Pa dyshim, epidemia COVID-19 ka shkaktuar një sfidë jashtëzakonisht të madhe për objektivin e Kinës për zhdukjen e gjithanshme të varfërisë. Detyra e tanishme urgjente është të qartësohen goditjet nga kjo epidemi dhe të merren masa përballuese, për të pakësuar rikthimin në varfëri dhe për të bërë përpjekje të realizohet sa më parë objektivi i zhdukjes së varfërisë.

Në raportin e paraqitur në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2017, u shpreh qartë që, në vitin 2020, të gjithë të varfrit në zonat rurale duhet të dalin nga varfëria. Në atë kohë, numri i të varfërve në mbarë Kinën ishte 31 milionë. Deri në fund të vitit 2019, numri i tyre është pakësuar në 5.5 milionë. Në bazë të kësaj prirjeje, nëse nuk kishte ndodhur goditja nga epidemia e koronavirusit, deri në fund të vitit 2020, në mbarë Kinën mund të arrihej objektivi për zhdukjen e gjithnashme të varfërisë.

Epidemia ka sjellë një sfidë gjigante për objektivin e Kinës për nxjerrjen e gjithanshme nga varfëria. Duhet të kuptohet qartë ky fakt dhe detyra e tanishme është që të vlerësohet goditja në mënyrë të hollësishme, të merren masa përballuese dhe të pakësohet rikthimi në varfëri, duke bërë përpjekje për arritjen sa më parë të objektivit.

Lidhur me ndikimet nga epidemia mbi tregun e punësimit dhe njerëzit e varfër, përveç masave të zakonshme, për të ndihmuar të varfërit duhet të merren edhe masa urgjente e masa strukturore.

Masat urgjente:

1. Parandalimi i rikthimit në varfëri. Së pari, duhet të merren të dhënat mbi 5.5 milionë njerëz të varfër dhe të bëhet vlerësim mbi ndikimet që kanë pasur nga epidemia, si dhe nëse është ndikuar programi i nxjerrjes së këtyre njerëzve nga varfëria. Së dyti, duhet të bëhen hetime mbi ndikimet ndaj njerëzve që kanë dalë nga varfëria në vitin 2019, posaçërisht mbi problemin nëse ata janë rikthyer në gjendjen e varfër.

Në bazë të këtyre hetimeve dhe vlerësimeve, duhet të merren masa të sakta përballuese dhe të pakësohet sa më shumë numri i atyre që bien sërish në varfëri.

2. Të rritet efektiviteti i ndihmave për të varfrit me mënyrë digjitale. Në epokën e të dhënave të mëdha, të identifikohen dhe të klasifikohen në mënyrë të saktë njerëzit e varfër. Në këtë bazë, të përfshihen njerëzit e varfër në platformat e prodhimit dhe të shitjes, si dhe në zinxhirin e prodhimit, të zgjidhet mosbalancimi mes ofertës dhe kërkesës, për të shtuar saktësinë e dhënies së ndihmës dhe për të sjellë përfitime të vërteta për njerëzit e varfër në këtë epokë digjitale.

3. Të shtohet më tej mbështetja fiskale dhe financiare për të varfrit. Duke marrë parasysh ndikimin e epidemisë këtë vit mbi njerëzit me të ardhura të ulëta dhe presionet fiskale të qeverisë, janë këshilluar që të emetohen obligacionet e posaçme shtetërore me vlerë prej 300 miliadë juanësh për programet e largimit nga varfëria, për të garantuar fonde të mjaftueshme për jetesë, trajnim profesional dhe prodhim të atyre të varfër dhe atyre që janë rikthyer në gjendjen e varfër.

4. Të zhvillohen falas trajnimet profesionale për të ndihmuar të varfrit të zotërojnë njohuri e mjeshtëri të reja dhe të gjejnë punë në sektorët e rinj. Kjo ka rëndësi të madhe për konsolidimin e arritjeve në këtë drejtim.

5. Të rritet niveli i garantimit të sigurimeve të papunësisë dhe të shëndetësisë. Për një kohë të gjatë, në sektorin e sigurimeve u janë kushtuar rëndësi sigurimeve shëndetësore dhe pensioneve të pleqërisë, teksa sigurimi i papunësisë nuk ka pasur vëmendje të mjaftueshme. Deri në fund të vitit 2019, ndër 770 milionë të punësuarit në Kinë, vetëm 26% kishin blerë sigurimin e papunësisë. Përpara goditjeve kaq të rënda si epidemia e koronavirusit, disa njerëz, posaçërisht ata me të ardhura të ulëta, nuk mund të marrin ndihma nëpërmjet sistemit të sigurimeve. Kështu, detyra urgjente është që të zgjerohet sfera e mbulimit të sigurimeve, posaçërisht për njerëzit me të ardhura të ulëta.

Masat strukturore:

Nxitja e zhvillimit të ndërmarrjeve private është mënyra më e rëndësishme për stabilizimin e punësimit dhe zhdukjen e varfërisë. Tani, ndërmarrjet private në Kinë kanë dhënë kontribut për 60% të GDP-së së vendit dhe për 80 % të punësimit. Por nga ana tjetër, ndërmarrjet private janë goditur më rëndë nga epidemia dhe përballen me falimentimin, çka do të ndikojë në nivelin e punësimit.

Kështu që duhet të shtohet mbështetja e mëtejshme për ndërmarrjet private, të ulen taksat dhe kostot e financimit, të trajtohen në mënyrë të barabartë ndërmarrjet private dhe të eliminohen krejtësisht shqetësimet e tyre për investime dhe zhvillim. Vetëm nëse stimulohet ekonomia private, do të stabilizohet gjendja e punësimit dhe kjo është garancia më e mirë për zhdukjen e gjithanshme të varfërisë.