Në një shfaqje madhështore, ku ndërthureshin pa u ndarë elementet njerëzore dhe teknologjike, Kina i fali botës një spektakël monumental. Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022, mahniti një organizim logjistik me sinkronizim të detajeve që lë shikuesin të shtangur si nga precizioni i vizuales dhe unisoni i përbërësve, por edhe nga kombinimi i tradicionales dhe modernes. Duke u bërë ngjarja e parë e madhe sportive globale e mbajtur që nga shpërthimi i pandemisë, nën të njëjtin petk olimpik bota ka një mundësi për të lënë mënjanë dallime dhe ndarje nën moton e "më të shpejtë, më të lartë, më të fortë, së bashku."
Me koreografi jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe përdorimin e teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale dhe 5G, bota i ktheu sytë nga Kina dhe Kina mirëpriti përfaqësues nga çdo cep i globit. Ekran HD-LED prej 11600 metrash katrorë, 100% borë artificiale nxjerrë nga 1.2 milion m3 pluhur, rreth 3 000 njerëz nga të gjitha sferat e jetës morën pjesë në ceremoninë 140-minutëshe të hapjes. Duke shfaqur aplikacionin e parë në botë të teknologjisë 5G+4K/8K+AI në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv me definicion ultra të lartë Grupi Mediatik i Kinës dërgoi qindra ekspertë në event, të cilët do të bëjnë të mundur që shikuesit në mbarë botën të ndihen pranë spektaklit olimpik me anë të transmetimit me cilësi të ultra HD. Kina u zotua të zhvillojë Lojërat në një mënyrë "të gjelbër, gjithëpërfshirëse, të hapur dhe të pastër", e cila pasuron kulturën olimpike dhe kontribuon me mençurinë kineze dhe zgjidhjet kineze në botë.
Si çdo event i rëndësishëm në tokën kineze, kjo ceremoni ishte mbushur me simbolika, të shprehura me anë të performancave njerëzore dhe virtuale. Vetë Stadiumin Kombëtar ku u hap zyrtarisht eventi, kinezët preferojnë ta quajnë “Foleja e zogjve”, e cila, në kulturën kineze, është një metaforë për familjen, bashkëjetesën paqësore dhe dashamirësinë. Ceremonia filloi në një ditë feste në Kinë, ditën e Fillimit të Pranverës. Zakonisht numërimi mbrapsht në lojëra olimpike fillon nga numri 10, por në Pekin filloi nga numri 24 që simbolizon 24 periudhat e vitit të krijuar në Kinën e lashtë, bazuar në lëvizjen e diellit, për të udhëhequr bujqësinë gjatë katër stinëve. Por simbolika tjetër është se këto lojëra olimpikë dimërore janë të 24-tat në histori. Tema e siglës së hapjes ishte “Një botë, Një familje”
Një pikë boje blu akulli ra nga qielli, u shndërrua në ujin e Lumit të Verdhë, u derdh poshtë dhe mbuloi të gjithë vendin si një pikturë kineze, ashtu si vargu i një poeme "Uji i lumit të verdhë vjen nga qielli”. Zëvendësimi i ndezjes së pishtarit një akt me pa ndezje dhe zëvendësimi i zjarrit të furishëm me zjarr të lehtë, përcjell konceptin e një eventi të gjelbër me përmbajtje të ulët karboni dhe miqësore me mjedisin. Të parët në skenë për ngritjen e flamurit ishin 56 njerëz të spikatur, që përfaqësonin 56 grupet etnike të Kinës duke kaluar në duart e tyre flamurin kinez ata shprehën unitetin e vendit nën një komb e një flamur.
Menjëherë pasi Presidenti Xi Jinping shpalli të hapura Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore në Stadiumin Kombëtar në Pekin, fishekzjarrët shpërthyen në ajër në formën e një peme të famshme të njohur si Yingkesong. Kjo pemë unike, emri i së cilës përkthehet si "Pisha që mirëpret mysafirët", konsiderohet si një simbol i vendit dhe një thesar i botës. Pema e veçantë rritet në shkëmbinj afro 1680 metra mbi nivelin e detit dhe kurora e tij prej 14 metrash i ngjan një njeriu që mirëpret vizitorët me krahë hapur. Për shkak të formës së pazakontë, imazhi ikonë i Yingkesong është përdorur për të shfaqur mikpritjen e popullit kinez që nga vitet 1950, kur Kina kishte marrëdhënie diplomatike vetëm me një pjesë të vogël të vendeve.
Që nga ceremonia e hyrjes e deri tek ndezja e pishtarit kryesor, elementi i flokëve të borës në ceremoninë e hapjes ishte i kudogjendur. Çdo flok bore është ndërtuar mbi bazën e nyjeve kineze që simbolizojnë unitet dhe fat të mirë, por edhe si një shprehje bashkëkohore e frymës tradicionale. Flokët e borës nga e gjithë bota më në fund u bashkuan në një fjollë të vetme, e cila nënkuptonte të shumëdëshiruarin unitetin botëror. Pasi të gjitha delegacionet bënë paradën e tyre, flokë bore virtuale u shfaqën me emrat e shteteve dhe mes tyre edhe gjethe ulliri që simbolizojnë paqen.
Në këtë event ishin të pranishëm figura të rëndësishme politike nga e gjithë bota, dhe përtej sportit ky event ndihmon në krijimin e një lidhjeje më të fortë midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës, përmes shkëmbimeve më të thella personale dhe kulturore. Presidenti kinez Xi Jinping dhe gruaja e tij Peng Liyuan organizuan një banket në Sallën e Madhe të Popullit një ditë më pas për të mirëpritur mysafirë të shquar nga e gjithë bota që morën pjesë në ceremoninë e hapjes. Më tej Presidenti Xi pati takime me liderë kombëtarë, zyrtarë dhe përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme.
Megjithëse disa vende dhe media në botë u munduan për të politizuar me tendenca negative eventin, me organizimin mbresëlënës të Lojërave Olimpike Dimërore dhe simbolikën e mprehtë të shfaqjes, Kina dha përgjigje pa folur. Për një atlet, është një ëndërr të jetë mbajtës i pishtarit kryesor në lojëra olimpike, dhe në 4 Shkurt një nga dy atletët që ngritën pishtarin ishte 21-vjeçarja ujgure Dinigeer Yilamujiang, nga Rajoni Autonom i Xinjiang-ut.
Ky event, përtej logjistikës, ishte edhe demonstrim i suksesshëm i arritjeve dhe angazhimit të Kinës ndaj internacionalizmit. Pas gjashtë vitesh përgatitje dhe pavarësisht ndërprerjeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, ky event është një moment krenarie për Kinën.
Shumë nëpër botë bënë krahasim midis Lojërave Olimpike të Pekinit të vitit 2008 me këto të vitit 2021. Por në 14 vitet e fundit, Pekini ka lulëzuar në shumë mënyra. Për sa i përket transportit publik, Lojërat Verore 2008 shkaktuan një bum ndërtimi të metrosë dhe kryeqyteti kishte 200 kilometra metro në funksion. Në vitin 2021, Pekini mban me një rrjet nëntokësor prej 780 kilometrash në total, një nga më të mëdhenjtë në botë. PBB-ja për frymë e Pekinit u rrit nga 9,075 dollarë në 2008 në 28,500 dollarë në 2021. Statusi i Pekinit si i pari "qytet olimpik i dyfishtë" në botë është një tjetër burim krenarie kombëtare që demonstron plotësisht aftësitë e qytetit dhe të vendit.
Së fundmi, edhe pse shpirti konkurrues i atletëve do të jetë kryefjala e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, në thelb sporti konkurron përherë kundër sfidave botërore, ku arritjet dhe fitoret ndahen me miqtë, në mënyrë që të gjithë të bëhen kampionë të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin.
Dr. Marsela Musabelliu