Foto nga VCG

Shkrimtari i madh francez Viktor Hygo në romanin e tij “Të Mjerët” shkruante “Në këtë botë nuk ka gjëra që mund të krijojnë një të ardhme më shumë sesa ëndrrat, mund të duket utopi sot, por nesër kjo është jeta reale”.

Në fillim të reformës dhe hapjes ndaj botës, ëndrra e shumë kinezëve ishte e njejtë me atë të shqiptarëve kur dera e vendit u hap; ishin lëvizja drejt vendeve të huaja për studime, punë ose qëndrim atje. Qysh nga viti 1978 kur u ndërmorën reforma dhe hapja ndaj botës e deri më sot, 65 milionë kinezë kanë shkuar jashtë vendit për studime, shumë prej tyre kanë përfunduar studimet dhe kanë qëndruar jashtë.

Vitet e fundit, me rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së Kinës, forca kombëtare gjithëpërfshirëse është ngritur shpejt, ndikimi ndërkombëtar është shtuar, studentët kinezë, të cilët kanë studiuar jashtë, gradualisht i kanë ndryshuar ëndrrat e tyre për punë dhe qëndrim jashtë vendit, dhe janë kthyer në atdhe për t’u punësuar dhe për të zhvilluar biznesin.

Presidenti Xi Jinping mendon se ëndrra kineze është që të realizohet lulëzimi dhe prosperiteti i vendit, rilindja e kombit dhe mirëqenia e popullit. Në Kongresin e 18-të të Partisë Komuniste Kineze është bërë një ekspoze e detajuar mbi këtë çështje.

Në vitin 2049, në 100-vjetorin e themelimit të Kinës së Re, do të ndërtohet shteti modern socialist me harmoni, kulturë, demokraci dhe begati, duke shënuar rilindjen e kombit kinez. Ky është realizimi i trilogjisë së ëndrrës kineze. Ëndrra kineze ka reflektuar idealin e kinezëve të tanishëm, si dhe ka pasqyruar traditën e lavdishme të paraardhësve për t’u përpjekur dhe për të ecur përpara pa u lodhur. Parakushti i ëndrrës kineze është që shteti të jetë i begatë, sepse vetëm kështu rilindja e kombit do të ketë një bazë të fortë, mirëqenia e popullit mund të ketë shpresë.

Pika kyçe e ëndrrës kineze është rilindja e kombit. Rilindja e kombit është shenja thelbësore e begatisë së shtetit dhe është garancia e rëndësishme e lumturisë së popullit.

Presidenti Xi është shprehur se ëndrra kineze është një ëndërr për paqe, zhvillim, bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjellë për të gjithë popujt. “Ëndrra kineze nuk do të jetë përfitim vetëm për popullin kinez, por gjithashtu për të gjithë popujt e vendeve të botës”. Duke ndjekur këtë linjë më 22 nëntor 2019 Xi deklaroi se ëndrra kineze e rilindjes kombëtare nuk do të thotë në asnjë mënyrë kërkim të hegjemonisë dhe se perspektiva për zhvillim e Kinës nuk synon të zëvendësojë ndonjë fuqi, përkundrazi synimi i saj është “rifitimi i dinjitetit dhe statusit që meriton”.

Ëndrra e Rrugës së Mëndafshit e popullit kinez prej vitesh u bë realitet me megaprojektin ‘Një Brez, Një Rrugë’ duke marrë një vlerë të veçantë të paparashikuar në këto kohë të krizës globale shëndetësore.

Studjuesja Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit flet për Grupin Mediatik të Kinës për dukurinë Ëndrra kineze.

CMG: Cili është nocioni i ëndrrës kineze?

Dr.shk Marsela Musabelliu: Duhet ta nisim që nga viti 1949, kur lindi Republika Popullore e Kinës, që ne njohim sot. Para këtij viti, për afro 100 vjet që nga Lufta e Parë e Opiumit deri në vitin 1949, populli kinez ka patur një nga periudhat më të errëta të historisë së tij. Shumë shpesh në botën akademike kësaj periudhe i referohen si “shekulli i poshtërimit” Shumica e kinezëve duan të harrojnë poshtërimin që ka pësuar Kina në histori, dhe kjo ka lënë një mbresë të thellë tek njerëzit. Poshtërimi filloi nga disfata e Kinës në Luftën e Parë të Opiumit, e ndjekur nga pushtimi japonez dhe Lufta Civile. Kontributi ekonomik i Kinës në prodhimin ekonomik botëror ishte rreth 30% në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, në vitet 1950, ajo kontribuoi vetëm 3% në ekonominë botërore.

Shpesh herë në botë flitet për ngritjen e Kinës në eminencë në shekullin e 21-të, por në fakt ky është rikthimi i Kinës si një potencë me të drejta të plota, me vendin ekonomik që i takon në botë si dhe me prestigjin që i takon. Ky shekull vuajtjesh dhe poshtërimesh ka bërë që në memorien kolektive të popullit kinez të ketë një nevojë për ringritje. Kjo ëndërr që u kalua në breza në këtë shekull të vështirë ka filluar të vihet në lëvizje që në momentin e unifikimit të Republikës Popullore të Kinës dhe është kaluar brez pas brezi deri sa arrijmë në ditët tona.

Lidershipi i tanishëm e shpalli që në vitin 2012 e shpalli si nocion për kombin, ëndrrën e popullit kinez.

CMG: Lindja e ëndrrës kineze, fokusi i saj dhe çfarë aspiron Kina për realizimin e kësaj ëndrre?

Dr.shk Marsela Musabelliu: Qysh nga viti 2012 kjo ëndërr u hodh në letër, por ka qenë aty disa dekada përpara. Disa profesorë në Kinë thonë se kjo ëndërr u vu në lëvizje me motorr të plotë në vitin 1978 kur Kina u hap me botën, kur populli kinez kërkonte më shumë mirëqenie dhe me punë të madhe arriti në momentin ku jemi sot. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se Kina është një vend ku edhe ëndrrat kanë afate.

CMG: Domethënë nuk kemi të bëjmë me një ëndërr abstrakte.

Dr.shk Marsela Musabelliu: Jo, nuk është abstrakte.

CMG: Pra nuk është ajo që jemi mësuar të kuptojmë me ëndrrën, edhe ne si shqiptarë, por që mbetet një nocion shumë abstrakt.Në fakt, kemi të bëjmë me një specifikë, një ëndërr e planifikuar. Janë dy nocione që duken si të pakuptimta, sa i përket planifikimit të një ëndrre, sepse këtu kemi të bëjmë me një ëndërr që ka disa pika ku mbështetet.

Dr.shk Marsela Musabelliu: Keni shumë të drejtë. Natyra pragmatike e popullit kinez edhe në këtë ëndërr ka arritur të ketë afate. Që në momentin që u shpall nga numri 1 i politikëbërjes kineze, u vunë dy afate, që quhen “dy njëqindvjeçarët”. Në fjalimin në fund të vitit 2012 presidenti i Kinës Xi Jinping tha se “ në 100 vjetorin e PKK-së, që përkoi me vitin 2021, Kina do të bëhet një vend ku varfëria ekstreme nuk do të ekzistojë”. Praktikisht kjo u realizua dhe ky 100 vjetor i ëndrrës kineze u bë realitet sepse varfëria ekstreme në Kinë, kryesisht në zonat rurale, u çrrënjos. Ndërsa 100 vjetori tjetër do të jetë viti 2049, që përkon me 100 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe lidershipi i ka vënë detyrë vetes sepse kjo ëndërr më shumë se sa një dëshirë është një aftësi menaxhimi. Praktikisht ata kanë shpalosur programet e tyre se ku do të jetë Kina në 2030, 2040 dhe 2049.

CMG: Pra kemi të bëjmë me një ëndërr të mirëpërcaktuar që mbështetet në dy shtylla 100 vjetorësh,

Dr.shk Marsela Musabelliu: Objektivi i dytë i vitit 2049 është që Kina të jetë një shoqëri moderne, e begatë dhe në unison me vendet e tjera të zhvilluara. Këto aspirata të kombit kinez përkthehen në letër nga lidershipi me afate ekonomike, strukturore dhe sociale. Një nga pikat shumë të rëndësishme të planit të dytë 100 vjeçar është që Kina do të shkojë në maksimalizimin e një shoqërie ekologjike. “China go green” është aktuale dhe e rëndësishme.

CMG: Ju përmendët përtëritjen e kombit kinez. Por si mund ta shohim si koncept?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Kjo përtëritje në radhë të parë për popullin vetë dhe lidershipin do të thotë mirëqenie. Kur populli zhvillohet dhe ka mirëqenie për ata targeti është i arrirë. Nga ana tjetër nuk ka vetëm zhvillim ekonomik, por duhet të jetë zhvillim i balancuar dhe prandaj kemi programe si çrrënjosja e varfërisë dhe qytetet për fshatrat, apo bizneset për fshatrat. Politika është ajo që vendos në krye të piramidës se cilat programe do të aplikohen për të arrirë këtë përtëritje të madhe. Duhet të kemi parasysh se prioritetet mund të ndryshojnë me kohën. Ne kemi vënë re këtë në rastin e përhapjes së Covid 19, konfliktin aktual Rusi-Ukrainë dhe pasojat që sjell. Në momentin që politika vendos programin janë ekspertët dhe qeverisjet lokale ato që vendosin prioritetet e tyre specifike. Pra është një koordinim i politikës, menaxhimit dhe qeverive lokale.

CMG: Populli është bashkëpunues në Ëndrrën Kineze?

Dr.shk Marsela Musabelliu: Gjatë qëndrimit tim në Kinë kam vënë re që uni dhe kolektivja shpesh bashkohen dhe shkrihen në një të vetme. Në kulturën tonë europiane ego-uni qëndon në qendër të mënyrës se si jetojmë, veprojmë dhe e konceptojmë jetën. Ndërsa në kulturën aziatike dhe specifikisht në atë kineze, kolektivja ka shumë rëndësi, ashtu si përkatësia, familja dhe unifikimi i kësaj ëndrre shoqërore me aspiratat personale është bërë me “Ëndrrën kineze” një ndërthurje perfekte e individit me shoqërinë. Individi kinez nuk e koncepton zhvillimin e vet pa zhvillimin e shoqërisë.

CMG: Si shihet “Ëndrra kineze” jashtë Kinës?

Dr. Shk Marsela Musabelliu: Ka disa valë perceptimi. Po të marrim vendet rretherrotull Kinës, e kanë pritur me shumë seriozitet këtë koncept, këtë aspiratë sepse prej saj do të kenë avantazhe. Po të shkojmë më tutje, në pjesën euroatlantike në fillim është marrë në analizë nga akademikët dhe nuk është analizuar shumë sepse është menduar si një koncept që hidhet për konsum të brendshëm. Por në fakt ky nuk është vetëm për konsum të brendshëm, sepse zhvillime dhe realizimi i “Ëndrrës kineze” ndihmon shumë dhe vendet e tjera bashkëpunuese me Kinën.

Patjetër që ka patur dhe zëra kontradiktorë, sidomos në pjesën europiane, sepse është njësuar “Ëndrra kineze” për ripërtëritje dhe zhvillim me ngritjen stratosferike të Kinës në arenën gjeopolitike dhe nëse ndërthuren këto të dyja, disa herë mund të jetë parë dhe me sy dyshues. Por në vitin 2021 kur u arrit qëllimi i parë dhe u pa shumë mirë se çfarë kërkon Kina është në radhë të parë që të zhvillohet.

Unë kam bërë disa lexime dy vitet e fundit lidhur me “Ëndrrën kineze” dhe atë çfarë thonë akademikët europianë dhe janë në unison me akademikët kinezë. Zhvillimi i një vendi mund të sjellë zhvillimin e të tjerëve.

CMG: Jetojmë në realitete të ndryshme dhe në sajë të ndikimit të pandemisë Covid 19. Si do të realizohet ripërtëritja e kombit kinez në këto kushte të reja?

Dr.shk Marsela Musabelliu: Që nga ditët e para të mbylljes së qyteteve të mëdha në Kinë dhe në pjesën tjetër të botës dhe që nga nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë deri sot, gjithçka në arenën gjeopolitike duket se po lëviz në pllakat e saj tektonike më të rënda dhe patjetër që çfarë ndodh në vendin X ka pasoja në vendin Y. Këto efekte janë ndjerë në Kinë. Po të shohim që targeti i rritjes ekonomike kineze për këtë vit është 5.5 domethënë për ekonomistët është e vogël për ritmet e Kinës. Megjithatë po bëhen investime strategjike në sektorë strategjikë që do të thotë se nëse ka një mungesë në një sektor të caktuar, resurset, personat, menaxhimi dhe mbështetja politike i jepet këtij sektori në mënyrë që rimëkëmbja të rifillojë edhe një herë. Edhe gjatë kohës së Covid 19 Kina ka treguar që nëse në një qytet gjysma e fabrikave nuk punonin, gjysma tjetër do të punonte patjetër .

Jam shumë e bindur që edhe targeti i vitit 2049 do të arrihet.

Intervistoi Eda Merepeza