Kritikët do t'ju bëjnë të besoni se masat e rrepta të kontrollit të Covid 19 në qendrën ekonomike të Shangait do të zvarrisin rritjen ekonomike të vendit, do të dëmtojnë tregtinë dhe do të pengojnë investimet.

Argumenti se kontrolli i epidemisë trondit bazat ekonomike nuk është vetëm i pabazuar, por nënvlerëson potencialin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze.

Nuk mund të mohohet se Shangai po kalon vështirësi për shkak të rigjallërimit të fundit të virusit, por do të ishte gabim të supozohej se vetëm Shangai përfaqëson peizazhin e përgjithshëm ekonomik të Kinës.

Kina ka baza të qëndrueshme ekonomike, në gjendje t'u rezistojnë pengesave dhe që do të forcohen pasi varianti Omikron të vihet nën kontroll.

Cinikët nuk duhet të shikojnë më larg sesa tregtia e jashtme për ta parë të plotë këtë vitalitet. Importet dhe eksportet totale të vendit në tremujorin e parë u rritën 10.7 për qind nga viti në vit në 9.42 trilionë juanë (rreth 1.47 trilionë dollarë amerikanë); tremujori i shtatë radhazi që regjistron rritje.

Investimet e forta të huaja direkte (IHD) ofrojnë dëshmi të mëtejshme. IHD-të në territorin kinez gjatë tre muajve të parë u zgjeruan 25.6 për qind nga viti në vit, në 379.87 miliardë juanë, me investimet në industritë e teknologjisë së lartë që shënuan një rritje prej 52.9 për qind. Për më tepër, Kina ka një gamë të gjerë mjetesh në dispozicion për të kompensuar humbjet e mëparshme, për të punuar për zhvillimin e ardhshëm dhe për të mbajtur një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Në një takim ekzekutiv të Këshillit të Shtetit javën e kaluar u theksua rëndësia e zbatimit të politikës së kujdesshme monetare për të ruajtur likuiditet të mjaftueshëm në mënyrë të arsyeshme; për të eksploruar masa financiare që nxisin konsumin dhe investimet dhe për të kanalizuar financimin drejt fushave kyçe dhe hallkave të dobëta. Kryeministri Li Keqiang theksoi po ashtu masat për ta mbajtur ekonominë të qëndrueshme dhe për të përmirësuar jetesën e njerëzve. Kina i ka qëndruar besnike qasjes së saj dinamike zero-Covid gjatë gjithë betejës së saj me variantin Omikron. Në mars, Changchun, kryeqendra e provincës Jilin në Kinën verilindore, iu nënshtrua masave të rrepta të kontrollit sipas strategjisë. Pavarësisht dhjetëra mijëra infeksioneve, ajo ndërpreu me sukses të gjithë zinxhirët e transmetimit nga zonat e saj të karantinës.

Kina ishte ekonomia e parë e madhe që u rikuperua nga ndikimi fillestar i Covid 19 në 2020-n falë reagimit të saj të shpejtë dhe të ashpër dhe qëndrueshmëria ekonomike vazhdoi gjatë gjithë vitit 2021, pavarësisht shtameve të përhapura që bënë kërdinë në mbarë botën. Ndoshta kritikët do të bënin mirë të shikonin më nga afër sukseset e viteve të fundit përpara se të nënvlerësonin kapacitetin e Kinës për të balancuar kontrollin e epidemisë dhe stabilitetin ekonomik.