Përpjekjet e mëdha për rigjallërimin e Saihanba-s si një nga pyjet më të mëdhenj në botë të krijuar nga njeriu janë të rrënjosura në filozofinë e lashtë kineze të bashkëjetesës paqësore, raporton Cheng Yuezhu.

Nga një shkretëtirë e djerrë, që nxiti stuhi të forta rëre, në një pyll të gjelbëruar që i siguron Pekinit dhe rajoneve përreth një mburojë kundër fatkeqësive natyrore, Saihanba, në provincën Hebei, është thjesht një mrekulli e gjelbër.

VCG

VCG

Përpjekjet epike të tre brezave të pylltarëve kanë transformuar hektarë tokë të thatë në një pyll të lakmueshëm të krijuar nga njeriu dhe familja e Zhang Jianglai është krenare që ka kontribuar në projektin e jashtëzakonshëm.

I lindur dhe i rritur në këtë zonë, 29-vjeçari Zhang kujton se si babai i tij shofer kamioni punonte ditë e natë për të transportuar lëndë drusore për fermën pyjore.

“Më kujtohet mirë dita kur babai më çoi për herë të parë në Saihanba. Ishte si një oqean i gjelbër. Rreshtat e pemëve shtriheshin aq sa mund të shihnin sytë”, -thotë ai.

VCG

VCG

Ajo ditë la një gjurmë të pashlyeshme në mendjen e tij dhe pasi u diplomua në prodhimin dhe menaxhimin e farërave nga Universiteti “Hebei North” në vitin 2016, Zhang aplikoi për punë në fermën pyjore. Ai filloi të punojë në zonën e Dahuanqit si teknik dhe mori pjesë në një program pyllëzimi në pranverën e vitit 2017.

Në të njëjtin vit, komuniteti i pyllëzimit Saihanba mori çmimin e OKB-së për kampionët e tokës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rregullimin e peizazhit të degraduar.

Sidoqoftë, rruga drejt lavdisë nuk ishte e lehtë. Temperatura shpesh binte nën -20 gradë celsius dhe sezoni mesatar pa ngrica zgjati për rreth dy muaj, gjë që nënkuptonte së mbjellja e pemëve dhe sigurimi i mbijetesës së tyre ishte një detyrë madhështore.

VCG

VCG

Ekipi i pyllëzimit zakonisht arrinte rrëzë maleve në orën 04:30 dhe më pas ngjitej për një orë ose më shumë në vendin e caktuar të plantacionit. Moti i paparashikueshëm ishte sfida më e vështirë, kujton Zhang, pasi në mëngjes mund të ishte mot me diell, ndërsa në drekë mund të binte dëborë.

“Historia ime është vetëm një copëz e jetës së të rinjve që punojnë në fermën pyjore. Paraardhësit tanë hodhën një themel të fortë. Ne po qëndrojmë mbi atë themel dhe po ecim përpara”, -thotë Zhang, tani drejtor i seksionit pyjor Xiahebian të Dahuanqi.

Historikisht Saihanba ka qenë burim i bollshëm i florës dhe faunës, por shpyllëzimi filloi në fund të dinastisë Qing (1644-1911). Luftërat dhe konfliktet në gjysmën e parë të shekullit XX e kthyen atë në një shkretëtirë. Mburoja e pyjeve u zhduk, stuhitë e rërës filluan të godasin zonat fqinje, përfshirë Pekinin, me një frekuencë alarmante. Në vitin 1962, qeveria qendrore krijoi Fermën Mekanike të Pyjeve Saihanba dhe angazhoi një ekip të përkushtuar prej 369 të rinjsh për të ringjallur mushkërinë e gjelbër.

Sot, mbulesa pyjore e zonës është rritur nga 18 për qind në një 82 për qind premtuese. Sipas Zhang, fokusi i fermës pyjore tani është zhvendosur nga mbjellja e pemëve në mbrojtjen e ekologjisë duke futur më shumë specie dhe duke përmirësuar rezistencën ndaj sëmundjeve. Ferma ka adoptuar gjithashtu teknologji të avancuara, duke përfshirë monitorimin me video, mbikëqyrjen me dron dhe ndihmën me radar, për të parandaluar rreziqet nga zjarri.

VCG

VCG

Gjatë një inspektimi në gusht të vitit 2021, presidenti kinez Xi Jinping tha se brezat e punëtorëve atje kanë farkëtuar, nëpërmjet veprimeve konkrete, shpirtin e Saihanba, duke i qëndruar besnik aspiratës origjinale dhe duke ndjekur zhvillimin e gjelbër.

Në një deklaratë në Samitin e OKB-së për Biodiversitetin, përmes videokonferencës në vitin 2020, presidenti Xi tha se Kina gjithmonë i jepte përparësi progresit ekologjik dhe e përfshin atë në çdo dimension dhe fazë të zhvillimit ekonomik dhe social. Sipas kreut të shtetit kinez, qëllimi është të kërkojmë një lloj modernizimi që promovon një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe natyrës.

Një lidhje natyrale

Ky koncept i bashkëjetesës rrjedh nga termi “tianrenheyi” në filozofinë e lashtë kineze. “Tian” do të thotë “qiell”, por përkufizimi i tij shtrihet edhe më tej, duke përfshirë natyrën dhe rendin e gjërave të përcaktuara nga natyra dhe të ndjekura nga njerëzit.

Filozofi taoist Zhuangzi deklaroi: “Qielli dhe toka kanë lindur njësoj me mua dhe mijëra gjëra janë një me mua”. Por, ideja e harmonisë midis njerëzve dhe natyrës nuk kufizohet vetëm në taoizëm. Filozofi konfucian Mencius ka thënë: “Të kesh dashuri për njerëzit, por edhe të çmosh gjithçka tjetër”. Ndërsa Zhang Zai nga Dinastia Song (960-1279) parashtroi nocionin se “të gjithë njerëzit janë vëllezër dhe motra dhe të gjitha gjërat janë të barabarta”.

Një ekspert në kulturën tradicionale, Guo Wenbin thotë se arsyeja kryesore pse shkolla të ndryshme të mendimit, duke përfshirë konfucianizmin dhe taoizmin, e kanë ngritur dhe theksuar konceptin është se ato ndajnë të njëjtat rrënjë kineze, të cilat mbështeten shumë në vëzhgimet astronomike.

Një shembull i kësaj është kalendari kinez hënor që thekson ndikimin e Diellit dhe Hënës në jetën e përditshme të njerëzve. Ai luajti një rol të rëndësishëm në Kinë për mijëvjeçarë, pasi drejtoi prodhimin bujqësor.

VCG

VCG

“Në filozofinë e lashtë kineze, natyra dhe gjithçka në të janë të barabarta. Së bashku, ne jemi një. Kjo është arsyeja pse filozofia e lashtë kërkon që ne ta trajtojmë natyrën me mirësi dhe nderim. Njerëzit e lashtë kinezë madje e personifikonin natyrën. Ata besonin se pemët dhe bari kanë ndjenja dhe se këto duhet të respektohen”, -thotë Guo.

Ai theksoi se vendlindja e tij, Xihaigu, në rajonin autonom Ningxia Hui, u përball me një gjendje të ngjashme me atë të Saihanba. Pas dekadash kontrolli të shkretëtirëzimit dhe promovimit të pyllëzimit, fati i Xihaigut ndryshoi. Hektarët dikur djerrë tani janë një peizazh natyror piktoresk.

“Nën këtë kornizë filozofike, marrëdhënia midis natyrës dhe njerëzve është ndërvepruese. Ne duhet t'i jemi mirënjohës natyrës. Nëse vazhdojmë të jemi të tillë, natyra do të na shpërblejë me më shumë mirësi”, -thekson Guo.

Histori suksesi në statistika

Sipas shifrave të vitit të kaluar, të vëna në dispozicion nga Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, mbulimi pyjor i Kinës është përmirësuar nga 8.6 për qind gjatë gjashtë dekadave më parë në 23.04 për qind deri në fund të vitit 2020. Vendi ka krijuar 11.800 zona natyrore të mbrojtura, duke ofruar mbrojtje për rreth 90 për qind të llojeve tokësore të ekosistemit, 85 për qind të specieve të kafshëve të egra dhe 65 për qind të komuniteteve të bimëve të larta. Gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), kontrolli i shkretëtirëzimit u krye në më shumë se 10 milionë hektarë dhe afërsisht 4 milionë hektarë tokë bujqësore u kthyen në pyje ose kullota.

Në Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-25) thuhet se ndër objektivat kryesore do të jetë përparimi në ndërtimin e një qytetërimi ekologjik. Qëllimet specifike sugjerojnë se konsumi i energjisë dhe emetimet e dyoksidit të karbonit për njësi të PBB-së synohet të reduktohen përkatësisht me 13.5 për qind dhe 18 për qind; shkarkimi total i ndotësve kryesorë pritet të reduktohet vazhdimisht; mbulesa pyjore pritet të arrijë në 24.1 për qind; dhe mjedisi do të përmirësohet vazhdimisht për një mbrojtje më të fortë ekologjike.

VCG

VCG

Në shtator 2020, Kina njoftoi gjithashtu se synonte të arrinte kulmin e emetimeve të dyoksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të arrinte neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060.

“Botëkuptimi i unitetit midis natyrës dhe njerëzve sqaron përgjegjësitë dhe detyrimet e njerëzve ndaj të gjitha gjërave. Ai vendos një vijë të kuqe për sjelljen njerëzore, duke theksuar se ne duhet të kujdesemi dhe të respektojmë natyrën, të veprojmë në përputhje me ligjet e natyrës dhe të respektojmë burimet natyrore. Ai synon të ruajë ekuilibrin dhe të arrijë gjendjen e bashkëjetesës harmonike mes njerëzve dhe natyrës, duke dhënë një udhëzues praktik të rëndësishëm për ndërtimin e një filozofie ekologjike me karakteristika kineze dhe kërkimin e zhvillimit të qëndrueshëm”, -deklaroi Guo Qiyong, profesor nga Universiteti Wuhan, në një artikull për “People's Daily”.