Qoftë për qarkullimin e brendshëm me stimulim të konsumit në tregun vendas, ashtu edhe për qarkullimin e jashtëm me stabilizimin e tregtisë së jashtme, një mjedis i mirë biznesi luan një rol shumë të rëndësishëm. Që nga vendimmarrësit deri në organet e pushtetit vendor, përmirësimi i mjedisit të biznesit në Kinë është vënë në një pozicion gjithnjë e më kryesor. Me përmirësimin e mjedisit të biznesit, Kina ka fituar një vlerësim më të madh ndërkombëtar.

Në fund të korrikut, Banka Botërore publikoi raportin “Suksesi i Kinës në përmirësimin e mjedisit të biznesit: motorët e reformave dhe mundësitë për të ardhmen”, ku përmblidhen masat e hollësishme reformuese të Kinës në hapjen e biznesit, marrjen e lejeve në sektorë si energjia elektrike e ndërtimi etj., dhe vlerësohet që, vitet e fundit, Kina ka pasur arritje të mëdha në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Sipas raportit, Kina ka pasur përvojë të suksesshme në krijimin e sistemit koordinues, inkurajimin e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve në përmirësimin e mjedisit të biznesit, shtimin e zbatimit të teknologjisë së informacionit dhe nxitjen e shkëmbimeve të ndërsjella të përvojës lidhur me reformat brenda e jashtë vendit, duke ofruar përvoja që mund të merren nga ekonomitë e tjera të botës në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Si një institucion ndërkombëtar, Banka Botërore ka vlerësuar lart mjedisin e biznesit në Kinë. Kjo tregon që Kina ka bërë arritje pozitive në këtë drejtim. Sipas raportit “Mjedisi global i biznesit 2020”, Kina është ngjitur në vendin e 31-të në renditje , 15 vende më lart se një vit më parë.

Kur flasim për mjedisin e biznesit, gjëja e parë që vjen ndër mend është stabilizimi i tregtisë së jashtme dhe investimeve të huaja, që përshtatet me politikat për zgjerimin e hapjes dhe që në fakt ka si qëllim për të ruajtur "qarkullimin e jashtëm" ekonomik. Vitet e fundit, gjendja ndërkombëtare ka pasur ndryshime të mëdha dhe antiglobalizimi e proteksionizmi janë në rritje, por qeveria kineze gjithmonë ka mbështetur globalizimin, duke premtuar zgjerimin e hapjes. Përmirësimi i mjedisit të biznesit bëhet për të tërhequr më shumë investime nga jashtë. Sipas të dhënave statistikore, vjet import-eksporti i ndërmarrjeve me investime të huaja zuri 39.9 % të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit të Kinës, duke luajtur një rol kryesor në tregtinë e jashtme të Kinës.

Le të marrim Shangain si shembull. Në një konferencë për shtypin më 28 korrik, u publikuan 23 masat për stimulimin e gjallërisë së tregut, me synim që të përmirësohet më tej mjedisi i biznesit dhe të shtohen investimet reale. Ndërkohë, Shangai ka deklaruar që do të mbajë si standard të ashtuquajturën “shpejtësi të 'Tesla'-s”, e cila ka mbaruar ndërtimin e fabrikës së saj në Shangai, ka filluar prodhimin dhe ka bërë regjistrimin në bursë brenda një viti. Nga ky shembull mund të shohim që qeveria i ka kushtuar rëndësi të madhe miratimit dhe shqyrtimit me efektivitet të lartë.

Në fakt, Kina ka pësuar goditje të madhe nga epidemia e COVID-19. Eksporti është një pjesë e rëndësishme e së ashtuquajturës "trojkë" e zhvillimit ekonomik të Kinës. Si tani, ashtu edhe në të ardhmen, mjedisi i biznesit duhet të përmirësohet më tej, për të tërhequr më shumë ndërmarrje ndërkombëtare, për t’u integruar më thellësisht në zinxhirin global të prodhimit dhe për të nxitur zhvillimin e përbashkët të qarkullimit ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm.

Përmirësimi i mjedisit të biznesit është edhe në të mirë të ndërmarrjeve kineze. Për një kohë të gjatë, kompanitë private në Kinë janë përballuar me problemin e mosbarazisë, duke pasur kosto të larta menaxhimi. Pas përmirësimit të mjedisit të biznesit, mund të eliminohen gradualisht problemet, si shërbimi i pamjaftueshëm nga qeveria dhe mungesa e informacioneve të nevojshme. Kjo mund të ulë koston e ndërmarrjeve, të shtojë efektivitetin e prodhimit dhe të nxitë qarkullimin e brendshëm të ekonomisë kombëtare.

Kohët e fundit kanë dalë zëra që theksojnë rëndësinë e qarkullimit të brendshëm, me stimulimin e kërkesës të brendshme dhe shndërrimin e eksportit në konsum të brendshëm. Pa dyshim që, në të ardhmen, zhvillimi i vazhdueshëm i ekonomisë kineze do të bazohet kryesisht te qarkullimi i brendshëm, por edhe qarkullimi i jashtëm duhet të luajë një rol kyç. Të dyja janë të pashmangshme, sepse në ekonominë e tregut tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm janë të pandashëm.

Prandaj, në të ardhmen, duhet të nxitet hapja e gjithanshme me nivel më të lartë nëpërmjet përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe të realizohet shpërndarja efektive e "dy llojeve të burimeve dhe dy llojeve të tregjeve", për të marrë pjesë thellësisht në zinxhirin industrial global dhe për të nxitur entuziazmin dhe gjallërinë e investimeve të huaja në tregun kinez. (Jiang Lei)