Foto; VCG

Foto; VCG

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së Nancy Pelosi zhvilloi këto ditë një tur katërditor në Azi, në kuadër të të cilit më 2 gusht u ndal në Tajvan. Kina ka reaguar duke dënuar me forcë, në plan politik, diplomatik, ushtarak dhe ekonomik ndaj kësaj vizite, të cilën e ka cilësuar si “farsë”, të papërgjegjëshme dhe me pasoja të rënda.

Para se të zhvillohej kjo vizitë Kina zyrtare kishte paralajmëruar se do të ishte një vizitë me pasoja të rënda, që do të dëmtonte marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës dhe nuk do t’i shërbente zhvillimit të mëtejshëm të tyre.

Ndaj vizitës ka reaguar dhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili tha se “ qëndrimi ynë është shumë i qartë. Ne u përmbahemi rezolutave të Asamblesë së Përgjithëshme, politikës së “një Kine” dhe ky është orientimi që kemi në gjithçka që bëjmë”

Kjo vizitë ka ngjallur mjaft polemika gjatë trajtimit nga të gjitha mediat ndërkombëtare. Edhe mediat në Shqipëri i kanë kushtuar një hapësirë të posaçme kësaj vizite.

Përse kjo vizitë ka ngjallur kaq shumë reagime?

Dr. shkencave Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit analizon vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan dhe reagimin e Kinës ndaj saj

Dr.shk Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Dr.shk Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

CMG: Si e komentoni vizitën e kryeparlamentares amerikane Nancy Pelosi në Tajvan? Përse ajo këmbënguli kaq shumë të realizonte këtë vizitë, pa marrë parasysh kundërshtimin e ashpër zyrtar të Kinës.

Dr. shkencave Marsela Musabelliu: Është një shprehje e vjetër aziatike që thotë “Jetofshi në kohëra interesante!”. Ne e kemi marrë si bekim, por në fakt është mallkim.

Kohërat interesante janë kohërat e trazuara, kohërat ku një lëvizje e vogël mund të shkaktojë orteqe të mëdha gjeopolitike, jo vetëm nga një vend i vogël, por edhe duke u përhapur në një hapësirë të paprecedentë, të paparashikueshme. Janë ngjarje të tilla që marrin një jetë të tyre. Në momentin që nisin, ndonëse nuk duhet të nisin, fatkeqësisht marrin një jetë të tyre dhe bëhen të pakontrollueshme.

Përsa i përket vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan, ka muaj që ajo flet për një vizitë të mundshme. Para disa javësh ajo tha për shkaqe personale, por që do të bënte një vizitë në Azi-Paqësor kjo dihej, nuk dihej a do të ndalej në Tajvan. Në fakt, pala kineze pa nisur mire vizita ka çuar shkresat e veta, në bazë të protokollit ndërkombëtar për kërkesat që ata kanë kundrejt një shteti tjetër dhe sidomos një përfaqësuesi të lartë të një shteti tjetër. Këto shkresa dhe kërkesa të njëpasnjëshme dhe shkrime të akademikëve dhe politikanëve kinezë nuk u morën parasysh dhe siç tashmë e di e gjithë bota, zonja Pelosi vendosi që të ulet në Tajvan.

Ky nuk është vetëm një hap personal i përfaqësueses së lartë të shtetit amerikan. Ajo nuk shkoi si person fizik, sepse ishte e shoqëruar nga një delegacion dhe çfarë është shumë simbolike, shkoi me një avion shtetëror amerikan dhe destrojerin “Reagan” që e ndoqi gjatë udhëtimit.

Në të njejtën kohë që zonja Pelosi udhëtoi në Tajvan, në Uashington u tha se është një vizitë rutinë, normale. Por protokollet midis vendeve e kanë bërë shumë të qartë që SHBA-ja do të ketë marrëdhënie ekonomike, tregtare, kulturore etj me Tajvanin, por nuk do të ketë asnjëherë marrëdhënie institucionale. Këto janë të shkruara në tre traktate të njëpasnjëshme ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe SHBA-së. Janë nisur me presidentin amerikan Nixon dhe me Zhou Enlain dhe kanë vazhduar deri në vitin 1982, kur u nënshkrua protokolli i tretë, por këto nuk u dëgjuan.

Ishte më shumë hapi i një zonje 82 vjeçare që është në fund të karrierës së saj politike, sepse në dekada ajo ka dhënë shumë, por duhet patur parasysh se kjo bëhet, sipas mendimit tim, më shumë për të tërhequr vëmendjen e publikut të brendshëm, pasi Partia Demokratike e zonjës Pelosi do të përballet në zgjedhje në nëntor. Sipas parashikimeve dhe Exit-poll, Partia Demokratike duket se nuk do ta fitojë kësaj radhe Senatin dhe Kongresin. Kështu që duhej një shtysë për të angazhuar bazën dhe votuesit, por me çfarë çmimi?

CMG: Kjo është vizita e dytë e një lideri amerikan në Taipei që nga viti 1997.

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Në vitin 1997 ishte vizita e një personi jo kaq të rëndësishëm politikisht dhe që ishte pjesë e opozitës amerikane.

CMG: Fakti që qysh nga viti 1997 nuk është zhvilluar një vizitë e një zyrtari të lartë amerikan në Tajvan tregon që politika amerikane ka respektuar parimin “e një Kine”, deri sa zonja Pelosi vendosi të këmbëngulte për një vizitë të tillë.

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Kjo vizitë është shumë më e lartë, për nga rëndësia e personit, se sa ajo e para 25 viteve.

CMG: Përsa i përket nivelit të përfaqësimit…

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Përveç se nivelit, nëse do të ishte një anëtar i opozitës, pra i Partisë Republikane, në rastin konkret, sepse Partia Demokratike ka pushtetin, mund të thuhej që është opozita që po e bën, nuk është shteti. Kurse në rastin konkret kemi të bëjmë me një person të shtetit dhe Kina si të tillë e ka trajtuar.

CMG: Komentet janë nga më të ndryshmet sigurisht dhe hipotezat e motiveve të vizitës së zonjës Pelosi, por është anashkaluar një fakt shumë i rëndësishëm. Më 28 korrik presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden në një bisedë telefonike që zgjati më shumë se dy orë, kanë diskutuar dhe për çeshtjen e Tajvanit. Në deklaratën zyrtare thuhet se presidenti Biden nënvizoi se “politika e SHBA-së për Tajvanin nuk ka ndryshuar”, duke shtuar se “SHBA kundërshtojnë fuqishëm përpjekjet e njëanëshme për të ndryshuar status-quo-në, ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit”. Si e komentoni këtë?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Një profesor kinez sot në një intervistë e quajti këtë një standard të dyfishtë. Ne në shqip themi “Hedhim gurin dhe fshehim dorën”. Biseda që ju iu referuat midis dy liderëve ishte shumë shpresëdhënëse dhe pjesa tjetër e botës mendoi se me të vërtetë do të kishte një reflektim dhe ky udhëtim në Tajvan nuk do të bëhej. E dimë shumë mire që politika e jashtme kineze, duke pare interesat e veta kombëtare dhe të sovranitetit ka disa linja të kuqe, por linja e kuqe më kryesore është çeshtja e Tajvanit . U thanë fjalë të mira, por nuk u mbajt rruga e këtyre fjalëve, sepse ndonjëherë aksionet flasin më shumë se fjalët. Në fakt, shumë pak analistë në Kinë dhe në pjesën tjetër të botës kishin menduar se ky udhëtim do të bëhej dhe ja që ndodhi.

Problemi nuk qëndron vetëm në këtë fakt sepse në momentin që një përfaqësuese e lartë e shtetit viziton në këtë rang ishullin e Tajvanit nuk mund të ketë prapakthim nga Uashingtoni. Në kuptimin që ajo shkoi dhe ata thonë që shkoi, por ne nuk e kemi zyrtarizuar dhe është një vizitë normale. Por nuk mund të jetë një vizitë normale me pushtetin e zonjës nga mbrapa.

CMG: Ndaj vizitës së Pelosit në Tajvan ka patur një reagim të menjëhershëm të OKB-së, së pari me zëdhënësin e sekretarit të përgjithshëm dhe më pas deklarata shumë e prerë dhe e shkurtër e vetë sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres. Ju si e komentoni këtë reagim të menjëhershëm të OKB-së?

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Po e shikoja live zotin Guterres dhe duket dhe nga fizionomia dhe gjuha e tij e trupit, kuptohet shqetësimi në këtë platformë ndërkombëtare, që konsiderohet më e larta që ka bërë njerëzimi për bashkëpunim midis kombeve. Shikohet shqetësimi dhe problematika dhe zoti Guterres e vendosi në tavolinë idenë që integriteti territorial i vendeve nuk duhet të cënohet dhe në të njejtin moment edhe Ministria e Jashtme e Kinës nxorri deklaratat e veta të njëpasnjëshme.

CMG: Edhe ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi, duke qenë në Kamboxhia në takimin e ASEAN-it e ka cilësuar vizitën si “ farsë dhe të papërgjegjëshme”. Kina po zhvillon nga 4-7 gusht një sërë manovrash të përbashkëta detare e ajrore rreth ishullit të Tajvanit, si reagim ndaj vizitës së zonjës Pelosi. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Hua Chunying tha në një konferencë për shtypin që pala kineze “është e detyruar të komunikojë me palën amerikane dhe separatistët e ‘pavarësisë së Tajvanit’ me një gjuhë që ata e kuptojnë”. Opinioni juaj për masat reaguese të palës kineze, që në disa media ndërkombëtare janë quajtur “të ashpra ndaj një vizite”?

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Nuk ishte vetëm një vizitë. Duhet të kemi parasysh që kemi të bëjmë me Republikën Popullore të Kinës, që është ekonomia e dytë në botë dhe është një fuqi nukleare. Kinezët në krenarinë e tyre kombëtare, duke patur parasysh edhe historinë, madje rrjetet sociale kineze kanë ditë që ziejnë nga komentet. Po të shohim Weibo, që është si Twitter në Kinë, ose dhe të tjera reagimi i njerëzve tregon se ata ndjehen të fyer, të rrethuar në tokë të tyre, në shtëpi të tyre. Reagimi i njerëzve është shumë më i ashpër se sa i politikës kineze.

Nëse thuhet se reagimi i politikës kineze është i ashpër, ndoshta nuk e dinë, por në Kinë e kanë thënë gjithmonë se në momentin që flitet për interesat kombëtare dhe për integritetin territorial kemi një linjë të kuqe, tek e cila populli kinez dhe lidershipi nuk durojnë të kalohet.

CMG: Është përmendur në deklarata dhe fjala e urtë që dhe ne si shqiptarë e kemi se “Kush luan me zjarrin, nga zjarri do të digjet” dhe këto janë deklarata të forta

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Patjetër që janë të forta dhe në fakt po bëjnë rezonancën e mbarë botës. Normalisht jemi njohur me një Kinë që është shumë e vetëpërmbajtur, që projektohen shumë kohë para se të bëjnë një veprim.

CMG: Edhe në reagimet e diplomacisë kineze përshembull ndaj konfliktit Ukrainë-Rusi janë përsëritur thirrjet për ulje të tensioneve, për mospërshkallëzim të konfliktit, për gjetje të gjuhës së paqes dhe mirëkuptimit.

Dr. shk. Marsela Musabelliu: Është dhe diçka tjetër, sepse duhet ta shohim nga shumë këndvështrime situatën. Është një shprehje “Po sikur këpuca të ishte në këmbën tjetër?” E imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse në afërsi të një fuqie tjetër nukleare, në një tokë që ata e quajnë të vetën, të shkojë përfaqësuesi i një shteti tjetër ?

Me gjithë potencën e logjistikës nga mbrapa, sot bota do të ziente shumë më tepër, por unë do të thoja se gjithësesi janë të vetëpërmbajtur. Është një përgjigje që, duke qenë se kjo situate ndodhi, pasojat fatkeqësisht tani sapo kanë filluar.

CMG: Kjo ngjarje përditësohet edhe nëpërmjet deklaratave. Gjykohet fillimisht se do të pasohet kjo vizitë vetëm nga një krizë diplomatike, por duket që nuk është vetëm kaq. Mendoni se kjo vizitë do të ketë pasoja edhe më të rënda përveç tendosjes midis Kinës dhe SHBA-së? Çfarë ndikimesh negative mund të shkaktojë kriza midis dy fuqive të mëdha botërore Kinë-SHBA mbi çështjen e Tajvanit për paqen e zhvillimin në rajon dhe më gjerë ?

Dr.shk.Marsela Musabelliu: Marrëdhëniet Kinë-SHBA janë marrëdhëniet më të rëndësishme të shekullit tonë. Në bazë të këtyre marrëdhënieve do të varet fati i botës. Këtë nuk e them unë, por e kanë thënë liderë botërorë dhe analistë të çështjeve të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe tashmë është pranuar botërisht.

Vetëm për një vizitë të tillë ne po e shohim se sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie. Disa e kanë quajtur këtë vizitë si një pike kthese në këto katër dekada mbarëvajtjeje të marrëdhënieve dypalëshe. Patjetër që ka patur problematika, por që në vitin 1979 që u vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike dypalëshe, nuk ka patur konfrontim të një niveli të tillë. Fakti që të vendosen dy ekonomitë më të mëdha të botës në një rrugë konfrontimi, në vetvete është shumë e rrezikshme dhe një çmim që bota nuk e paguan dot, nëse shkon në përshkallëzim. Ne në pjesën tjetër të botës, që nuk kemi lidhje të drejtpërdrejtë me këtë situatë shpresojmë që logjika dhe largpamësia e liderëve përkatës, e aplikuesve të politikës së jashtme dhe të brendëshme, të mbizotërojë mbi tensionet, që shpresojmë të jenë momentale.