeverisë, procesi i rindërtimit ka ecur mirë. Por ekspertët e opozitës e cilësojnë procesin e rindërtimit të godinave nga tërmeti, të tejzgjatur.

Njësitë përgjegjëse të zbatimit për rindërtimin në 12 bashki janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës. Përsa i përket programit me shkollat, procesi është në fazën e avancuar.

Pjesë e programit të rindërtimit janë dhe njësitë individuale, që pritet të shkojnë në 4 mijë, pasi vlerësimi i thelluar vazhdon. Sipas të dhënave nga Ministria e Shtetit dhe Rindërtimit, janë 2270 shtëpi duke u ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë, ndërsa 1 mijë të tjera janë në prag të fillimit të ndërtimit. Pallatet pritet të fillojnë javën e parë të tetorit, ndërsa për 25 mijë familje ka filluar ndarja e një fondi prej 80 milion dollarësh, i destinuar për rikonstruksion. Në këtë proces janë angazhuar rreth 100 kompani shqiptare.

Ministria e Financave, Anila Denaj gjatë seancës parlamentare bëri të ditur se qeveria shqiptare ka akorduar 34 miliardë lekë (274 mln euro) në fondin e rindërtimit, që menaxhohet nga ministri i shtetit për rindërtimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë alokuar edhe fondet për procesin e rindërtimit, duke përfshirë të gjitha zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në total rreth 11.6 miliard lekë, nga të cilat:rreth 7.3 miliard lekë janë alokuar për rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti;rreth 4.3 miliard lekë janë alokuar për rindërtimin objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti” u shpreh ministrja Denaj

Edhe pse të dhënat për rindërtimin nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar janë në përditësim të vazhdueshëm, nga informacionet paraprake mësohet se deri në këto momente janë më shumë se 56 mijë familje të prekura nga tërmeti, që kanë aplikuar për të përfituar nga programet e rindërtimit.

Nga këto, rreth 23 mijë janë përfitues të programit të granteve të rikonstruksionit. Deri më tani është miratuar një fond prej rreth 80 milionë dollarë. Sipas të dhënave të Ministria e Shtetit për Rindërtimin, pjesa tjetër janë përfitues të programit të rindërtimit, pasi banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme, me shkallë të rëndë dëmtimi.

Procesi i rindërtimit vazhdon të kërkojë financime shtesë nga buxheti i shtetit. 14 miliardë lekë i janë shtuar në ndryshimin e tretë që ka pësuar ky buxhet që nga fillimi i vitit. Fillimisht fondi për rindërtimin ishte 20 miliardë lekë, që u përdor për bonuset e qiranë dhe riparime e rikonstruksione. Aktualisht kanë nisur të përdoren edhe fondet e premtuara nga ndërkombëtarët apo ato të mbledhura nga fondacionet. Për programin e rindërtimit të banesave individuale janë rreth 300 banesa që do të rindërtohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 890 nga Bashkia Tiranë, me një fond total në vlerën 8.3 miliardë lekë dhe ky program ka filluar të zbatohet.

Bashkia Tiranë ka nisur rindërtimin e 48 banesave të para në Farkë, ndërsa janë lidhur kontratat për ndërtimin e rreth 200 banesave. Qeveria ka miratuar vendimin për miratimin e fondit edhe për banesat kolektive, në masën 16 miliardë lekë.

Objektet arsimore janë një tjetër program shumë i rëndësishëm ku është avancuar, edhe falë mbështetjes së disa donatorëve. Janë 143 objekte arsimore në nevojë për rindërtim dhe rikonstruksion. 53 prej tyre janë financiar nga qeveria dhe 90 janë marrë përsipër nga donatorë të ndryshëm, si KE me dy programet EU4Schools, për 22 shkolla në fazën e parë dhe 53 në fazën e dytë; Gjermania, Katari, Sllovakia, Sllovenia, Turqia gjithashtu po mbështesin këtë sektor.

Nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se nga 14 miliardë lekët e shtuara, 11 miliardë lekë akordohen nga buxheti i shtetit dhe 3 miliardë lekë grante. Por këto grante nuk janë specifikuar nëse janë fondet që u mblodhën në konferencën e donatorëve, apo janë fondet që kanë dhënë organizatat joqeveritare.

Shqipëria ka përfituar nga ndërkombëtarët rreth 295.7 milionë euro grante, 853 milionë euro kredi dhe 3.4 milionë euro ndihma për mallra. Aktualisht në disa bashki të vendit ka nisur shpërndarja e fondeve për qytetarët që duan të rikonstruktojnë e banesën personalisht. Bëhet fjalë për ato ndërtime që nuk kanë pësuar dëmtime aq të mëdha, sa për tu shembur.

Nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit të kaluar u dëmtuan edhe monumentet e kulturës, një prej tyre është dhe Kalaja e Krujës. Pak ditë më parë , ishte vetë kryeministri Rama , i cili pasi vizitoi Kalanë bashkë me ministren e Kulturës Elva Margariti, bëri të ditur se kanë nisur ndërhyrjet shpëtuese dhe restaurimet pas dëmtimeve nga tërmeti.

“Paketa e shpëtimit të monumenteve do të dëmtuara, e cila financohet nga Bashkimi Europian dhe donatorë të përvecëm , do të ngrejë cilësinë e hapsirave të Trashëgimisë Kulturore, për ti bërë ato më të vizitueshme dhe më të qëndrueshme edhe financiarisht.” shkruan Rama

Kujtojmë që nga tërmeti i 26 nëntorit, Durrësi ishte qyteti që mori goditjen më të madhe me disa pallate të shembura dhe dy hotele në zonën e plazhit. Thumana ishte një tjetër zonë që u prek rëndë , pasi dy pallate u rrafshuan, duke zënë nën vete 26 persona. Pas tërmetit, qeveria njoftoi një program rindërtimi. Nga tërmeti humbën jetën 51 persona dhe mbi 200 mijë njerëz u prekën në tërësi nga kjo fatkeqësi. U dëmtuan plotësisht 3 mijë e 400 banesa dhe 100 shkolla dhe kopshte, dhe pjesërisht mbi 20 mijë banesa, dhe 43 shkolla me një vlerë dëmi mbi 1 miliard euro.

Elida Lazi