Ajo që nuk duhej të ndodhte ngjau në këtë fillim gushti të vitit 2022. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, e njohur si një ndër skifteret më të ashpra anti-kineze në skenën politike amerikane e çoi deri në fund aventurën e saj duke shkuar si hajdute në rajonin e Tajvanit të Kinës më 2 gusht megjithë paralajmërimet serioze të Pekinit zyrtar kundër një ndërmarrje të tillë aventureske. Duke ia ulur më tej autoritetin e postit që ka në hierarkinë e një fuqie të vetdeklaruar superfuqi në botë, Pelosi, 82-vjecare, brodhi aeroport në aeroport nëpër vende të ndryshme aziatike si fantazëm e rrethuar nga reparte speciale ushtarake për të shkuar ilegalisht në një rajon të Kinës për të takuar udhëheqësit e paligjshëm tajvanezë me avion ushtarak. Një skenë që të kujton zbarkimet e fshehta të komandove amerikane në vende të ndryshme të botës në kuadër të ndërhyrjeve për të rrëzuar një pushtet e për të sjellë kukullat e Uashingtonit sikurse ka bërë në 57 vende të botës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa numri 3 i hierarkisë së tanishme sunduese të Uashingtonit po kryente misionin e saj ilegal në Tajvan, Presidentit Biden duhet të ishte ndjerë i poshtëruar se u shpërfaq edhe njëherë si politikan me dy fytyra dhe i pabesë para tërë botës duke nëpërkëmbur një ndër klauzolat bazë, vijën e kuqe të Pekinit- parimin e ‘Një Kine’, 3 komunikatat e përbashkëta Kinë-SHBA si dhe Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971 mbi parimin e "Një Kine". Shpërfaqet me dy fytyra presidenti amerikan sepse ky Biden përsëriti para pak ditësh në bisedën më të fundit telefonike me presidentit kinez Xi Jinping se politika e 'Një Kine' e SHBA-së nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, dhe se vendi i tij nuk e mbështeste "pavarësinë e Tajvanit". Lind pyetja: A është takuar Biden me Pelosin para se të nisej në misionin e saj provokues dhe a i ka kujtuar ai rikonfirmim prej tij të angazhimeve detyruese ndaj RP të Kinës, veçanërisht lidhur më Tajvanin? Nuk jam i prirur të besoj se Pelosi nuk do ta kishte dëgjuar çfarë e kishte ‘këshilluar’ kreu i Shtëpisë së Bardhë sikurse pretendonte ndonjë media amerikane. Jo se nuk ka kundërshti dhe çoroditje në administratën e këtij vendi kulmi i të cilave u arrit me sulmin mbi Kapitol nga pasuesit e ish- presidentit Donald Trump pasi u deklarua i humbur në garën për një mandat të dytë. Por nëse Biden me të vërtetë ka qënë kundër udhëtimit të bashkëpunëtores së tij në hierarki në Tajvan e ka mjaft të lehtë ta zbulojë shkurt të vërtetën publikisht…

Protestues tajvanezë kundër vizitës së Pelosit,3 gusht(Foto:VCG)

Protestues tajvanezë kundër vizitës së Pelosit,3 gusht(Foto:VCG)

Por çdo ngjarje ka të bardhën e të zezën brenda saj, dhe kësisoj në këtë rast u demaskua akoma më shumë politika konstante armiqësore e SHBA-së ndaj Republikës Popullore të Kinës në sytë e popullit të saj si dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar, që shikojnë një kastë politike në Uashington që pa iu skuqur faqja shkelin çdo normë ndërkombëtare dhe çdo traktat e marrëveshje bilaterale me shtete të tjera pa marrë parasysh pasojat. Kushdo mund ta shikojë qartë në dritë të diellit se veprime të tilla përbëjnë një goditje të rëndë për bazën politike të marrëdhënieve kino-amerikane në një orvatje tjetër për të cënuar rrezikshmërisht sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës.

Misioni i shumëpërfolur i Pelosit në Tajvan nuk është rastësi apo veprim i veçuar i kësaj politikaneje, që përfaqëson qarqet më ekstreme anti-kineze në SHBA, nga qëndrimi anti-kinez i vendit që ajo është pjesë e qeverisjes. Synimi i tij ishte zbatim i platformës strategjike që Sekretari i Shtetit Antony Blinken paraqiti më 26 maj 2022 në Universitetin George Uashington ku pavarësisht se pretendohet se fokusi është lufta në Ukrainë, Blinken deklaroi se Kina “është sfida më serioze afatgjatë ndaj rendit ndërkombëtar”. Pra demonstrimi djallëzor politik e luftënxitës në Tajvan i Pelosit në mbështetje të forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" ishte pjesë e vënies në jetë të platformës antikineze të ‘bekuar’ me emrin Blinken duke iu shtuar, për të përmendur disa, fushatave provokuese amerikane lidhur me çështjen e Tibetit, të Hong-Kongut, të Xinjiang-ut, të të drejtave të njeriut në Kinë, të sabotimit politik dhe ekonomik të këtij vendi etj.

Pasi e dogji Afganistanin, pasi e shthuri Libinë dhe disa vende të tjera të Lindjes së Mesme, pasi mban te ndezura flakët e luftës në kontinentin europian ku po nxit luftën në Ukrainë në forma më diabolike, qarqet luftënxitëse amerikane i janë rikthyer aventurës së çmendur për ti vënë flakën ngushticës së Tajvanit larg tokës së tyre duke krijuar vatra të reja lufte në botë.

Duke iu përmbajtur qëndrimeve serioze dhe konsekuente të karakterizuara nga fryma paqësore e reciprociteti në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe duke marrë parasysh situatën e tanishme shpërthyese në botë, autoritetet kineze kanë bërë paralajmërime të qarta kundër kësaj vizite dhe pasojat e rrezikshme që mund të pasojnë. Ata kanë paralajmëruar se vizita e Pelosit në Tajvan jo vetëm që do t'i tensionojë shumë marrëdhëniet kino-amerikane për herë të parë që nga Lufta e Koresë, por gjithashtu mund të çojë në pasoja më të rënda të paparashikueshme.

Me Kinën e një populli patriot e liridashës prej 1.4 miliard njerëzish, që e kanë të shtrënjtë vendin e tyre dhe janë të vendosur si kurrë më parë për të mos lejuar prekjen e asnjë cepi të tij, përfshi edhe rajonin e Tajvanit, as Uashingtoni, as aleancat ushtarako-politike të ngritura prej tij nuk mund të sillen si xhandar me kobure në brez që bën ligjin kudo nëpër këtë tokë si më parë. Ato kohëra të errëta kanë perënduar, por populli kinez nuk i harron, ai ka nxjerrë mësime prej tyre, dhe tani është më vigjilent se kurrë, por edhe tejet i fuqishëm në të gjitha drejtimet për të mos lejuar ‘shëtitje’ luftënxitëse amerikane në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës apo në zona ndërkombëtare detare të njohura prej të gjithë vendeve të rajonit aziatik. Me maturi e vetëpërmbajtje, por me vendosmëri dhe guxim u është dhënë përgjigja autoriteteve më të larta të administratës së Bidenit, e këtë e ka mësuar edhe opinioni i gjerë publik amerikan i lodhur e drobitur nga aventurierët në krye të vendit të tij.

“Ata që luajnë me zjarrin do të humbasin”, ishte paralajmërimi solemn i bërë me pak fjalë nga Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, duke e quajtur vizitën e Pelosit në Tajvan një “farsë të plotë” e një veprim që shkel seriozisht parimin e ‘Një Kine’, cenon me keqdashje sovranitetin e Kinës dhe angazhohet hapur në provokime politike duke ngjallur indinjatë të fortë në popullin kinez dhe kundërshtim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara po shkelin sovranitetin e Kinës nën pretendimin e demokracisë”, u tha Wang gazetarëve në margjinat e një takimi me ministrat e jashtëm të ASEAN (Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore) në Kamboxhia ditët e fundit.

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ëndërrojnë të pengojnë ribashkimin e Kinës. Tajvani është pjesë e Kinës. Ribashkimi i plotë i Kinës është trendi i kohërave dhe një pashmangshmëri e historisë. Ne nuk do tu lëmë vend forcave të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ndërhyrjeve të jashtme”, deklaroi shefi i diplomacisë kineze. Ai u kujtoi politikëbërësve amerikanë se “Çështja e Tajvanit u ngrit kur vendi ishte i dobët dhe kaotik në atë kohë dhe me siguri do të përfundojë me përtëritje kombëtare”. Më tej ai tha se SHBA nuk duhet të fantazojnë për minimin e zhvillimit dhe rivitalizimit të Kinës. "Kina ka gjetur një rrugë të duhur zhvillimi në përputhje me kushtet e saj kombëtare", tha Wang duke vënë në dukje se nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, 1.4 miliard kinezë po përpiqen drejt modernizimit të stilit kinez. Duke paralajmëruar se ndërsa populli kinez është gatshëm të bashkëjetojë në mënyrë paqësore dhe të zhvillohen së bashku me vendet e tjera nuk do të lejojë kurrë asnjë vend të minojë stabilitetin dhe zhvillimin e Kinës.

E dihet e shikohet tashmë se asgjë nuk a ka ndalur Kinën në ngjitjen e saj drejt horizonteve të reja duke u bërë ekonomia e dytë më e fuqishme në botë. E kjo, sigurisht, e tërbon SHBA si komanduese e imponuar e një grupi të mbyllur të vendeve perëndimore, që, nga ana e tyre, nuk vënë më në diskutim ‘gara’ ekonomike me Kinën se e ndjejnë vitalitetin kinez të ecjes përpara…

Ndërkohë deklarata e Ministrisë së Jashtme kineze e bërë më 2 gusht ritheksoi se vizita e Pelosit në rajonin e Tajvanit të Kinës pa marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të Pekinit zyrtar është një shkelje serioze e parimit të “Një Kinë” dhe e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, dhe Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon rreptësisht këtë, dhe i ka paraqitur SHBA-së protestën e vet të ashpër.

Më tej deklarata nënvizon se në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të saj dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson tërë vendin. Deklarata kujton se në vitin 1979 SHBA bënë premtimin e qartë në Komunikatën për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike Kinë-SHBA se Uashingtoni njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme dhe se brenda këtij konteksti, populli amerikan do të mbante marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit.

Sipas deklaratës, problemi i Tajvanit është çështja më e rëndësishme, më e ndjeshme dhe më thelbësore në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe thekson ndër të tjera se qëndrimi i qeverisë dhe i popullit kinez lidhur me problemin e Tajvanit ka qenë gjithmonë i paluhatshëm. “Mbrojtja e sovranitetit dhe e tërësisë territoriale të vendit është vullneti i fortë i popullit kinez 1.4 miliardësh, realizimi i ribashkimit të plotë të atdheut është dëshira e përbashkët dhe përgjegjësia e shenjtë e të gjithë bijve dhe bijave të kombit kinez”.

Protestues tajvanezë kundër vizitës së Pelosit,3 gusht(Foto:VCG)

Protestues tajvanezë kundër vizitës së Pelosit,3 gusht(Foto:VCG)

Në përfundim deklarata nënvizon se si dy vende të mëdha, Kina dhe SHBA-ja duhet t’i zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe mbi bazën e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore, moskundërvënies dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkët. “Problemi i Tajvanit është krejtësisht një çështje e brendshme e Kinës, dhe asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë të veprojë si gjyqtar për këtë çështje. Kina i kërkon SHBA-së të ndalojë lojën me "kartën e Tajvanit" duke e përdorur Tajvanin për ta penguar Kinën," paralajmëron deklarata.

Në këtë kuadër nuk shmanget pyetja ‘historike’ se me çfarë të drejte SHBA guxojnë të ndërmarrin veprime për t’iu imponuar popullit kinez lidhur më të drejtën e tij të patjetërsueshme se Tajvani është pjesë e Kinës dhe çështja tajvaneze është një çështje e brendshme e Kinës.

Histerizmat e disa qarqeve amerikane për ‘pavarësinë’ e Tajvanit të çojnë prapa në kohë kur ishin po amerikanët e pasuesit e tyre perëndimorë, që i mohonin me një mijë e një manipulime Republikës Popullore të Kinës vendin e saj të ligjshëm në OKB derisa vullneti dhe drejtësia e çështjes kineze si dhe forca e komunitetit ndërkombëtar bënë të mundur që ai vend i madh të mirëpritej aty ku duhet të ishte që në krye. Edhe pse ajo ishte disfatë poshtëruese përballë një çështje të drejtë të popullit kinez, SHBA lëshuan tirada mallkimesh e sharjesh, por shpejt heshtën përballë rivendosjes zyrtarisht të së drejtës së ligjshme të Kinës në OKB. Megjithatë ata nuk i kanë ndaluar kurrë veprimet anti-kineze duke përdorur shumë karta ndër të cilat ‘Kartën e Tajvanit’. Por si dështuan më 1971 kur kuilslingët tajvanezë ikën me gisht në gojë nga OKB-ja ashtu do të ndodhë edhe më zgjidhjen nga populli kinez të çështjes së ribashkimit të Tajvanit me vendin mëmë, Republikën Popullore të Kinës, në kohën e duhur.

Realisht udhëtimi i Pelosit në Tajvan është cilësuar si ‘udhëtim mes kritikave’ edhe nga qarqet perëndimore të grupimeve të ndryshme dhe ka patur paralajmërime e kritika kundër vizitës para dhe pas saj në radhët e opinionit politik e publik në mbarë botën. Jo nga ‘dashuria’ për Kinën sesa nga interesat e tyre dhe domosdo duke ditur qëndrimin e fortë, të palëkundur e pa ekuivok kinez lidhur me çështjen e Tajvanit si punë e brendshme e popullit kinez për ta zgjidhur vetë.

Në radhë të parë ishin Kombet e Bashkuara, organizata mbare botërore ku përfaqësohen të gjithë popujt e botës, që e dënuan ashpër vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës duke përsëritur më 2 gusht mbështetjen e tyre për parimin e ‘Një Kine’ dhe duke vënë në dukje se ajo ndjek Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të vitit 1971, sipas Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

“Politika e Kombeve të Bashkuara për këtë çështje është se ne udhëhiqemi nga Rezoluta 2758 e Asamblesë së Përgjithshme të vitit 1971 për një Kinë”, tha Dujarric.

Në njoftimin lidhur me këtë qëndrim rikujtohej se më 25 tetor 1971, OKB-ja miratoi Rezolutën 2758 e cila njeh se përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës janë të vetmit përfaqësues të ligjshëm të Kinës në Kombet e Bashkuara. Rezoluta njeh gjithashtu se R.P. e Kinës është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërkohë ish-kryeministri Australian, Paul Keating në një deklaratë më 1 gusht një ditë para vizitës së politikanes amerikane në Tajvan deklaroi, “Një vizitë e Pelosit do të ishte e paprecedentë - e pamend, e rrezikshme dhe e panevojshme për çdo kauzë tjetër përveç saj”. Asnjë vëzhgues i marrëdhënieve ndërmjet ngushticave nuk dyshon se "një vizitë e tillë nga Kryetarja e Kongresit Amerikan mund të degjenerojë në armiqësi ushtarake", tha Keating. "Nëse situata vlerësohet ose keqpërdoret, rezultati për sigurinë, prosperitetin dhe rendin e rajonit dhe botës (dhe mbi të gjitha për Tajvanin) do të ishte katastrofik".

Ni Yongjie, nënkryetar i Institutit të Studimeve të Tajvanit në Shangai, tha për CGTN në një intervistë se Pelosi po përpiqej të përdorte Tajvanin si një gurë shahu për të provuar dhe izoluar ishullin nga kontinenti. Vizita "do t'i shërbente interesave të Partisë së saj Demokratike gjatë zgjedhjeve afatmesme në fund të këtij viti. Ajo dëshiron ta përdorë këtë vizitë për tu kujdesur për populizmin anti-kinez në Shtetet e Bashkuara dhe për të ruajtur pozicionin e saj në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha ai.

Veprime ushtarake reaguese të Kinës(Foto:VCG)

Veprime ushtarake reaguese të Kinës(Foto:VCG)

Ndërkohë shumë media prestigjioze amerikane, institute studimi politikash dhe ish-politikanë nga disa vende aleate të SHBA-së kanë deklaruar gjithashtu publikisht se udhëtimi i Pelosit në Tajvan është një lojë e rrezikshme, pavarësisht çfarëdo arsyeje për të cilën është bërë. Studiuesi britanik Martin Jacques tha: "Sjellja provokuese e Pelosit për çështjen e Tajvanit do t'i çojë SHBA-në dhe botën drejt çrregullimit e paqëndrueshmërisë". Në një koment të “New York Times” thuhej se vizita e Pelosit në rajonin e Tajvanit të Kinës ishte “jashtëzakonisht brutale, e rrezikshme dhe e papërgjegjshme”. Kurse kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong gjatë takimit me Pelosin më 1 gusht theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme Kinë-SHBA për paqe e siguri të rajonit.

Opinioni konstruktiv publik ndërkombëtar mendon se nuk ka asnjë dyshim se të gjitha kundërmasat e marra prej Kinës ndaj këtij provokacioni tejet armiqësor janë të ligjshme, të nevojshme dhe sovrane, dhe ato do të jenë afatgjata, të vendosura dhe të qëndrueshme. Në këtë kuadër një rëndësi të veçantë ka edhe reagimi i forcave të armatosura të Kinës mesazhi i të cilave ka qënë i vendosur se ato do të marrin masa të mëtejshme ushtarake përkundrejt zhvillimeve më të fundit.

E nga njoftimet e deritanishme mësohet se nga seria e operacioneve të përbashkëta ushtarake të kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore (UÇP) e Kinës rreth ishullit të Tajvanit, mund të shohim se përgjigjja ka treguar forcë, strategji dhe mençuri.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Wu Qian, shprehu më 2 gusht kundërshtim dhe dënim të fortë për vizitën e Pelosit në rajonin e Tajvanit. “Kina i ka ritheksuar disa herë pasojat e rënda të kësaj vizite. Por, Pelosi megjithatë provokoi në mënyrë keqdashëse dhe krijoi krizë, gjë që ka shkelur rëndë parimin e ‘Një Kine’, tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe marrëdhëniet ndërmjet ushtrive të të dy vendeve. Veprimi i palës amerikane u ka dërguar një sinjal të gabuar ‘forcave separatiste’ të ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe ka përshkallëzuar tensionet midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit. Partia Progresive Demokratike e Tajvanit shfrytëzoi forcat e huaja dhe nguli këmbë ta ftojë Pelosin. Një veprim i tillë i rrezikshëm patjetër do të shkaktojë pasoja të rënda”, tha zëdhënësi, i cili shtoi se Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës është në një nivel të lartë vigjilence dhe do të reagojë me një sërë veprimesh të shënjeshtruara ushtarake, duke mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e tërësinë territoriale të vendit dhe duke shkatërruar ndërhyrjet e huaja dhe orvatjet e separatistëve tajvanezë.

E konkretisht, siç është njoftuar nga mediat kineze e ndërkombëtare, duke filluar nga mbrëmja e 2 gushtit, Komanda e Zonës Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës ka filuar të kryejë një sërë operacionesh të përbashkëta ushtarake rreth ishullit të Tajvanit, po zhvillon manovra të përbashkëta ajrore e detare në ujërat dhe hapësirën ajrore në veri, në jugperëndim dhe në juglindje të ishullit, po kryen goditje me municion nga largësia në ngushticën e Tajvanit, si edhe po organizon prova të lëshimit të raketave konvencionale në ujërat lindore të ishullit të Tajvanit. Gjithashtu, nga ora 12:00 e 4 gushtit deri më 7 gusht (sipas orës së Pekinit), Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës do të zhvillojë manovra ushtarake e veprimtari stërvitore të rëndësishme, duke përfshirë stërvitje me municion luftarak, në ujërat detare dhe hapësirën ajrore, të cilat përcaktohen me koordinata, dhe për arsye sigurie, hyrja e anijeve dhe e avionëve në këto hapësira detare dhe ajrore është e ndaluar.

Ditët në vijim do të përforcojnë më shumë të vërteta se misioni këmbëngulës i Pelosit nuk do të thotë se asaj i interesonte vërtet Tajvani, zhvillimi i tij e mirëqenia e banorëve, paqa e siguria e rajonit, e aq më pak ëndrra e pjesës dërmuese të qytetarëve për t’iu bashkuar vendit mëmë. Edhe në këtë rast si në ndërhyrjet e tjera të paligjshme provokuese të SHBA më shumë se kushdo janë të prekur banorët në Tajvan; ata janë viktimat më të mëdha në këtë çështje për faktin e thjesht se tani situata në ngushticën e Tajvanit po përballet me një raund të ri sfidash serioze, dhe arsyeja themelore për këtë janë lëvizjet e përsëritura nga autoritetet tajvaneze dhe pala amerikane për ta ndryshuar pandërprerë status quon.

Veprime ushtarake reaguese të Kinës(Foto:VCG)

Veprime ushtarake reaguese të Kinës(Foto:VCG)

“Pelosi po përdor jetën e 23 milionë tajvanezëve, duke luajtur me zjarrin në tokën tajvaneze. E patolerueshme!” shkruanin mediat tajvaneze. Kurse agjenci perëndimore të lajmeve që raportonin nga qyteti i Taipehut tregonin se krahas anës protokollare dhe shprehjes se mirëseardhjes të organizuar nga drejtuesit rajonalë, ka patur edhe protesta anti-amerikane duke vënë në qendër të kritikave Pelosin.

‘Po si reaguan banorët e Tajvanit ndaj vizitës së Pelosit?’ ishte pyetja në titullin e një reportazhi të gazetës Uashington Post më 3 gusht që përgjigjej vetë: “Nga ‘mirëseerdhët’ deri në ‘magjistare amerikane’”.

“Kishte shënja se populli tajvanez ishte i eksituar dhe në ankth lidhur më vizitën e Nancy Pelosit gjate qëndrimit prej 18 orësh të saj dhe të një grupi ligjvënësish amerikan në ishull”, raportonte gazeta. Në vijim ajo vinte në dukje se grupe të vogla protestuesish, përfshirë ata që mbështesin bashkimin me Kinën, shkelën flamujt amerikanë dhe mbanin tabela që përçmonin Pelosin dhe i kërkonin delegacionit amerikan të shkonte në shtëpi. “Njëri mbante një tabelë që e quajti Pelosin një "magjistare amerikane", shkruante Uashington Post

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha më 2 gusht se "Kina është pozicionuar për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm" si rezultat i vizitës së Pelosit - që mund të përfshijë më shumë stërvitje ushtarake pranë Tajvanit dhe masa "shtrëngimi ekonomik". “Ne presim që ata të vazhdojnë të reagojnë në një horizont afatgjatë”, Kirby tha.

Po çfarë reagimesh priste zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e vetë Pelosi nga Pekini zyrtar përballë këtij provokacioni me përmasa tejet të rrezikshme? Lule e këngë?

Po ta vriste ndërgjegja për banorët tajvanezë dhe të ishte në linjë me politikën e zotuar amerikane të "Një Kine" Pelosi duhet t’i kushtonte më shumë vëmendje pasojave të rënda të shkaktuara nga aventura e saj politike. Nga ana tjetër, me sfidimin aventuresk prej saj të interesave thelbësore të Kinës edhe e ardhmja e bashkëpunimit Kinë-SHBA vihet ne pikëpyetje dhe do të përballet me sfida të reja. Kësisoj veprimet e papërgjegjshme të saj kanë tensionuar më tej gjendjen në ngushticën e Tajvanit dhe kanë goditur paqen dhe stabilitetin e Azi-Paqësorit, duke qartësuar fytyrën e vërtetë të palës amerikane, që sakrifikon të tjerët për interesat e veta. Vizita e Pelosit në Tajvan jo vetëm që do të rris tensionet rajonale, por gjithashtu do të sjell vetëm dëme edhe në shkallë botërore sepse dihet tashmë se marrëdhëniet e qëndrueshme të qeta kino-amerikane shikohen si kontribut në rimëkëmbjen e botës së tronditur nga pandemia, lufta në Ukrainë e konflikte të tjera këta vitet e fundit.

Nuk mund të mos krijojë habi pretendimi amerikan se është Kina ajo që po përkeqëson gjendjen kur faktet janë kokëfortë sepse dëshmuan edhe njëherë se janë SHBA që nëpërmjet ‘kartës së Tajvanit’ orvaten të shkelin sovranitetin e tërësinë territoriale të Kinës. Kush njeh pak gjeografi e di se në atë zonë çdo gjë është kineze dhe veprimet amerikane nuk janë gjë tjetër veçse ndërhyrje arrogante që mbartin rreziqe të mëdha për Kinën, për të gjithë rajonin e botën mbarë kur aktualisht një zjarr shkatërrimtar vazhdon në kontinentin europian si ai në Ukrainë.

Megjithatë vizita e Pelosit dhe veprimet e mëtejme të SHBA-së nuk mund të ndryshojnë historinë se Tajvani ka qënë dhe është pjesë e Kinës sikurse nuk mund të ndalin procesin historik të ribashkimit të këtij rajoni të Kinës. Vendosmëria e 1.4 miliardë kinezëve për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe të tërësisë territoriale të vendit ka dhënë prova se është e pathyeshme dhe e pakthyeshme. Dinamika e ngjarjeve të ditëve të fundit provoi gjithashtu faktin se Kina është faktor paqeje dhe stabiliteti në botë. “Magjistarja amerikane’, sikurse e quajtën Nancy Pelosin qytetarë në rajonin e Tajvanit të Kinës të cituar nga gazeta amerikane Uashington Post, jo vetëm dështoi në misionin e saj por i vuri një njollë tjetër të zezë politikës amerikane skenarët e errëta të së cilës kundër Kinës dhe për të risunduar botën po dështojnë njëri pas tjetrit duke mbetur si një e kaluar e hidhur për njerëzimin!