Me 1 Korrik të këtij viti mbushen 25 vjet që nga Korriku i viti 1997 kur qyteti i Hong Kongut, pas më shumë se 150 vjet administrimi nga Mbretëria e Bashkuar, u rikthye nën sovranitetin e Republikës Popullore të Kinës.

Gjysma e dytë e shekullit të 19-të përkoi me një periudhë krize të perandorisë kineze nën sundimin e dinastisë Qing. Është pikërisht gjatë kësaj periudhë që shumë vende Europiane u sulën mbi Kinën, sikurse kishin bërë në të Gjithë Azinë Lindore e Juglindore, diku me sukses e diku me më pak sukses, për të shtrirë dominimin e tyre kolonial. Megjithëse nuk ja arritën të sundonin Kinën, e cila nuk u bë asnjëherë koloni e vendeve të tjera, fuqitë europiane arritën që ti imponojnë asaj një sërë koncesionesh nëpërmjet disa marrëveshjes që kanë kaluar në histori si Traktatet e Pabarabarta. Pikërisht në këtë kontekst Kinës ju imponua që të jepte Hong Kongun dhe disa territore përreth tij për një afat 99 vjeçar. Pas disa negociatash gjatë viteve 80-të të shekullit 20-të, me 1 Korrik 1997 Hong Kongu u rikthye përfundimisht nën sovranitetin e Kinës, nën formulën qeverisëse “Një Vend, Dy Sisteme”.

Por cili është bilanci në këtë përvjetor, dhe si e gjen ai Hong Kongun?

Me më shumë se 7 milionë banorë, Hong Kongu është njëkohësisht një metropol dhe një qytet me hapësira të gjera të hapura. Qyteti është gjithashtu në metropol i hapur ndaj të huajve dhe shtëpia e rreth 580,000 banorëve jo-kinezë nga grupet minoritare që përbëjnë 8 për qind të popullsisë, sipas regjistrimit të 2016. Është një qendër globale financiare dhe një vend ku konservimi, trashëgimia dhe artet kanë marrë më shumë rëndësi.

VCG

VCG

Pavarësisht zhvillimit intensiv urban, Hong Kongu ka mbajtur shumicën e parqeve të vendit të paprekur. Ato përbëjnë 40 për qind të sipërfaqes së qytetit prej 1,113.76 km katrore. Ka 24 parqe, gjashtë parqe detare dhe një rezervë detare. Në ruajtjen e trashëgimisë, një skemë qeveritare ka angazhuar sektorin privat për të kthyer më shumë se 20 vende historike të pashfrytëzuara në hapësira të reja kulturore.

Cilësia e ajrit gjithashtu është përmirësuar. Përqendrimet mesatare vjetore të shumicës së ndotësve kryesorë janë ulur gjatë shtatë viteve të fundit, zbuloi një analizë e postuar e të dhënave të qeverisë për cilësinë e ajrit në stacionet buzë rrugëve dhe stacionet e përgjithshme. Një tregues është mesatarja vjetore e grimcave të pezulluara të frymëmarrjes (PM10), të cilat përfshijnë tym, pluhur dhe lëndë të tjera të vogla në ajër, të cilat janë 51 për qind më të ulët se mesatarja e vitit 1997. Rritja e cilësisë së ajrit dhe përmirësimi i vazhdueshëm i tij në pjesën e Kinës Kontinentale ka ndihmuar gjithashtu me më pak ndotës që fryjnë në Hong Kong.

Që nga kthimi i tij nën sovranitetin kinez në 1997, qyteti pati më shumë se dy dekada të aktivizmit të gjithanshme të forcave të veta ekonomike, dhe një progres të jashtëzakonshëm duke u kthyer në një metropol të fuqishëm në Azi. Hong Kongu renditet i pesti në listën e ekonomive më konkurruese në botë, duke u ngjitur me 2 pika mbi performancën e përmirësuar në mes të pandemisë Covid. Paga mesatare mujore për Hongkongasit është rritur rreth 68 për qind që nga viti 1997. Hong Kongu ka investuar shumë në përmirësimin e rrjeteve të transportit dhe lidhjes, veçanërisht me tren, duke ulur kohën e udhëtimit brenda qytetit dhe me Kinën kontinentale. Projektet kryesore hekurudhore në funksion tashmë përfshijnë gjithashtu lidhjen hekurudhore Guangzhou-Shenzhen-Hong Kong, duke integruar Hong Kongun me transportin kombëtar hekurudhor. Hekurudha ndërkufitare me shpejtësi të lartë nga provinca Guangdong në terminalin West Kowloon, shkurtoi kohën e udhëtimit në 19 minuta në Shenzhen dhe 47 minuta në Guangzhou. Është ndërtuar edhe ura Hong Kong-Zhuhai-Makau, një kryevepër e inxhinierisë, e cila u hap në 2018 dhe shkurtoi kohën e udhëtimit ndërkufitar me makinë.

Shkalla e përgjithshme e krimit në Hong Kong pati një rënie të dukshme. Midis 1997 dhe 2021, numri i rasteve të grabitjeve ra nga 2,914 në 123, ndërsa rastet e vjedhjeve ranë nga rreth 6,400 në 1,472. Numri i krimeve të rënda të dhunshme ra gjithashtu në 25 vitet e fundit. Rastet e vrasjeve ranë nga 102 në 1997 në 23 vitin e kaluar.

VCG

VCG

Sistemi shëndetësor lokal dhe ai arsimor janë përmirësuar në mënyrë drastike. Për të dhënë një shembull, tre universitete nga 6 publike që ka qyteti, në 10 vitet e fundit janë renditur në top listën e universiteteve më të mira në botë. Njëri prej tyre, Universiteti i Hong Kongut (HKU), ka mbajtur pozicionin si një nga më të mirët në të gjithë Azinë, dhe në 10 më të mirët në botë.

Dy fjalë për të drejtat e qytetarëve në Hong Kong.

Vitet e fundit është folur e spekuluar shumë për protestat në Hong Kong dhe të drejtat civile në këtë qytet. Por pas rikthimit nën sovranitetin e Kinës, Hong Kongu lejoi qytetarët të shprehnin pikëpamjet e tyre në tubime publike, procesione dhe demonstrata. Kjo nuk ishte e mundur nën administrimin britanik, gjatë të cilit, përjashto disa shoqata të biznesit, shumica e njerëzve nuk kishte asnjë përfaqësim politik, dhe zgjedhjet nuk lejoheshin. Thjesht një krahasim mes dy periudhave. Në protestat e viteve 1967, policia britanike vrau rreth 73 persona, kur pjesa më e madhe e tyre po protestonin për kushte më të mira në qytet, dhe ishin të paarmatosur. Në protestat e viti 2019, ku një numër personash përdori municione të ndryshme, si bomba molotov, policia e Hong Kongut me profesionalizëm arriti ta vërë situatën nën kontroll dhe nuk pati asnjë viktimë. Sikurse shpesh ndodh në këto raste, këto protesta në vitin 2019 janë keqpërdorur nga forca të jashtme, dhe elementë të brendshëm të qytetit, për të sulmuar Kinën dhe sistemin e vet politik. Kështu edhe pse ato nisën për të kundërshtuar një ligj mbi sigurinë kombëtare, ligje të tilla i kanë të gjitha vendet në botë sepse janë të domosdoshme për përballimin e kërcënimeve të kohës së sotme. Pekini u detyrua të aprovojë një ligj të tillë për Hong Kongun sepse Hong Kongu vetë nuk e aprovoi asnjëherë ligjin që e kishte për detyrë ta aprovonte e për të cilin kishte më shumë se 10 vjet që diskutonte. Ligji në vetvete ka të njëjtat parime si në pjesën më të madhe të vendeve ku ligje të tilla janë në fuqi, që ndalon aktet e shkëputjes, përmbysjes, terrorizmit dhe marrëveshjeve të fshehta me forcat e huaja. Ligji nuk prek të drejtat civile dhe politike të qytetarëve, dhe demokracinë lokale, të garantuar nga formula “Një Vend Dy Sisteme”.

Ky parim u riafirmua edhe së fundmi nga Presidenti kinez Xi Jinping gjatë pritjes që i bëri liderit të ri të Hong Kongut të sapo zgjedhur, John Lee. Në një shënim domethënës, Presidenti Xi dha një siguri të fortë publike se politika “një vend, dy sisteme” ishte këtu për të qëndruar. Ai u shpreh se “Në 25 vitet që kur Hong Kongu u kthye në atdhe, ai kaloi nëpër erë dhe shi dhe u përball me sfida të ndryshme. Megjithatë, zbatimi i suksesshëm i një vendi, dy sistemeve u njoh gjerësisht në mbarë botën”. “Qeveria qendrore është e vendosur ta zbatojë këtë parim në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të saktë. Kjo nuk është lëkundur kurrë dhe nuk do të ndryshojë.” “Ky është një sistem politik demokratik që i përshtatet një vendi, dy sistemeve, i përshtatet situatës aktuale të Hong Kongut dhe i përshtatet nevojave të zhvillimit të qytetit. Ajo duhet të vlerësohet dhe të mbahet në plan afatgjatë.” Sipas analistëve lokalë, theksi i Presidentit Xi mbi tranzicionin e vazhdueshëm të Hong Kongut "nga stabiliteti në prosperitet" nënkupton se forcimi i statusit të qytetit si një qendër financiare ndërkombëtare do të mbetej një prioritet kryesor për administratën e re të qytetit.

VCG

VCG

Më përpara, në një event tjetër, Presidenti Xi u ka bërë thirrje Hongkongasve që të integrohen më mirë me zhvillimin e vendit për të arritur stabilitet dhe prosperitet afatgjatë për qytetin. Në letrën që ai dërgoi me rastin e 120 vjetorit të themelimit të gazetës lokale Ta Kung Pao, Xi i kërkoi gazetës të shkruante më shumë "kapituj të shkëlqyer të rilindjes së madhe të kombit kinez, ëndrrës kineze dhe zhvillimit të qëndrueshëm të "një vendi, dy sistemeve". Letra është një vlerësim për rolin konstruktiv të medias në Hong Kong, liria e së cilës mbrohet nga Ligji Themelor dhe gëzon të njëjtat garanci si kudo në botë.

Në të ardhmen, integrimi i mëtejshëm ekonomik me pjesën tjetër të Kinës në përgjithësi, por me qytetin e Shenzhenit në veçanti, konsolidimi i sistemit politik dhe ekonomik, mbajtja e stabilitetit financiar, dhe rritja e cilësisë së shërbimeve do të garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri në tregjet ndërkombëtare si një hub global financiar dhe shërbimesh.
Ylber Marku