Të dhënat ekonomike të Kinës zakonisht tërheqin interesin e publikut. Posaçërisht të dhënat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti kanë ngjallur mjaft vëmendje, duke pasqyruar shkallën e rimëkëmbjes nga epidemia e koronavirusit.

Sipas të dhënave statistikore, në gjashtëmujorin e parë, GDP-ja e Kinës shënoi vlerën 45661.4 miliardë juanë, 1.6 % më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e parë, ekonomia pati rënie me 6.8 %, ndërsa në tremujorin e dytë u rrit me 3.2%. Bashkë me treguesit e tjerë përkatës, mund të shohim që ekonomia kineze po tregon prirje rritjeje. P. sh., importet dhe eksportet njohën rritje, treguesi i prodhimit PMI për katër muaj radhas është ruajtur në nivelin mbi 50, vëllimi i përpunimit të mallrave në porte ka shënuar rritje për tre muaj me radhë dhe në qershor konsumi i energjisë elektrike pati rritje me 6.1%.

“Rihapja” e Wuhan-it do të thotë që epidemia brenda Kinës është vënë nën kontroll dhe në tremujorin e 2-të, ekonomia është rikthyer në binarët e mëkëmbjes së plotë. Në kushtet kur disa sektorë nuk janë mëkëmbur dhe epidemia jashtë vendit është në përhapje të vazhdueshme, një rritje 3.2% është vërtet një arritje e vështirë.

FMN-ja ditët e fundit ka publikuar raportin e saj për parashikimin e ekonomisë botërore, sipas të cilit sivjet ekonomia globale do të pësojë rënie me 4.9%, ndërsa Kina do të jetë e vetmja që do të shënojë rritje, e cila parashikohet të jetë 1%.

Arsyeja për parashikime të tilla pozitive për ekonominë kineze është që epidemia është vënë nën kontroll brenda Kinës dhe qysh nga marsi, të dhënat ekonomike janë futur në fazën e mëkëmbjes. Janë marrë masa të përshtatshme dhe infrastruktura e re është bërë forca kryesore për stabilizimin e ekonomisë kineze. Të dhënat statistikore tregojnë që mëkëmbja e investimeve në infrastrukturë është një nga faktorët nxitës për rikthimin e shpejtë të rritjes ekonomike në tremujorin e dytë. Në maj, niveli i investimeve infrastrukturore është 11% më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar nivel rekord në vitet e fundit. Në qershor kjo prirje vazhdoi të forcohet dhe në gjashtëmujorin e parë, investimet në pasuritë e paluajtshme e rritën 1.9 %.

Ditët e fundit, Këshilli i Shtetit ka nxitur krahinat e ndryshme të shpejtojnë procesin e dhënies së bonove të pushtetit vendor, duke shprehur mbështetje për ndërtimin infrastrukturor në sektorin e shëndetit publik, me synim që të stabilizohet ekonomia nëpërmjet shtimit të investimeve.

Nga të dhënat ekonomike mund të shohim qartë që në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shënoi rënie të dukshme dhe konsumi pësoi një goditje shumë të madhe. Vëllimi i shitjes me pakicë në gjashtë muajt e parë arriti në 17225.6 miliardë juanë, 11.4 % më pak se në 2019-n. Nga të dhënat e konsumit dhe investimeve, del se mëkëmbja në fushën e kërkesës është më e vogël se në atë të ofertës. Megjithëse ka pasur një mjedis të lehtësuar monetar, treguesi CPI ka treguar një gjendje të dobët të konsumit.

Si motori më i rëndësishëm për rritjen ekonomike, nëse konsumi nuk mëkëmbet, ekonomia kombëtare nuk do të ketë një përtëritje të vërtetë. Për rigjallërimin e ekonomisë, nga njëra anë duhet të hapen të gjitha vendet e konsumit dhe të hiqen pengesat për kërkesën e arsyeshme të konsumit të publikut. P. sh., Administrata Shtetërore e Filmit e Kinës publikoi një vendim që kinematë në krahinat e vendit mund të rifillojnë biznesin qysh nga 20 korriku, me masa efektive antiepidemike. Nga ana tjetër, konsumi i brendshëm duhet të bazohet te një politikë e vazhdueshme nxitëse dhe të krijohet një mjedis garantues, ku njerëzit të mos jenë të shqetësuar, por të jenë të gatshëm për konsum.

Një masë efikase janë kuponat e konsumit dhe konsumi në internet. Një masë tjetër mund të jetë konsumi në sektorin publik, si shërbimet publike. Me shtimin e blerjeve qeveritare, mund të nxitet konsumi i brendshëm.

Krahas kësaj, uljet e taksave dhe e çmimeve janë masa të pashmangshme. Megjithëse ka një presion të madh në anën fiskale, duhet të favorizohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për t’i ndihmuar ato ta kalojnë këtë gjendje të vështirë.

Nëse ndërmarrjet favorizohen në mënyrë të arsyeshme, punonjësit e tyre mund të shtojnë konsumin dhe fondet e kreditimit do të rrjedhin në ekonominë reale, çka do të krijojë një cikël pozitiv “fitime ndërmarrjesh - rritje të ardhurash - nxitje punësimi”.

Në përgjithësi, gjendja ekonomike e Kinës është duke u mëkëmbur, por për të garantuar zhvillimin e vazhdueshëm, posaçërisht për të arritur objektivat shtetërorë në fushat kyçe, si punësimi dhe dalja nga varfëria, duhet të sigurohet rritja ekonomike. Kjo duhet të bazohet te një motor i përgjithshëm ekonomik, me investime dhe konsum.

(Jiang Lei)