Hainan-it i është dhënë statusi i portit të tregtisë së lirë dhe me këtë status të ri duhet të ketë më shumë risi në procesin e ndërtimit.

Ditë e fundit, Kina ka publikuar planin e përgjithshëm për ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, ku vihet në dukje se deri në vitin 2025, do të hartohen në mënyrë fillestare një sistem politikash për portin e tregtisë së lirë me lehtësi për tregtinë dhe investimet. Deri në vitin 2035, porti i tregtisë së lirë do të bëhet një pikë e lartë për ekonominë e hapur të Kinës dhe deri në mes të shekullit, do të formohet porti i tregtisë së lirë me ndikim të madh ndërkombëtar.

Ndërtimi i portit të tregtisë së lirë në Hainan është një vendim i madh strategjik nga Kina. Ky vendim është marrë në bazë të gjendjes së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, me synim që të nxitet zhvillimi novator i socializmit me karakteristika kineze. Kjo është një detyrë e rëndësishme në procesin e Reformës dhe Hapjes të Kinës në epokën e re. Për të arritur objektivat e caktuar nga plani i përgjithshëm, faktori më e rëndësishëm është inovacioni dhe risitë sistemore duhet të zënë një vend të dukshëm.

Nga zonat e posaçme ekonomike dhe zonat e tregtisë së lirë, deri në vendimin për të krijuar tani Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it, krahas zhvillimit ekonomik-shoqëror, ka gjithmonë edhe një detyrë të rëndësishme: këto zona janë si një dritare dhe terren eksperimental i Reformës e Hapjes dhe, pas praktikave novatore, do të promovohen përvojat e suksesshme në krahina të tjera të vendit.

Sipas raportit të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të paraqitur gjatë dy sesioneve të sivjetshme, në vitin 2019 janë promovuar në mbarë vendin 49 masa novatore të marra në zonat e tregtisë së lirë dhe janë përhapur gjithsej 223 masa të tilla. Qysh nga krijimi në vitin 2013 i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, janë zbatuar 202 masa novatore që janë përhapur në krahinat e tjera.

Për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë në Hainan, krijimi i risive ka një vend të rëndësishëm. Në planin e përgjithshëm është theksuar që duhet të forcohen konceptet reformuese dhe inovative, duhet t'i jepen Hainan-it më shumë të drejta të vetëreformimit dhe të përkrahet Hainan-i për nxitjen e reformës dhe krijimit të risive në mënyrë të gjithanshme e të fuqishme, me synim që të eksplorohen rregullat ligjore, modelet mbikëqyrëse dhe sistemi menaxhues që përshtaten me portet e tregtisë së lirë. Krahas këtyre, duhet të bëhen më shumë përpjekje për të hequr pengesat ndaj qarkullimit të faktorëve të prodhimit.

Risitë në fakt përfshijnë dy faktorë: mbështetjen nga shteti dhe eksplorimin nga ndërmarrjet sipas parimeve bazë.

Lidhur me ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping ka theksuar që provinca Hainan duhet të zbatojë seriozisht vendimet e shtetit, të zbatojë sa më parë fazën e parë të planit dhe me vullnet "të çeliktë" të krijojë një bazë të fortë për portin e tregtisë së lirë. Krahas kësaj, edhe sektorët përkatës të vendit duhet të mbështesin risitë në Hainan dhe të nxisin arritjet e reja gjatë procesit të ndërtimit.

Lidhur me pikat konkrete, në këtë plan të përgjithshëm është propozuar që të hartohet një ligj për Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it dhe të caktohen në mënyrë të qartë dhe ligjore sistemet përkatëse, me synim që të ofrohet garancia ligjore bazë për ndërtimin e portit. Vlen të përmendet që ligji i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it nuk është i nivelit vendor, por kombëtar. Në këtë plan të përgjithshëm kërkohet që të krijohet një sistem ligjor i përbërë nga rregulla në nivel vendor dhe sisteme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, për të formuar një mjedis ligjor të nivelit të lartë ndërkombëtar.

Për eksplorimin nga ndërmarrjet, duhet të qartësohen dy gjëra: caku fundor dhe drejtimi i qartë.

Cak fundor do të thotë që duhet të zbatohen politikat e hapjes me hapa të qëndrueshëm dhe të mos kërkohen arritje të shpejta. Duhet të shtohet mbikëqyrja gjatë ose pas procesit të ndërtimit dhe të mbështetet hapja me nivel të lartë nëpërmjet risive në mbikëqyrje, për të garantuar zhvillimin e shëndetshëm të ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it.

Risitë kanë një kërkesë të përgjithshme për të pasur liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë si fokus dhe qarkullimin e sigurt e të efektshëm të faktorëve të prodhimit si bazë mbështetëse.

Kjo në fakt është një kërkesë e përgjithshme, por masat e hollësishme të zbatimit duhet të hartohen nga Hainan-i. Hainan-it i është caktuar statusi i portit të tregtisë së lirë dhe duhet të ketë frymën e të mësuarit dhe risive. Nga njëra anë, Hainan-i duhet të mësojë në mënyrë të plotë mënyrat dhe sistemet moderne të menaxhimit nga portet ndërkombëtare të tregtisë së lirë. Nga ana tjetër, duhet të guxojë të kërkojë më shumë metoda novatore që përshtaten me gjendjen e vet. (Jiang Lei)