Në fund të korrikut u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, ku janë caktuar parimet bazë për punën ekonomike të Kinës në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Kjo mbledhje ka luajtur një rol të dukshëm drejtues lidhur me ekonominë kombëtare. Këtë vit Kina ndodhet në fazën e mëkëmbjes ekonomike pas shpërthimit të epidemisë, prandaj zhvillimi i mbledhjes ka tërhequr mjaft vëmendje.

Në këtë mbledhje u theksua që tani gjendja ekonomike ende është e ndërlikuar dhe përballon një paqëndrueshmëri dhe paqartësi të madhe. Shumë probleme janë afatgjata, prandaj duhet medoemos të shihen si një luftë e zgjatur dhe të krijohet një situatë e re zhvillimi me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor dhe një qarkullim të dyfishtë të bazuar në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

Në fakt, qarkullimi i madh i brendshëm ose qarkullimi i dyfishtë i brendshëm e i jashtëm janë përmendur shpeshherë më parë. Qarkullimi i madh i brendshëm është qarkullimi i të gjithë sektorëve brenda vendit, si prodhimi, shpërndarja, logjistika dhe konsumi. Synimi është që të shfrytëzohet epërsia e përmasave të tregut vendas për të arritur zhvillimin ekonomik me plotësimin e kërkesës së brendshme. Qarkullimi ndërkombëtar quhet si qarkullimi i jashtëm. Kjo do të thotë që të nxitet zhvillimi ekonomik me pjesëmarrjen në zinxhirin global industrial dhe të furnizimit. Gjatë dekadave të fundit ekonomia kineze ka pasur zhvillim të vrullshëm dhe pjesëmarrja e thellë në procesin e globalizimit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Ky model i ri zhvillimi është i lidhur ngushtë me gjendjen e re që përballon ekonomia kineze. Nën ndikimin e epidemisë së COVID-19, ekonomia kineze ka pësuar rënie në gjashtëmujorin e parë. Megjithëse janë marrë masa të plota për mëkëmbjen ekonomike pas kontrollit të epidemisë, për shkak që epidemia nuk mund të kufizohet në disa krahina ose në vendet e tjera, rimëkëmbja e gjithanshme ekonomike është kufizuar dhe tregtia ndërkombëtare ka ndikuar në mënyrë të dukshme në gjendjen ekonomike të vendit. Në raportin për ekonominë botërore të publikuar nga FMN-ja, parashikohet se sivjet ekonomia globale do të tkurret me 4.9 %, ndërsa ekonomitë e zhvilluara do të kenë një ulje prej 8 %. Sipas të dhënave të publikuara nga ShBA-ja, në tremujorin e dytë ekonomia e saj pësoi një rënie me mbi 30 %.

Epidemia në vendet e huaja nuk mund të kontrollohet brenda një kohe të shkurtër dhe kjo ka bërë që, për realizimin e objektivave të zhvillimit ekonomik e shoqëror, Kina duhet të varet te qarkullimi i brendshëm. Sipas të dhënave të viteve të fundit, konsumi është bërë motori më i rëndësishëm për rritjen ekonomike në Kinë. Në gjashtëmujorin e parë, për shkak të epidemisë, niveli i konsumit pati tkurrje, prandaj ka nevojë për riaktivizim. Për këtë arsye, në këtë mbledhje është theksuar që duhet fokusuar te shtimi i kërkesës së brendshme dhe të trajtohet ajo si një pikë mbështetëse me rëndësi strategjike.

Për shtimin e kërkesës të brendshme, baza janë punësimi i plotë dhe rritja e të ardhurave të banorëve. Ndërkohë, duhet të përcaktohet si linjë kryesore reforma e marketizimit të faktorëve të prodhimit, me synim që të shtohet efektiviteti i shpërndarjes së burimeve. Tani ende ekzistojnë disa pengesa në qarkullimin e arsyeshëm të faktorëve, si fondet, toka dhe krahët e punës. Kostoja logjistike ende është e lartë dhe zonat rurale përballen me një hendek për sa i përket tregtisë elektronike.

Qarkullim i dyfishtë do të thotë që zhvillimi ekonomik duhet të bazohet si te tregu i brendshëm, ashtu edhe tregu i jashtëm. Të dy tregjet në fakt janë të lidhur me njëri-tjetrin. Fokusi te qarkullimi i brendshëm nuk do të thotë mbyllje e dyerve, po duhet të shfrytëzohet potenciali i madh i tregut vendas për të nxitur ndërlidhjen më të mirë me tregun ndërkombëtar.

Sa më e vështirë gjendja, aq më shumë duhet të shtohet hapja, për t'iu kundërpërgjigjur antiglobalizimit me hapje më të madhe të tregut dhe me mjedis më të mirë të biznesit. Qarkullimi i shëndetshëm i brendshëm është në të mirë të pjesëmarrjes së ndërmarrjeve kineze në qarkullimin e madh ndërkombëtar dhe pjesëmarrja aktive në konkurrencën ndërkombëtare mund të shtojë konkurrueshmërinë e kompanive të huaja në tregun kinez.

Për momentin, Kina duhet të lehtësojë pragun për hyrjen në tregun e saj, të përmirësojë mjedisin e biznesit, të ulë nivelin e taksave doganore në mënyrë të qëndrueshme dhe të marrë pjesë aktivisht në bisedimet dhe hartimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare, për të nxitur hapjen më të gjerë dhe për t'u integruar më thellë në zinxhirin global industrial dhe të furnizimit. Krahas kësaj, ndërmarrjet e tregtisë së jashtme duhet të orientohen që të ndryshojnë më aktivisht dhe të stabilizohet baza e tregtisë, duke kërkuar raste të reja me modele e teknologji të reja.

Kina ka një treg me përmasa të mëdha. Kjo është baza kryesore e zhvillimit ekonomik të Kinës në një periudhë të ardhshme. Ndërkohë, duhet të nxitet me vendosmëri reforma dhe hapja, për të garantuar nxitjen e ndërsjellë mes qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Kjo është situata e re e zhvillimit ekonomik të Kinës. (Jiang Lei)