Muajt e ardhshëm, sipas shkencëtarëve në të gjithë globin, parashikohen të vështirë përballë pandemisë, e cila për një moment u mendua se u vendos nën kontroll, por shumë vende kanë ndezur përsëri alarmin e kuq. Ringarkimi i spitaleve, shtyrja e procesit mësimor dhe shpërthimi i varianteve të reja i kanë vënë në një gatishmëri shumë të lartë personelin shëndetësor, por mbi të gjitha shkencëtarët në kërkim të rrugëve të shpejta dhe efektive për neutralizimin e përhapjes.

Gjatë gjithë këtij viti u fol shumë për vaksinat, për angazhimin e shteteve më të fuqishme e qendrave kërkimore-shkencore më të njohura për të realizuar një preparat mbrojtës imunitar dhe pavarësisht arritjeve, ekspozimi ndaj virusit mbetet shumë i lartë. Në këtë stuhi globale të pandemisë, disa shtete kanë filluar të marrin frymë lirisht dhe janë në kufijtë e normalitetit, por pjesa më e madhe e botës, është nën kërcënimin e masave radikale dhe të një vale të re virusi. Rreziku sipas shkencëtarëve vjen nga shpërndarja e pabarabartë e vaksinave, nga grumbullimi i tyre tek vendet e pasura dhe ekspozimi i vendeve të varfëra ndaj pandemisë, por edhe tek variantet e reja, të cilat po shfaqen si rezistente ndaj virusit.

Pandemia e shkaktuar nga Covid 19 sipas epidemiologëve do ndjekë kurbën dhe rrugën e ndjekur nga pandemi të ngjashme, pasi kemi të bëjmë me nje patogjen të trasmetueshëm, por krahasuar me gripin spanjoll të fillim shekullit të kaluar, rrezikshmëria që paraqet është më e lartë. Fakti është se Covid 19 është përballë një angazhimi shkencor shumë më të lartë dhe ku çdo element në luftimin e tij ka evoluar shumë, krahasuar me atë që ndodhte për përballimin e luftimin e gripit spanjoll. Vaksinat e realizuara në një kohë rekord, e kanë neutralizuar në mënyrë të ndjeshme, por shpërthimi i varianteve të reja, e ka komplikuar situatën e kësaj periudhe. Jo gjithnjë mutacionet e reja janë më të rënda se ato nga prej rrjedhin, por pandemia rrezikon të jetë me pasoja në rritje edhe për faktin se virusi përshtatet me mjedisin e ri.

Ndryshe nga optimizmi i shkencëtarëve që mendonin se pandemia do neutralizohej shpejt pas daljes së vaksinës, gjërat nuk kanë shkuar në rrjedhën e duhur, mbase edhe për faktin se vaksinat akoma nuk janë një ofertë për të gjithë. Ka shtete që kanë avancuar së tepërmi dhe ndjehen më të sigurt për periudhën që parashikohet kritike nga muaji tetor deri në mars- prillin e vitit të ardhshëm. Më shumë se 6 miliardë vaksina janë administruar deri tani në të gjithë botën dhe prodhimi vazhdon, por kjo shifër e lartë të cilën e udhëheq Kina, disa vende të BE-së dhe SHBA-ja rrit mesataren e vaksinimit, por nuk rikuperon dot gjendjen e ulët të vaksinimit në shumë vende të Afrikës, ku dy dozat të janë injektuar vetëm tek afro 5 % e popullsisë.

Deri disa ditë më parë në Kinë ishin injektuar afro 2.2 miliardë vaksina, ndërkohë që mbi një miliardë njerëz janë vaksinuar plotësisht. Ditët e fundit në vendin me popullsinë më të madhe të botës kanë ndryshuar edhe protokollet mjekësore, për të parandaluar që në shfaqjen e parë çdo rast të ri, gjë që ka bërë të mundur që vendi të ruajë një qetësi dhe normalitet të pranueshëm në këtë situatë rishpërthyese pandemike. Shtrirja e shpejtë e programit të vaksinimit është shoqëruar në Kinë edhe me një vëmendje të rritur për të mbajtur nën kontroll mutacionet e reja, sidomos variantin Delta. Protokolli i përditësuar së fundi përcakton që testimi masiv i acidit nukleik në një qytet me më shumë se 5 milionë banorë, të përfundojë në harkun kohor të tri ditëve. Përditësimi i protokollit ka si qëllim përballimin në mënyrë efektive të çdo shfaqjeje të varianteve të reja Delta, por edhe mutacioneve të tjera.

Megjithëse rastet në Kinë janë shumë të vogla e mund të konsiderohen të papërfillëshme krahasuar me vende të tjera, përsëri masat dhe angazhimi për vaksinim, mbeten tepër të larta dhe në fokus të një vëmendje të shtuar të qeverisë. Po ashtu Kina, vijon përmes një solidariteti të spikatur të shpërndajë doza vaksinash falas në një sërë vendesh të vërfëra, ose me të ardhura të ulta. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti kinez Xi Jinping njoftoi se Kina do të rrisë përpjekjet për të ofruar 2 miliardë doza vaksinash për botën përveç dhurimit të 100 milonë dollarëve për COVAX si edhe 100 milionë doza shtesë për vendet në zhvillim brenda këtij viti.

Vaksina mbetet dritarja nga hyjnë rrezet e shpresës për të parandaluar parhapjen e virusit dhe neutralizuar atë. Normat më të larta të vaksinimit, ndryshe nga fillimi i këtij procesi, dominohen nga shtete të mëdha, ky kryeson Kina që ka 2.2 miliardë doza vaksinash dhe pavarësisht popullisisë së saj të madhe, është në krye të shteteve me përqindjen e lartë të vaksinimit që ka arritur, ndërkohë që SHBA me një popullsi prej 328 milionësh jo vetëm është nën një kërcënim shumë të lartë në këtë periudhë nga epidemia, por ka vaksinuar në raport me Kinën, një përqindje më të ulët. Fillimi i tetorit mund ta gjejë këtë vend me një numër viktimash më të lartë se ai nga gripi spanjoll në vitin 1918. Rreth 1 mijë viktima numërohen këto ditë në SHBA, çfarë ka rritur ndjeshëm shqetësimin e autoriteteve shëndetësore për situatën e tanishme.

Malta, Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugalia, Danimarka e të tjerë kanë realizuar një vaksinim me më shumë se 70 % të popullsisë dhe kanë relaksuar masat ndaj koronavirusit.

Danimarka është shteti që ka hequr pothuaj të gjitha kufizimet dhe tani danezët frekuentojnë lirisht klubet e natës, restorantet, transportin publik, pa qënë të obliguar që të kenë “pasaportën Covid”. Sigurisht që këtu nuk kemi të bëjmë me një aventurë daneze, të ngjashme me atë që ndodhi në vendin fqinj Suedinë, në periudhën e parë të shfaqjes së pandemisë. Shkalla e trasmetimit në Danimarkë është sot 0.7 sipas treguesit R, gjë që tregon se pandemia është në rënie dhe ka optimizëm për tejkalimin e saj.

Ashtu si Danimarka edhe Singapori është një nga ato vende që nuk e ka kufizuar përmes masash ekstreme jetën e qytetarëve, por ka ndjekur strategjinë e rritjes së vaksinimit, si një masë preventive ndaj pandemisë. Në Singapor është vaksinuar më shumë se 80 % e popullsisë dhe vëmendja e autoriteteve tani është përqëndruar në profilaksinë e të huajve dhe vendasve që kanë komunikim fizik me jashtë.

Ka vende të tjera si Afrika e Jugut ku normat e infeksionit janë në ulje dhe vendi po shkon drejt një hapjeje të plotë, por mbetet përsëri serioz kërcënimi nga varianti Delta dhe së fundi variant Mu. Nga masat shumë të rrepta e kufizimet ekstreme, tani Afrika e Jugut ka bërë një lehtësim të ndjeshëm, por ky lehtësim gati drastik krahasuar me periudhën e fillimvitit ka gjasa të krijojë kushte për përhapjen e variantit Delta dhe vendi t’i rikthehet masave të larta kufizuese. Thirrjeve për një vaksinim masiv, ndryshe nga shumë vende të tjera, banorët jugafrikanë po i përgjigjen pozitivisht, pa qënë nevoja për të aplikuar masa penalizuese për sektorë të veçantë.

Kudo ku vaksinimi është kryer në një shkallë të lartë, ndjehet siguri për të përballuar valën e tretë të pandemisë e cila ka filluar të shfaqet, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku hezitimi për vaksinën dhe pikëpyetjet që ngrihen e kanë ngadalsuar këtë proces duke bërë kërcënimin gjithnjë e më shumë prezent.

Valët e reja pandemike po shfaqen në mënyrë proporcionale në të gjithë globin, por shtrirja e tyre nuk është e njëllojtë, pasi shumë vende e përballojnë shumë më lehtësisht nga realizimi në kohë i procesit të vaksinimit.

Gëzim Podgorica