Në fillim të shtatorit Bashkia e Pekinit publikoi zyrtarisht "Planin e veprimit për ekonominë digjitale", "Projektin për krijimin e zonës eksperimentale të tregtisë digjitale", si dhe "Projektin për krijimin e bursës së të dhënave të mëdha të Pekinit".

Pak ditë më parë, në fjalimin e vet në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Tregtisë së Shërbimeve të Kinës 2020, sekretari i përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping shprehu mbështetjen ndaj qytetit të Pekinit për të krijuar një zonë eksperimentale të tregtisë së lirë që bazohet te risitë shkencore, hapja e sektorit të shërbimeve dhe ekonomia digjitale, duke formuar një platformë me nivel të lartë hapjeje për zhvillimin e bashkërenduar të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei. Kështu, do të nxitet më tej Reforma e Hapja me nivel të lartë.

Në "Planin e veprimit për ekonominë digjitale" për periudhën 2020-2022, të publikuar nga Bashkia e Pekinit, propozohet formimi i sistemit për zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe fokusimi te“ndërtimi infrastrukturor, industrializimi digjital, digjitalizimi industrial, administrimi digjital, shndërrimi i të dhënave në vlera praktike dhe zhvillimi i tregtisë digjitale”. Në kuadër të këtij plani do të zbatohen 9 projekte kryesore mbi ndërtimin infrastrukturor, krijimin e bazës për risitë e teknologjisë digjitale, zhvillimin e bashkërenduar mes sektorit digjital e sektorëve të tjerë dhe digjitalizimin e bujqësisë, industrisë dhe të shërbimeve.

Deri në vitin 2022, sipas këtij plani, niveli i ekonomisë digjitale në Pekin do të shënojë rritje të vazhdueshme dhe vlera e shtuar e ekonomisë digjitale do të zërë 55% të GDP-së së qytetit. Pekini do të bëhet zonë pilot dhe zonë demonstrimi për zhvillimin e ekonomisë digjitale për tërë Kinën.

Lidhur me zonën eksperimentale të tregtisë digjitale, janë theksuar pesë misionet kryesore: të formohet gjendja e hapjes për ekonominë dhe tregtinë digjitale të bazuar te tre qendrat, që ndodhen përkatësisht në zonat "Zhongguancun", "Jinzhan" dhe "Daxing" të Pekinit; të eksplorohen mënyrat e sigurta dhe të rregullta mbi qarkullimin ndërkufitar të të dhënave brenda zonës eksperimentale; të nxitet inovimi i politikave për pjesët kryesore të tregtisë digjitale, si qarkullimi ndërkufitar i të dhënave; të krijohet mjedisi i biznesit për ekonominë dhe tregtinë digjitale me hapje, inovim e gjithëpërfshirje, dhe të formohet një mekanizëm pune i hapur dhe bashkëpunues për ndërtimin e zonës eksperimentale.

Në "Projektin për krijimin e bursës së të dhënave të mëdha të Pekinit" përcaktohen pesë karakteristikat e kësaj burse: regjistrimi me autoritet i të dhënave; tregtimi i të dhënave i njohur gjerësisht nga tregu; menaxhimi dhe shërbimi që mbulojnë të gjithë zinxhirin e ekonomisë digjitale; ofrimi i shërbimeve inovative me të dhënat si thelb dhe shndërrimi në një platformë financiare të të dhënave të mëdha të nxitur nga teknologjitë e reja.

Bursa e Pekinit për tregtinë ndërkombëtare të të dhënave të mëdha do të integrojë burimet thelbësore, do të rregullojë tregtimin e të dhënave, do të nxitë përdorimin e përbashkët të të dhënave në internet, do të eksplorojë bashkërendimin e burimeve dhe do të bëjë shfrytëzimin me efektivitet të lartë, për të përdorur burimet e të dhënave për shtimin e produktivitetit të lartë. Kjo do të ndihmojë modernizimin industrial dhe zhvillimin me cilësi të lartë të Pekinit.

Shërbimet dhe mbikëqyrja për sa i përket qarkullimit ndërkufitar të të dhënave janë një pjesë e vështirë në tregtinë digjitale globale.

Nën drejtimin e Administratës Shtetërore të Sigurisë Kibernetike të Kinës, Bashkia e Pekinit do të eksperimentojë menaxhimin e sigurisë mbi qarkullimin ndërkombëtar të të dhënave, posaçërisht për sa i përket pranisë komerciale, pagesave ndërkufitare, konsumit ndërkombëtar dhe lëvizjes së personave natyrorë. Krahas kësaj, Bashkia e Pekinit do të nxitë aktivisht zhvillimin e llojeve të reja të ekonomisë digjitale dhe të shtojë nivelin e administrimit të digjitalizuar, me synim që të ofrojë politika, administrim dhe garanci për ndërtimin e zonës eksperimentale të tregtisë digjitale.

Përveç planeve dhe projekteve, Pekini ka krijuar një platformë për tregtinë e të dhënave. Në këtë platformë, mund të eksplorohen rregullat e tregtimit dhe modeli i qarkullimit, të shfrytëzohen vlerat e të dhënave të mëdha si faktorë tregu dhe të ofrohet mbështetje për krijimin e bursës ndërkombëtare të Pekinit për tregtinë e të dhënave të mëdha. (Jiang Lei)