Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, ekonomia globale ka pësuar goditje të rëndë dhe vendet kanë marrë masa të ndryshme për ta përballuar këtë periudhë të vështirë.

Pasi ka vënë në kontroll përhapjen e epidemisë, Kina ka marrë vendim që krijojë një sistem të ri me “dy qarkullime”, me synim që të shtohet gjallëria në treg dhe të nxitet konsumi i njerëzve.

Për këtë sistem të ri, eksperti nga Instituti Kombëtar për Financë dhe Zhvillim i Kinës Li Yang është shprehur që “dy qarkullimet” në fakt është një transformim strategjik i nxitur nga gjendja epidemike dhe mjedisi i përkeqësuar ndërkombëtar.

Gjatë 40 vjetëve pas Reformës dhe Hapjes të Kinës, mund të shihet qartë që pjesëmarrja në zinxhirin global të prodhimit dhe lehtësimi i tregtisë e investimeve kanë favorizuar vendet e botës dhe janë rruga e vetme për rritjen ekonomike. Tani është propozuar sistemi i “dy qarkullimeve", me qarkullimin e brendshëm si përbërës kryesor, sepse mjedisi i globalizimit është prishur. Kjo është shkaktuar nga vendimmarrësit në disa vende, si dhe nga gjendja e rëndë epidemike në mbarë botën.

Është e vërtetë që “qarkullimi i brendshëm” në Kinë ka epërsi të dukshme ekonomike dhe sistemore. Shumë vende të vogla nuk kanë mundësi ose kushte të krijojnë një qarkullim të brendshëm, ndërsa Kina mund ta realizojë këtë. Kina ka një sipërfaqe e popullsi të madhe, sistem të plotë industrial, treg të madh dhe një strukturë të përshtatshme zhvillimi në krahinat e ndryshme. Kështu mund të formohet një ekonomi me qarkullim të brendshëm të bazuar te ekonomia reale.

Për të krijuar një kornizë të re zhvillimi që bazohet në “dy qarkullimet” dhe që zëvendëson kornizën e mëparshme të bazuar te burimet ndërkombëtare dhe vendore, Kina duhet të bëjë përpjekje gjigante. Kjo në fakt është një strategji afatgjatë dhe kërkon një shqyrtim të gjithanshëm dhe vullnet të vendosur.

Për të nxitur këtë strategji, së pari duhet mbështetja mbi një sistem shumë të zhvilluar të tregut. Kjo kërkon që të bëhen reforma të mëtejshme për një marketizim të gjithanshëm dhe të thellë. Duhet të nxitet reforma për marketizimin e faktorëve të prodhimit dhe të përmirësohet më tej mjedisi i biznesit, për të mbështetur tregun të luajë rolin vendimtar në shpërndarjen e burimeve. Së dyti, duhet medoemos të mobilizohen ndërmarrjet si subjekte kryesore të tregut. Në gjendjen e tanishme, duhet të inkurajohet posaçërisht biznesi i ndërmarrjeve private, të bëhen përpjekje të mëdha për të tërhequr investimet e huaja, si dhe të thellohet reforma e ndërmarrjeve shtetërore, duke mbrojtur interesat e ligjshme të të gjitha formave të pronësisë dhe duke garantuar pjesëmarrje e konkurrencë të ndershme e të hapur, që mbrohen nga ligji në mënyrë të barabartë. Së treti, duhet medoemos të shfrytëzohet pozicioni udhëheqës i Kinës në transformimin digjital e inteligjent, dhe të thellohet ky transformim gjatë procesit të rregullimit të modelit të shpërndarjes së burimeve, me synim që të formohet një model i ri në këtë drejtim me një nivel më të lartë. Ky proces i transformimit nga qarkullimi i jashtëm e i brendshëm në qarkullimin e drejtuar nga tregu i brendshëm, duhet të jetë një proces thellimi i mëtejshëm i reformës për marketizimin e ekonomisë kineze. Vetëm kështu, ky transformim do të jetë pozitiv e i shëndetshëm dhe mund të jetë një hap përparimi historik.

Në fakt, tregu kinez është i lidhur ngushtë me tregun ndërkombëtar dhe ky nivel ndërlidhjeje mbetet i lartë. Nëse përdoret vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit si tregues i nivelit të varësisë së ekonomisë kineze nga tregu ndërkombëtar, gjendja nuk është optimiste. Para 10 vjetësh, niveli i varësisë së Kinës nga tregu i jashtëm ka qenë mbi 60 %. Pas shpërthimit të krizës financiare globale, ky nivel po tkurret vit pas viti. Por në vitin 2019, ai mbeti përsëri mbi 40 %. Është e qartë se zhvendosja e 40 % të GDP-së nga qarkullimi i jashtën në qarkullimin e brendshëm nuk mund të realizohet brenda një periudhe të shkurtër kohe. Kështu, teorikisht mund të themi që qarkullimi ndërkombëtar mund të zëvendësohet nga qarkullimi i brendshëm, por faktikisht ende duhen përballuar shumë probleme, si kostoja, logjistika dhe niveli i përshtatjes. Prandaj, për të krijuar sistemin “qarkullimi i brendshëm si pjesë kryesore, qarkullimi i brendshëm dhe ai ndërkombëtar nxisin njëri-tjetrin”, duhen përpjekje të mëdha dhe gjatë këtij procesi, duhet të bëhen përgatitje për rënien e efektivitetit dhe shpejtësisë së zhvillimit.

Kalimi i qarkullimit ndërkombëtar e vendor në qarkullimin e brendshëm patjetër do të ketë ndikime në disa sektorë kyçë dhe fusha të rëndësishme, por në fusha të tjera civile nuk do të ketë shumë ndikime, pasi bota është e ndërlidhur. Nëse ekonomia kineze pëson rënie, vendet e tjera do të pësojnë rënie; nëse ekonomia kineze rritet, edhe vendet e tjera do të favorizohen.

Pas shpërthimit të epidemisë, hartimi i politikave monetare dhe financiare ka një logjikë të qartë. Nëse ekonomia reale është në gjendje të mirë, do të lehtësohet likuiditeti. Prandaj, duhet të shohim gjendjen ekonomike si edhe gjendjen epidemike: nëse epidemia kontrollohet mirë, politikat nxitëse ose lehtësuese do të rikthehen në gjendje normale.

(Jiang Lei)