Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Zhou Ding, këto ditë ka marrë pjesë në disa veprimtari të përgatitjes së atletëve nga Shqipëria, të cilët do të performojnë në Lojërat Olimpike të Pekinit! Atmosfera e këtyre përgatitjeve është ndjerë në opinionin publik dhe mesazhet që janë dhënë i kontribuojnë lidhjeve sa më të mira midis të dy vendeve.
Me datën 2 shkurt nisin lojërat olimpike dimërore në Pekin. Kryeqyteti kinez është I pari qytet në botë, I cili bëhet bartës dhe organizator i lojërave olimpike verore e njëkohësisht dimërore. Kjo nuk ka ndodhur me asnjë shtet e qytet tjetër gjatë historisë gati 130 vjeçare të zhvillimit të këtyre lojërave.
E gjitha ka ardhur për shkak të performancës së atletëve dhe sportistëve kinezë në lojërat olimpike, veçmas të tri dekadave të fundit, por edhe performancës në organizim të autoriteteve të sportit kinez. Numri i medaljeve dhe fitoret e shumta të përfaqësuesve kinezë, kudo që këto lojëra janë organizuar, ka tërhequr vëmendjen e qytetërimit të sotëm në të gjitha kontinentet. Ndaj dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është investuar që Kina të bëhet organizatore e tri lojërave olimpike në dy dekadat e fundit.
Gjatë muajit shkurt Pekini do të jetë epiqendra e vëmendjes dhe e lajmeve sa i përket sportit në botë. Mediet botërore do të regjistrojnë dhe lajmërojnë për çdo medalje që do të fitohet në lojërat olimpike të këtij viti. Por gjithçka që po ndodh në këto manifestime sportive ka diçka të veçantë: - Është pandemia Covid-19. Vala e muajit janar e variantit Omikron të virusit Koronavirus ka rrit shqetësimet se në këto lojëra mund të ketë dështime të veprimtarive sportive për shkak të mundësisë që ekziston për infektimin me këtë virus të sportistëve dhe atletëve të sporteve të ndryshme.
Ky shqetësim përhapet në mediet e ndryshme kudo. Duket qartë se krahas shqetësimeve ka gjithashtu një lloj propagande që synon të krijojë pasiguri, megjithatë rreziku i përhapjes së pandemisë te pjesëmarrësit dhe spektatorët e lojërave olimpike në Pekin ekziston. Ndërkaq autoritetet kineze kanë dhënë garanci për korrektësi në menaxhimin e situatës pandemike edhe gjatë zhvillimit të këtyre lojërave olimpike. Por sa do të munden këto autoritete ta parandalojnë përhapjen e virusit Omikron?
Dihet se ky lloj virusi është ngjitës në shkallën më të lartë të mundshme. Por fatmirësisht është edhe më pak fatal se variantet e mëparshme të Covid-19. Pavarësisht kësaj, nëse përhapet gjatë lojërave olimpike në Pekin do ta dëmtojë procesin e garës. Por a mund të ndodhë që ky virus të bëhet pengesë serioze në zhvillimin e lojërave dimërore të Pekinit? Teorikisht ekziston kjo mundësi. Praktikisht Republika Popullore e Kinës, institucionet shtetërore e qeveria e saj, si dhe autoritetet shëndetësore dhe sportive kanë dhënë garanci se nuk do të ketë probleme.
Franz Steinle nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i konsideron si manipulime lajmet se Koronavirus mund të pengojë zhvillimin normal të Lojërave të Pekinit. Ndërsa presidenti i këtij komiteti, Thomas Bach, është optimist se Lojërat olimpike të Pekinit do të realizohen në kushte normale dhe do të jenë suksesi i radhës. Bach thotë se nuk do të ketë asnjë lloj pengesë, nuk do të krijohen as pritje të gjata për shkak të pandemisë, si dhe asnjë pjesëmarrës nuk do të vihet në dhomat e karantinës. Këto garanci nuk burojnë vetëm nga informacioni që japin autoritetet e Kinës. Organizatorët e Komitetit Olimpik janë në terren dhe e njohin mirë se çfarë ndodh në terren!
Megjithatë ekziston një pyetje: Si do të mundet që Pekini t'i realizojë këto lojëra në normalitet? Në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar kësaj dileme i është dhënë përgjigje ë prerë dhe pozitive. Por nuk ka mjaftuar kjo për të bindur skeptikët në suksesin e këtyre Lojërave. Ka njerëz që ende vuajnë nën thundrën e Covid-19 dhe besojnë se kudo në botë është e njëjta situatë. Ndërkaq propaganda kundër organizimit të këtyre lojërave ka krijuar steriotipe dhe mite të caktuara rreth kësaj. Është një lloj dileme sidomos për ato vende, ku janë me dhjetëra njerëz që infektohen çdo ditë. Ndërkaq duket se këto vende nuk e kanë kuptuar ende se si Republika Popullore e Kinës dhe institucionet e saj kanë bërë të mundur të jenë kaq të suksesshëm në luftën kundër Covid-19. Jo vetëm përmes vaksinës dhe vaksinimit, por edhe me masa të tjera që lidhen me izolimin e rasteve ose të zonave të infektuara dhe vendosjen e rregullave të forta e strikte për ta përballuar situatën në fjalë.
Atletët dhe sportistët shqiptarë tashmë janë në Pekin. Ata janë shpërblyer me uniformën e Olimpiadës Botërore nga ana e ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Me atë uniformë do të parakalojnë ditën e ceremonisë së hapjes së Lojërave Dimërore të Pekinit! Një grup I vogël në numër, por simpatikë dhe me ambicie për të performuar me dinjitet!
Ndërkohë gjithçka do të shkojë në normalitet e do të zhvillohet me sukses, falë masave të rrepta për luftën kundër pandemisë nga autoritetet kineze.
Enver Bytyçi