Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Sesionin e saj të 76-të, po zhvillohet në një klimë tejet të brishtë dhe të tensionuar ndërkombëtare. Nga ngjarjet e fundit në Afganistan, në përplasjen midis Francës dhe ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë (AUKUS), në rritjen e tensioneve ekonomike për shkak të pandemisë - liderët botërorë kishin shumë për të deklaruar dhe sugjeruar.

Asambleja e Kombeve të Bashkuara ka qënë shpesh, sikurse ishte edhe këtë vit, një arenë ndërkombëtare ku krerët e shteteve, mbajnë fjalime më shpesh për të triumfuar verbalisht dhe për të tërhequr vëmendjen e popujve që përfaqsojnë, se sa për ta përdorur atë skenë si vendtakimi i aspiratave njerëzore. Në atë podium janë parë përplasjet me grusht në tavolinë të Krushovit, retorika e ‘djallit’ nga Hugo Chavez, Trump që u vetëquajt para delegatëve lideri më i mirë i të gjitha kohërave, e shumë më tepër. Nga teatraliteti, ironia, tepria e pompozitetit dhe egoizmi, por edhe të vërteta të pamohueshme, gjithçka është parë e dëgjuar në Asamble. Në atë skenë politike ndërkombëtare është parë qartë ku qëndron ndryshimi midis një politikani që shqetësohet për zgjedhjet e ardhshme dhe një shtetari që kujdeset për mirëqenien e vendit të tij.

Po të hedhim një vështrim historik, që prej rikthimit legjitim të Kinës në OKB 50 vjet më parë, delegacionet kineze, si anëtarët ashtu edhe drejtuesit, e kanë përdorur atë podium për atë çfarë me të vërtetë përfaqëson dhe është, një tryezë globale e prezantimit të ideve dhe objektivave të të gjitha kombeve.

SFIDAT AKTUALE DHE PËRGJIGJET E KINËS

Në këtë Sesion të OKB-së foli Presidenti kinez Xi Jinping, i cili propozoi një Iniciativë për Zhvillimin Global - duke bërë thirrje për forcimin e besimit dhe adresimin e përbashkët të kërcënimeve dhe sfidave, me qëllim ndërtimin e një bote më të mirë për të gjithë.

Fjalimi i presidentit Xi vjen në një moment tejet delikat të historisë njerëzore, një kohë kur jeta e njerëzve vazhdon të kërcënohet gjerësisht nga pandemia, dhe ekonomia e shumë popujve ende po përballet me sifda të mëdha rimëkëmbieje.

Në katër pika kryesore të përmendura nga presidenti Xi, shpalosen idetë e tij për prioritetet e Kinës dhe të mbarë botës. Duhet të mundet COVID-19 dhe të fitohet kjo betejë vendimtare për të ardhmen e njerëzimit. Përveç dhurimit të 100 milion dollarëve amerikanë për COVAX, Kina do të dhurojë 100 milion doza vaksinash për vendet e tjera në zhvillim gjatë këtij viti. Për Presidentin Xi, detyra më urgjente për momentin është që të gjitha vendet duhet të intensifikojnë bashkëpunimin ndërkombëtar anti-epidemik. Së dyti, duhet të ringjallet ekonomia dhe të ndiqet një zhvillim global më i fuqishëm, më ekologjik dhe më i balancuar. Duhet një qendrim i përkushtuar ndaj zhvillimit si prioritet dhe ndaj përfitimeve për të gjithë, me veprime të orientuara drejt rezultateve. Së treti, duhet të forcohet solidariteti dhe të promovohet respekti reciprok dhe bashkëpunim i favorshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një botë paqësore ku zhvillimi duhet të përfaqësojë qytetërimet e formave të ndryshme. Së katërti, duhet të përmirësohet qeverisja globale dhe të praktikohet multilateralizmi i vërtetë.

Për çdo pikë që Xi sugjeron, Kina ka bërë dhe zotohet të bëjë edhe me shumë. Kina ka lëvruar si furnizime anti-epidemike për më shumë se 150 vende dhe 13 organizata ndërkombëtare. Ka dhënë kontribute për kauzën globale të shëndetit publik dhe ka treguar ndjenjën e përgjegjësisë si një vend i madh me veprime praktike.

Edhe pse ekonomia botërore po del nga recensioni i thellë i shkaktuar nga pandemia COVID-19, rimëkëmbjet ekonomike të vendeve po ndjekin trajektore të ndryshme, dhe hendeku Veri-Jug rrezikon të zgjerohet më tej dhe madje të përjetësohet. Kina ka mbrojtur rritjen e koordinimit të politikave makroekonomike dhe promovimin e përbashkët të rritjes së fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë botërore. Duke balancuar në mënyrë efektive parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomik dhe social, vendi ka rivendosur dhe stabilizuar rritjen ekonomike, duke injektuar një shtysë të fortë në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore.

Kina ka zgjeruar vazhdimisht hapjen, duke ofruar mundësi të rëndësishme zhvillimi për vendet në mbarë botën, nisma ‘Një brez, Një Rrugë’ është shembulli më parësor i këtij qëllimi.

NJË BOTË E RE QË KËRKON REAGIME TË REJA

Në fjalët e Xi duket qartë se ai i referohet një bote të re, një bote që ka nevojë për më shumë bashkëpunim dhe më pak polemika, një bote ku mbizotëron dialogu dhe jo konfrontimi. Nën petkun e numrit një të politikëbërjes kineze, Xi u parashtroi pjesëmarrësve prioritetet e vendit të tij, u zotua për bashkëpunim dhe efikasitet, mori përsipër detyra të vështira për Kinën, por që do të zbatohen në emër të mirëqënies së përbashkët.

Fjalimi i Xi përsëriti planin e Kinës për të ardhmen e botës, përkatësisht modelin e ri, shumëpalësh, gjithëpërfshirës të zhvillimit dhe nocionin e ndërtimit të një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin. Ai vuri në dukje ligjet objektive të ndërvarësisë dhe lidhjes së ngushtë të të gjitha vendeve në botë, që përputhen me trendin e paqes dhe zhvillimit, si dhe bashkëpunimin fitimprurës. Përfitimet e globalizimit ekonomik nuk duhet të gëzohen vetëm nga disa vende, por nga të gjitha vendet në botë.

ZHVILLIMI I PËRBASHKËT SI E VETMJA RRUGË

Duke iu përgjigjur aspiratës së zjarrtë të popujve në të gjithë botën për paqe dhe zhvillim, thirrjes së tyre për barazi dhe drejtësi, ndjekjen e bashkëpunimit të favorshëm, sugjerimet e Xi kanë bërë jehonë të gjerë në bashkësinë ndërkombëtare. Vërejtjet e tij manifestuan qartë vullnetin e fortë të Kinës për të kapërcyer kohët e vështira dhe për të mposhtur pandeminë dhe promovuan idenë e ndërtimit të një komuniteti global të shëndetit për të gjithë, të cilit Kina i është përkushtuar prej kohësh.

OKB-ja duhet të mbajë lart flamurin e multilateralizmit të vërtetë dhe të shërbejë si platformë qendrore për vendet për të mbrojtur bashkërisht sigurinë universale, për të ndarë arritjet e zhvillimit dhe për të përcaktuar kursin për të ardhmen e botës – tha ai.

DEMOKRACIA NUK ËSHTË MONOPOL I ASKUJT

‘’Demokracia nuk është një e drejtë e veçantë e rezervuar për një vend individual, por një e drejtë për njerëzit e të gjitha vendeve që të gëzojnë. Suksesi i një vendi nuk duhet të nënkuptojë dështimin e një vendi tjetër dhe bota është mjaft e madhe për të përshtatur zhvillimin e përbashkët dhe përparimin e të gjitha vendeve." - tha Xi.

Xi shprehu se zhvillimet e fundit në situatën globale tregojnë edhe një herë se ndërhyrja ushtarake nga jashtë dhe i ashtuquajturi transformim demokratik nuk sjell asgjë tjetër veçse humbje. Duhet të mbrojtur paqja, zhvillimi, barazia, drejtësia, demokracia dhe liria - të cilat janë vlerat e zakonshme të njerëzimit, dhe të refuzohet praktika e formimit të qarqeve të vogla ose lojërave pa fitues.

Deklaratat e Xi kanë reflektuar idetë e përbashkëta të shumicës së vendeve në botë, kanë përfaqësuar premtimin solemn të Kinës për t’iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë, kanë treguar ndjenjën e përgjegjësisë së vendit si një aktor kryesor për ta bërë sistemin e qeverisjes globale më të drejtë dhe të barabartë.

Kina do të ecë përpara së bashku me të gjitha forcat përparimtare të botës në udhëtimin e madh drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, dhe gjithmonë do të jetë ndërtues i paqes botërore, kontribues në zhvillimin global, mbrojtës i rendit ndërkombëtar dhe ofrues i të mirave publike.

SË FUNDMI, Mesazhi i Xi për pjesën tjetër të botës ishte i qartë, i drejtëpërdrejtë dhe i plotkuptimtë: Populli kinez gjithmonë ka çmuar dhe është përpjekur të ndjekë vizionin e paqes, miqësisë dhe harmonisë. Kina nuk ka pushtuar, dhe kurrë nuk do të pushtojë të tjerët, ose të kërkojë hegjemoni.

Bota ka hyrë në një periudhë të trazirave dhe transformimeve të reja. I takon secilit shtetar përgjegjës t'i përgjigjet pyetjeve të kohës sonë dhe të bëjë një zgjedhje historike me besim, guxim dhe ndjenjë misioni!

Dr. Marsela Musabelliu