Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, nisi më 2 gusht një vizitë në Tajvan duke marrë kundërshti të paprecedenta nga Pekini. Personi i tretë më i rëndësishëm në ShBA, nuk shkoi në Tajvan si person privat, ajo shkoi me gjithë mbështetjen politike dhe logjistike të vendit të saj. Politikania 82-vjecare, lindur në kohëra lufte të nxehtë, rritur dhe brumosur poltikisht në kohërat e Luftës së Ftohtë, me sa duket donte të linte një “trashëgimi” në fund të karrierës së saj, por duket vetëm sa arriti të nxisë një krizë tjetër, të patjetërsueshme.

Ndërsa marrëdhënia midis Kinës dhe ShBA-së bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, Tajvani është bërë burimi i tensionit dhe konfliktit midis dy vendeve, dhe po kthehet në një lojë të rrezikshme që rrit nivelin e antagonizmit ndaj Kinës. Të vendosësh në kurs konfrontimi dy ekonomitë më të mëdha të botës shërben vetëm për të rritur dyshimet dhe rrezikun e një konflikti që mund të përshkallëzohet.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nga Pekini, vizita e Pelosit në Tajvan është parë si një akt i mungesës së respektit të qëllimshëm ndaj Kinës që thyen drejtpërdrejt protokollin ndërkombëtar dhe tregon se një grup i elitave amerikane po krijojnë artificialisht një krizë për të provokuar Kinën. Për ta, natyra e vizitës së Pelosit në ishullin e Tajvanit nuk ka të bëjë me demokracinë, por është një çështje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës. ShBA-ja po përpiqet të anulojë angazhimin e saj ndaj Kinës dhe të shtrembërojë çështjen e Tajvanit duke e portretizuar atë në mënyrë të rreme si një çështje të "demokracisë" kundrejt "autoritarizmit", në vend të asaj që është, një çështje e brendshme e Kinës – shprehet një analist kinez.

Në çfarëdo forme, në çfarëdo kohe gjatë mandatit të saj, vizita mbart ndjeshmëri të lartë politike. Është e pamundur që Pelosi dhe ekipi i saj të mos i dinë pasojat e mundshme. Ndoshta ata mendojnë se, me anë të kësaj vizite, Partia Demokratike mund të demonstrojë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës dhe në këtë mënyrë të fitojë kapital politik. Në sfondin e rënies së vazhdueshme të vlerësimit të aprovimit të Presidentit Biden, Partia Demokratike ka të ngjarë të humbasë zgjedhjet në nëntor dhe kështu kërkohen mënyra të tjera për të mbërthyer opinionin publik.

Protestat e banorëve tajvanzeë kundër vizitës së Pelosit(Foto:VCG)

Protestat e banorëve tajvanzeë kundër vizitës së Pelosit(Foto:VCG)

Kina nuk dëshiron të shohë përkeqësimin e marrëdhënieve të saj me ShBA-në, por premisa për të shmangur skenarin më të keq është që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë provokimet. Kina ka legjitimitet të plotë për të marrë të gjitha kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur integritetin e saj territorial. Vizita e Pelosit në Tajvan, në kundërshtim me pretendimet e administratës së Biden për pafajësi, është ndërhyrje e pahijshme dhe e rrezikshme në punët e brendshme të një vendi tjetër - shprehen zyrtarët kinezë.

Nga ana tjetër, kjo vizitë nuk ka pasur kundërshti vetëm në Pekin, edhe në ShBA shumë nuk e kanë miratuar këtë vizitë. Para mbërritjes së Pelosit në Tajvan, një artikull nga Thomas Friedman në New York Times shkruan "Nëse [Pelosi] vazhdon me një vizitë në Tajvan këtë javë [...] ajo do të bëjë diçka që është krejtësisht e pamatur, e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. Asgjë e mirë nuk do të vijë prej saj." William Jones, një ish-korrespondent i Shtëpisë së Bardhë tha se situata në Azi-Paqësor ka ndryshuar rrënjësisht “për shkak të zellit dritëshkurtër të një një politikaneje tepër ambicioze.”

Pekini sigurisht e sheh udhëtimin si provokim dhe tradhti, sepse Uashingtoni premtoi vetëm marrëdhënie jozyrtare me Tajvanin kur nënshkruan traktate ligjërisht të detyrueshme me Kinën për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Për diplomatët kinëzë kjo vizitë është një thyerje premtimesh të angazhimit politik, të bërë ndaj Kinës për çështjen e Tajvanit. Dhe gjithashtu tani po shtrohet pyetja e madhe e çështjes së besueshmërisë. Një traktat është një zotim, dhe RPK-ja dhe ShBA-ja kane tre të tilla.


Operacione të përbashkëta ushtarake kineze me municion luftarak në ujërat rreth Tajvan(Foto:VCG)

Operacione të përbashkëta ushtarake kineze me municion luftarak në ujërat rreth Tajvan(Foto:VCG)

Komunikata e parë (28 shkurt 1972), e njohur si Komunikata e Shangait, përmbledh dialogun historik të filluar nga Presidenti Richard Nixon dhe Kryeministri Zhou Enlai gjatë shkurtit 1972.

Në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara bënë premtimin e qartë në Komunikatën për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike Kinë-ShBA: "ShBA-ja e njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme të Kinës. Brenda këtij konteksti, populli amerikan do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit".

Komunikata e tretë (1982), e njohur edhe si komunikata e 17 gushtit, ripohon dëshirën e të dyja palëve për të forcuar më tej lidhjet ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore dhe teknologjike. Të dyja palët rikonfirmuan edhe deklaratat e bëra për çështjen e Tajvanit në komunikatën e mëparshme.

Praktikisht, të tre këto dokumenta janë traktate, që në thelbin e tyre kanë parimin “Një Kinë”. Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi tha se vizita e Pelosit në Tajvan ishte "një farsë e pastër" dhe se nuk do të ndryshonte konsensusin ndërkombëtar mbi parimin “Një Kinë”.

Kongresi i ShBA-së, si pjesë e qeverisë amerikane, duhet të respektojë politikën e “Një Kinë” dhe përfaqësuesja më e lartë e tij duhet ti përmbahet traktateve që ka firmosur shteti i saj. Kina kërkon që marrëdhëniet ndërshtetërore të bazohen në respektin reciprok, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të çështjeve duke respektuar parimet e Kartës së OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe. Në Kinë analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen se pasiguria e madhe rreth vizitës së Pelosit në Tajvan ka përmbledhur natyrën e paqëndrueshme dhe paparashikueshmërinë e marrëdhënieve Kinë-SHBA. Ai gjithashtu do të kontribuojë në paqëndrueshmërinë e rajonit Azi-Paqësor.

Operacione të përbashkëta ushtarake kineze me municion luftarak në hapësirat ajrore mbi Tajvan(Foto:VCG)

Operacione të përbashkëta ushtarake kineze me municion luftarak në hapësirat ajrore mbi Tajvan(Foto:VCG)

Menjëherë pas largimit të Pelosit nga Tajvani Kina ka zbuluar një numër kundërmasash në përgjigje të vizitës. Masat përfshijnë organizimin e stërvitjeve ushtarake pranë Tajvanit, kryerjen e aktiviteteve ajrore dhe detare në shkallë të gjerë, ndëshkimin e organizatave të lidhura me elementët e vendosur të "pavarësisë së Tajvanit" dhe pezullimin e eksporteve të rërës natyrore në Tajvan, si dhe importet e disa prodhimeve bujqësore nga ishulli. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying tha se të gjitha kundërmasat do të jenë "të fuqishme, efektive dhe të vendosura".

Shumë ekspertë brenda dhe jashtë Kinës vunë në dukje faktin se nuk e dinë çfarë e mirë vjen nga kjo vizitë, kur ajo krijon ndarje të mëdha nga të gjitha anët dhe çfarë dobie ka një vizitë nëse përshkallëzon tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit... pyetën duke mos gjetur përgjigje logjike, përveçse interesave të ngushta financiare.

Bota në vitin 2022 nuk e përballon dot një tjetër sfidë që mund të përshkallëzohet në konflikt. Të drobitur ekonomikisht nga pandemia, dhe të rrezikuar përditë nga vështirësitë e inflacionit si pasojë e konflikitit në Ukrianë, hapja e një vatre tjetër mërish do të ishte katastrofike.

Dr. Marsela Musabelliu